Është shtyrë për në 23 shkurt seanca në Gjykatën Administrative për padinë e bërë nga aktorja Anila Bisha ndaj AKSHI-t dhe Këshillit të Ministrave, ku kërkon 'pezullimin' e ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella.
Shkak për këtë shtyrje u bë mungesa e avokatit të aktores, Aranit Roshi, i cili kishte njoftuar më herët gjykatën se ishte i sëmurë.
Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Armand Shkurta, i cili do të shprehet fillimisht për kërkesën për sigurimin e padisë.
Kujtojmë se aktorja kërkon gjithashtu dëmshpërblim prej 1 milionë euro për prishje imazhi.
Kjo pasi aktorja e Teatrit Kombëtar, pretendon se imazhi dhe zëri i saj janë përshtatur për avatarin qeveritar ‘Diellën’. Ajo ka depozituar një kërkesëpadi në Gjykatën Administrative ku si palë janë Këshilli i Ministrave, Kompania Apel shpk, AKSHI dhe kryeministri Edi Rama.
Deri në përfundimin e procesit gjyqësor, ajo kërkon që të dhënat e saj personale të mos përdoren më.
Aktorja Bisha shprehet se ajo ka patur një kontratë që imazhi i saj të përdorej vetëm si asistente virtuale për shërbimet në e-Albania, dhe se shfaqja e Diellës si ministër, është bërë pa miratimin e saj dhe në shkelje të kontratës.
Në dokumentin dorëzuar në Gjykatën Admninistrative vihet në dukje se krijimi i avatarit të Ministres Diella është realizuar “pa marrë asnjë miratim paraprak të aktores Bisha për përdorimin e të dhënave, madje dhe pa e vënë atë në dijeni”.
Kur kryeministri e prezantoi Diellën për herë të parë në shtator 2025, aktorja thotë se është ndjerë tërësisht e befasuar kur ka konstatuar se avatari ishte ndërtuar sipas imazhit të saj.
Në dokument theksohet se në situatën e krijuar, aktores “i është sekuestruar çdo e dhënë personale (imazh e zë) që përbëjnë tiparet e jashtme identifikuese të saj, dhe duke u përdorur në kundërshtim me ligjin, kanë krijuar një duplikat digjital të paditëses”.
Komente








