Sipas njoftimit zyrtar, për profilin bazë KESH e shiti energjinë me një çmim nga 33 deri në 34 euro për mega. Pjesa më e madhe e energjisë u ble nga dy kompani, shqiptarja GSA dhe serbja EFT. Por, për të njëjtin profil bazë, në të njëjtën ditë, në bursën e Hungarisë energjia u shit me 49.9 euro për mega ose rreth 15 euro më shtrenjtë.
Për profilin pik, çmimi më i lartë i arritur nga KESH ishte 41 euro për mega dhe me këtë çmim u shit vetëm një sasi e vogël, pasi për pjesën dërrmuese çmimi ishte nën 40 euro. Për të njëjtin profil çmimi i shitjes në bursën hungareze ishte 57.1 euro për mega, ose 16 euro më shumë.
Krahasimi i të dhënave, tregon se, nëse KESH do ta kishte shitur energjinë me të njëjtin çmim si në bursën hungareze, do të arkëtonte të paktën 4 milionë euro më shumë, përfshirë edhe tarifën e kapaciteteve që paguhet në eksport. Por edhe këtë herë u përsërit e njëjta dukuri, ajo që kompanitë publike shesin me cmime më të ulëta se bursa, kur vendi ka tepricë energjie dhe blejnë me çmime dukshëm më të lartë se tregu kur vendi është në krizë.
Shit-blerja e energjisë edhe në të kaluarën ka shkaktuar debate të forta. Madje jo më larg se dy muaj më parë KESH u shiste tregtarëve privatë energji me çmime të ulëta dhe këta të fundit pastaj të njëjtën energji ja shisnin operatorit të shpërndarjes më shtrenjtë.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) e ka cilësuar të pasaktë dhe desinformues lajmin e publikuar në Shqiptarja.com dhe media të tjera, se ka favorizuar blerësit e huja, duke shitur më lirë energjinë në eksport. KESH mohon të ketë shitur energjinë nga 33 deri në 34 euro për mega, duke sqaruar se çmimet janë 34.07 euro për profilin bandë dhe 35.77 euro për profilin peak.
“Çmimet e marra në procedurat e realizuara nga KESH janë 34,07 EUR/MWh për profilin bandë dhe 35,77 EUR/MWh në profilin peak, ndërkohë që profili peak i KESH nuk përfshin orët 09:00-10:00 dhe 18:00-22:00 që janë dhe më të shtrenjta të profilit peak të bursës hungareze. Pra dhe krahasimi i çmimit të shitjes së KESH me profilin peak të Bursës Hungareze është i pasaktë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e KESH.
Reagimi i plotë i KESH:
Sot më datë 28.02.2018, në edicionin informativ të orës 15:00 në televizionin Top Channel është publikuar kronika me titull "KESH shet lirë. Energjia shqiptare, 4 mln euro më lirë se çmimi i bursës". KESH e konsideron përmbajtjen e kësaj kronike të pasaktë dhe për më tepër disinformuese që dëmton rëndë imazhin e shoqërisë. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare sqaron publikun për sa më poshtë vijon: Aktualisht, shoqëria KESH ndodhet në kushtet e prodhimit të energjisë elektrike në nivelin 28 milion kWh/ditë dhe gjithashtu po kryen shkarkime të detyruara dhe të kontrolluara të ujit, që nëse konvertohen në energji elektrike janë në vlerën 5-6 milion kWh/ditë.
Referuar situatës hidroenergjitike (prurje, prodhim dhe kuota) dhe kushteve metrologjike aktuale dhe atyre të parashikuara për muajin Mars 2018, me synim operimin e HEC-eve brenda kuotave te lejuara nga rregulloret e shfrytezimit dhe maksimizimin e shfrytëzimit të prurjeve të pritshme, për të shmangur në maksimum shkarkimin e ujit pa prodhim energjie, u bë e domosdoshme të parashikohej rritja e prodhimit të energjisë elektrike. Një pjesë e konsiderueshme e saj, pas përmbushjes së nevojave të tregut të rregulluar (detyrimit për shërbim publik që përfshin kërkesën mujore për energji elektrike nga OSHEE për konsumatorët tariforë, humbjet në rrjet dhe shërbimet e balancimit për OST), duhej tregtuar në tregun e parregulluar të energjisë elektrike, në të kundërt, do të detyroheshim të shkarkonim volume uji pa prodhim energjie.
Të dhënave e publikuara në faqen e Bursës Hungareze për periudhen e tregtimit te energjisë elektrike nga KESH (01-31.03.2018), për kontratat "physical future" me profilin "bande-baseload" dhe "pik-peak" për muajin Mars 2018, janë si me poshtë (çmimi i profilit bandë për muajin Mars është 38.07 EUR/MWh dhe çmimi i profilit peak 47,20 EUR/MWh):
Cmimet e marra në procedurat e realizuara nga KESH janë 34,07 EUR/MWh për profilin bandë dhe 35,77 EUR/MWh në profilin peak, ndërkohë që profili peak i KESH nuk përfshin orët 09:00-10:00 dhe 18:00-22:00 që janë dhe më të shtrenjta të profilit peak të bursës hungareze. Pra dhe krahasimi i çmimit të shitjes së KESH me profilin peak të Bursës Hungareze është i pasaktë.
Më tej, që çmimi i shitjes së energjisë elektrike nga KESH në Shqipëri të bëhet drejtëpërdrejtë i krahasueshëm me çmimet e shitjes së Bursës Hungareze, duhet të mbahet në konsideratë fakti që çmimi i shitjes së energjisë elektrike siç publikohet në bursën hungareze përmban edhe kostot që do KESH do te duhej ti mbulone nëse këtë energji do ta tregtonte në mënyrë të drejtpërdejtë (kostot e kapacitetit të transmetimit dhe kostot administrative për pjesëmarrje në bursë).
Për periudhën objekt shitje energjie elektrike (Mars 2018) kostot për kapacitet trasmetimi në drejtimin AL-HU kapin vlerën rreth 5 EUR/MWh. Pavarësisht kësaj, në rrethanat e mësipërme theksojmë se nuk mund të përbëjë bazë krahasimi çmimi i shitjes së energjisë elektrike në tregjet day-ahead (ditës përpara) dhe intraday (brenda së njëjtës ditë) në shitjet e energjisë elektrikë për kontratat "physical future" referuar shitjes së bërë për periudhën 1-31 mars 2018.
KESH shpreh keqardhje që kronika e pasaktë e publikuar në Top Channel ka për autor një gazetar i cili përveç angazhimit të tij në media, duhet të kishte njohuritë dhe eksperiencën e duhur në çështjet e tregtisë së energjisë elektrike, pasi ka qenë në marrëdhënie pune pranë kabinetit të administratorit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare si këshilltar në periudhën 2011-2013.
d.c./shqiptarja.com












