KESH shpenzoi në vitin 2022, afro 6 mln euro pa efektivitet! Raporti i KLSH: Mungesë eficence nga blerja-shitja e energjisë deri tek fondet limite të tenderave

KESH shpenzoi në vitin 2022, afro 6 mln euro pa efektivitet! Raporti i KLSH: Mungesë eficence nga blerja-shitja e energjisë deri tek fondet limite të tenderave

Më shumë se 609 milionë lekë ose afro 6 milionë euro janë keqpërdorur nga KESH gjatë vitit 2022, në ankandet e blerjes së energjisë kur vendi ishte në kohë krize. Sipas një auditimi të kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për KESH, është konstatuar se koha e blerjes së energjisë nuk është studiuar, dhe është blerë me çmim më të lartë se sa ishte në bursë. Po ashtu shkelje ka pasur me shpenzimet për riparim automjetesh, për shpërblim punonjësish, për dietat ushqimore, për përllogaritje të fondeve limit për tendera dhe gjetje të tjera. Një pjesë e shpenzimeve të këtij autoriteti nga audituesit e KLSH-së konsiderohen pa efektivitet. 

Pjesë nga auditimi i KLSH:
Shpenzime pa ekonomicitet, eficencë dhe efektivitet, me vlerë 609,795,428 lekë, si më poshtë:

KESH SHA ka shkëmbyer energji elektrike me Kompaninë “N” SHPK, sipas marrëveshjes së nënshkruar me nr. 2350/1 ptot., datë 04.05.2021. Deri me datë 31.12.2022, gjendja e shkëmbimit të energjisë elektrike paraqitet në dhënie sasia 149442 MẆh, ndërsa në marrje sasia 132002 MẆh, me një diferencë në shumën 17440 MẆh. Për vitin 2022, nga Shoqëria “N”, është marrë sasia 2546 MẆh, nga e cila sasia 2398 MẆh është marrë me datë 01.04.2022. Brenda kësaj dite, sasia më e madhe e energjisë në shumën 2278 MẆh, është marrë në periudhë jo piku, ku çmimi i energjisë në bursë është shumë i ulët. Bazuar në të dhënat në dispozicion, KESH SHA për vitin 2022, ka blerë energji elektrike në sasinë 1,460,437 MẆh, me çmim mesatar nga 209.6 Euro/MẆh deri në 482.2 Euro/MẆh. Diferenca në sasinë 17440 MẆh, duhet të merrej gjatë kësaj periudhe ku çmimi në bursë rezulton i lartë. Referuar bursës HUPX për vitin 2022, për të njëjtin profil, çmimi mesatar i tregtimit të energjisë elektrike ishte 271.6 Euro/MẆh. Referuar çmimit mesatar të blerjes së energjisë elektrike dhe çmimit të bursës për vitin 2022 (për profile të ngjashme), si pasojë e mos marrjes së energjisë elektrike të rezervuar pranë Kompanisë “N” SHPK për këtë vit, KESH SHA rezulton me humbje me vlerë 2,774,536 Euro [(271.6 MẆh – 115.2 MẆh) x 17740 MẆh], vlerë e cila konsiderohet efekt financiar.

- Gjatë auditimit të pagesave të kryera me bankë, për periudhën objekt kontrolli të auditimit, KESH ka bërë pagesa për shërbime riparimi të automjeteve të shoqërisë ndaj Operatorit Ekonomik, “A” sh.p.k. Në procesin e dokumentimit të shpenzimeve për riparime automjetesh u konstatuan parregullsi që kanë lidhje me dokumentet justifikues të marrjes në dorëzim si proces verbalet e firmosura nga komisioni, certifikatat për origjinalitetin dhe cilësinë e pjesëve që ishin ndërruar si dhe proces verbalet për hyrjet në magazinën rekupero të pjesëve të vjetra të ndërruara.

Në kreun V, Të tjera, të udhëzimit, pika 122, në Gjurmët Standarde të Auditit, germa c, Gjurma për marrjen në dorëzim të aktiveve, përcakton se titullari i shoqërisë urdhëron ngritjen e komisionit të marrjes në dorëzim të aktiveve, i cili kryen verifikimin fizik të sasisë, çmimit, si dhe verifikon përputhshmërinë me specifikimet e dakordësuara më parë. Deri më datë 31.12.2022, shoqëria “A” sh.p.k., i ka faturuar KESH sh.a., vlerën 156,544,680 lekë për riparime dhe shërbime të automjeteve. Vlera 156,544,680 lekë përbën shpenzime pa ekonomicitet për KESH sh.a. 

- Nga auditimi i dokumentacionit të listë pagesave për periudhën 01.01.2021 – 31.12.2022 rezultoi se dieta për trajtim ushqimor është paguar në masën 500 lekë vakt/ditë pune, ndërkohë që duhet të paguhej 300 lekë/ditë. Nga llogaritja e listëpagesave të periudhës 01.01.2021 - 31.12.2022 rezulton se ky përfitim është në masën 170,018,888 lekë, nga 102,011,333 lekë që duhej të ishte pra është paguar më tepër shuma prej 68,007,555 lekë e cila konsiderohet shpenzim pa efektivitet për buxhetin e shoqërisë. 
- Me Vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të KESH SHA nr. 6 prot, datë 26.02.2021 “Për dhënien e shpërblimit për disa punonjës të KESH SHA, pas periudhës të gatishmërisë dhjetor 2020 – shkurt 2021”, është miratuar dhënia e shpërblimit në masën 50,000 (pesëdhjetë mijë) lekë, për disa punonjës të KESH SHA. Duke qenë se shoqëria nuk ka një analizë të realizimit të objektivave, vlera 3,300,000 lekë, e akorduar për këtë shpërblim, konsiderohet shpenzim pa efektivitet për buxhetin e shoqërisë. 
-Me Vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të KESH SHA nr. 6295 prot, datë 29.12.2021 “Për dhënien e një shpërblimi të veçantë mbi pagë në fund të vitit për punonjësit e KESH SHA”, janë dhënë shpërblime me vlerën 61,402 mijë lekë. Duke qenë se shoqëria nuk ka një analizë të realizimit të objektivave, vlera 61,402,000 lekë konsiderohet shpenzim pa efektivitet për buxhetin e shoqërisë. 

-Me vendimin nr. 13, datë 01.07.2021, të Këshillit Mbikëqyrës, është vendosur për miratimin e krijimit të fondit të pensionit profesional për punonjësit e KESH sh.a. Për vitin 2021 janë transferuar 5,780,802 lekë dhe për vitin 2022 janë transferuar 15,378,310 lekë për këtë fond. Aprovimi i këtij fondi që është një formë shpërblimi për punonjësit rezulton në kundërshtim me Ligjin nr.10405, datë 24.03.2011 “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, neni 6. Vlera 5,780,802 lekë për periudhën 2021 dhe vlera 15,378,310 lekë përbëjnë shpenzime pa efektivitet. 

- Nga auditimi konstatohet se lidhur me proceset gjyqësorë në të cilat shoqëria është palë, nga dokumentacioni i vënë në dispozicion konstatohet se për periudhën objekt auditimi janë humbur 81 çështje gjyqësorë në apel, nga ku janë humbur 3 çështje gjyqësorë në Gjykatat e Shkallës të Lartë dhe në Gjykatat e Apelit, duke e detyruar institucionin të paguajë vlerën 2,375,484 lekë si dëmshpërblim për ndërprerje të paligjshme të marrëdhënieve të punës dhe shpenzime përmbarimore. Për periudhën objekt auditimi, janë në proces gjykimi 7 çështje gjyqësorë në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, në vlerën 1,810,437 lekë si dëmshpërblim për ndërprerje të paligjshme të marrëdhënieve të punës dhe shpenzime përmbarimore. Në total, vlera 4,185,921 lekë, shpenzim pa efektivitet për buxhetin e shoqërisë. 

- Sipas kontratës “Ndërhyrje për mirëmbajtjen e sistemeve të CO2 në HEC Fierzë dhe HEC Koman”, është përdorur fondi rezervë, ndërkohë që kemi të bëjmë me kontratë me çelësa në dorë. Vlera e fondit rezervë në shumën 2,750,000 lekë konsiderohet si shpenzim pa efektivitet, pasi procesi i komandimit mund të realizohej edhe me 4 panele siç ishte parashikuar. Nuk ka një analizë sipas të cilës të identifikohej nevoja e shpenzimit për vendosjen e paneleve, apo trajnimi i punonjësve që angazhohen në procesin e komandimit në raste të rënies së zjarrit. 

- Për përllogaritjen e fondit limit sipas kontratës “Rinovim i sistemit të mbrojtjes për dy agregatë me vendosje konfigurim të releve të reja që zëvendësojnë ato ekzistuese REG, RET në HEC Fierzë”,është aplikuar studimi i tregut duke i’u dërguar kërkesë për ofertë 3 OE që operojnë në këtë fushë. Fondi limit është përcaktuar me vlerën më të ulët të ofruar në shumën 5 75,000,000 lekë. Në ofertat e paraqitura nga studimi i tregut, konstatohet se OE kanë paraqitur vlerë shumë të lartë për zërin “Trajnim i plotë 3 ditor për konfigurimin e releve të reja, back-up e fileve dhe testet, sipas specifikimeve”, konkretisht 8,200,000 lekë, 7,840,000 lekë dhe 7,840,000 lekë. Nga ana e komisionit nuk është marrë në konsideratë kontrata e ngjashme e realizuar në vitin 2020 “Rinovim i sistemit të mbrojtjes për dy agregate me vendosje/konfigurim të releve të reja që zëvendësojnë ato ekzistueset REG/RET, në Vaun e Dejës”. Duke marrë në konsideratë vlerën e ofertës së paraqitur në shumën 73,500,000 lekë, diferenca me vlerë 1,120,000 lekë, konsiderohet pa ekonomicitet për buxhetin e shoqërisë.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Fatos Çoçoli: Viti i pagave dhe pensioneve

Fatos Çoçoli: Viti i pagave dhe pensioneve