Përfaqësues të Presidencës kanë zhvilluar një vizitë këtë të diel në familjen e Florenc Beqirit në Shkodër. Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi dhe këshilltari për Pushtetin Lokal, Ylli Asllani ishin pranë familjarëve të 23-vjeçarit i cili humbi jetën në një spital të Marsejës, pas dhunës së ushtruar ndaj tij në burg. 

Këshilltarët Tedi Blushi dhe Ylli Asllani i përcollën familjes Beqiraj ngushëllimet e Presidentit Ilir Meta. "Presidenti Meta po bën çmos për të sjellë trupin e Florenc Beqiraj në Shqipëri. Ai vazhdon të jetë në kontakt të pandërprerë me autoritetet shqiptare dhe franceze", është shprehur Blushi. Sipas tij, "Presidenti Meta ka kërkuar sqarime të plota për rrethanat që çuan në vdekjen e Florencit".

Ndërsa nëna e Florenc Beqiraj ka "falënderuar Presidentin Ilir Meta për angazhimin". "Presidenti Ilir Meta është i vetmi zyrtar që na ka qëndruar pranë dhe që na ka ofruar ndihmë", ka thënë ajo. Sipas nënës së Florenc Beqirajt, "veç Presidentit, asnjë institucion nuk na ka ndihmuar".

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com