Ketro: Saimir Tahiri përballë lukunisë së ujqërve opozitarë

Ketro: Saimir Tahiri përballë lukunisë së ujqërve opozitarë

Ka dy momente ku përqendrohen sulmet e opozitës ndaj Saimir Tahirit. Momenti i parë ka të bëjë me akuzën që i bëhet se përveç Saimir Tahirit si i përfshirë në trafikun e drogës, pas tij qëndron “shefi i madh” dhe me këtë lënë të kuptohet se është kryeministri Rama.

Nga vjen kjo lidhje që opozita kërkon t’i bëjë kryeministrit në këtë rast? Kush e mban mend (edhe po s’e mbajti e gjen në youtube), një vit pasi ishte larguar nga detyra, ish-kryeministri Berisha i pyetur për herë të parë pas 8 viteve në pushtet në lidhje me ndërhyrjen policore që ish-ministri Tahiri urdhëroi në Lazarat, u shpreh se ai, pra Berisha, nuk kishte urdhëruar një ndërhyrje të tillë në kohën e tij dhe ky ishte një vendim i tiji politik, por kishte gjetur rrugë të tjera për ta “luftuar” mbjelljen, korrjes dhe trafikimin e hashashit, vlera e të cilit llogaritej në 4 miliardë euro, sipas Guarda di Finanza-s italiane.

Në fakt, media përgjatë 8 viteve kurrë nuk e vuri nën presion qeverinë “Berisha” mbi drogën që mbillej në Lazarat. Në ato pak shkrime që mediat i huaja bënin mbi atë fshat, jo më kot e konsideronin “Republika e Lazaratit”. Termi “republikë” vihej pasi ai fshat kishte fituar njëfarë pavarësie në këtë drejtim për sa i përket mbjelljes së hashashit dhe mos shqetësimit prej policisë.

Kjo e fundit kishte një marrëveshje të heshtur me trafikantët atje duke mos ndërhyrë kurrë, por duke gjetur një mënyrë kamuflimi sikur e luftonte. Për këtë kishte vendosur në rrugën nacionale ku fillon rruga për Lazarat një fugon policie i cili kishte për detyrë të mos lejonte autobotet me ujë të hynin në Lazarat si dhe kontrollonte çdo makinë që dilte nga Lazarati.

Ky model “goditje” ishte tepër qesharak sepse trafikantët gjenin mënyra të tjera se si të siguronin ujin, ashtu edhe daljen e ngarkesave me mall pa u ekspozuar atje ku i priste demonstrativisht fugoni i policisë.

Po përgjatë 8 viteve të Berishës, kurrë nëpër Shqipëri nuk u ftua një mision vëzhgimi nga ajri i policisë italiane. Në këto kushte, pavarësisht se edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë kultivohej ku mundej në zona të vogla hashash, natyrisht që trafikantët e mëdhenj nuk kishte pse ekspozoheshin gjithandej, kur qeveria u kishte garantuar një “republikë” më vete tek e cila kishin akses të plotë si gjatë periudhës së mbjelljes e korrjes, ashtu edhe për magazinim. Aty nuk kishte as spiunë digjitalë për foto e video, sepse ishte një fshat që votonte 99 për qind për PD-në dhe të ardhurat e larta që u siguronte hashashi ishin motiv i fortë për ta votuar atë parti.

Sërish nëse u kthehemi 6 viteve më parë, në shtator 2013, kur ende qeveria “Rama” s’ishte ulur në karriget ministrore të mandatit të parë, shpërtheu një valë e madhe hashashi e mbjellë gjatë pranverës së atij viti elektoral. Aq e madhe ishte në sasi, saqë policia e asaj kohe nuk po arrinte dot ta menaxhonte situatën edhe përgjatë vitit 2014. Kjo u bë sebep që ministri Tahiri të urdhëronte operacionin për shfarosjen e drogës nga Lazarati, operacion që zgjati një javë, ku mbeti i vrarë edhe një efektiv policie.

Momenti i dytë ka të bëjë me akuzën se Saimir Tahiri u mbrojt nga kryeministri Rama që të mos dënohej me burg nga gjykata. Sërish këtu opozita merr si bazë atë që ka pas bërë vetë dhe nën këtë shembull fut në valle edhe Edi Ramën.

Kushdo e mban mend gjyqin ndaj Ilir Metës mbi videon e famshme të Dritan Priftit. Një ditë përpara se sa Gjykata e Lartë të shprehej me vendim (Meta nuk hoqi dorë nga mandati që të gjykohej i lirë), kryeministri Berisha i shkon atij në shtëpi natën vonë për të konsumuar një darkë familjare.

Nga pikëpamja morale, nuk ishte etike që një kryeministër t’i shkojë në shtëpi dikujt për të cilin të nesërmen në mëngjes gjykata do shprehej me vendim nëse ishte apo jo fajtor. Por, edhe sikur ai të kishte shkuar pa e pasur këtë gjë si synim, prapëseprapë ka diçka që e nxjerr zbuluar. Darkën familjet Berisha e Meta mund ta kishin ngrënë aty ku e hëngrën, në intimitet të plotë. Por jo, të dyja palët ishin kujdesur që të vinin në dijeni televizionet të cilat u ndodhën poshtë shtëpisë së Metës për ta pasqyruar live daljen e Berishës nga shtëpia e Metës. Ky ishte një mesazh i qartë për pesëshen gjyqësore se si duhet të votonin të nesërmen.

Nga sa thashë më lart, tek të dyja këto momente ku opozita kërkon të godasë kryeministrin Rama, gjejmë të njëjtat veprime që ka bërë Sali Berisha. Prandaj mos u çudisni nga aludimet e tyre, sepse kur bën një veprim vetë, do imagjinosh që edhe tjetri që të pason ty, po ashtu vepron. Ish-ministrat e Brendshëm, Basha, Nishani e Noka, në këtë rast duhet të rrinë të qetë, sepse koston e mosndërhyrjes së tyre e ka marrë Sali Berisha, pavarësisht se ndaj tij nuk ngrihen akuza penale se ku e gjeti të drejtën t’i japë urdhër politik policisë për të mos ndërhyrë.

Saimir Tahirit i ranë të gjitha akuzat e rënda dhe kjo ishte gjëja më logjike. Prokuroria nuk arriti dot të gjejë asnjë prove të implikimit të tij dhe e mbështeti akuzën e saj mbi hamendësime. Saimir Tahiri i bëri ballë të gjithë procesit penal kundër tij duke u vetëzhveshur nga të gjitha funksionet e larta politike që mbante. Nuk ndoqi modelin e Lulzim Bashës për ta zvarritur hetimin dhe pushimin e çështjes për tejkalim afatesh. As nuk kërkoi mbështetje nga Partia Socialiste që të organizonte turma histerike mitingashësh përpara dyerve të gjykatës, siç bënë demokratët me ish-kryebashkiakun e Lezhës.

Ai u dënua për shpërdorim detyre sepse lejoi kanabizimin në vitin 2016. Ky vit në fakt pati një situatë ku policia nuk arriti dot ta menaxhojë si duhet. Megjithatë nuk kemi një fshehje të kësaj situate nga Saimir Tahiri, përkundrazi. Ai vetë ka shoqëruar gazetarë vendas e të huaj në plantacionet që asgjësonte policia. Me kërkesë të tij Guarda di Finanza-s iu dha akses i plotë të monitoronte nga ajri çdo pëllëmbë tokë të Shqipërisë. Epo dikush që drejton trafikun e drogës, nuk mund të jetë kaq transparent në dëm të vetes.

Por ka edhe një moment që anashkalohet. Policia e vitit 2016 u la e vetme në punën e saj. Organi i akuzës, prokuroria, as nuk merrte fare pjesë në aksionet e policisë për asgjësimin e lëndëve narkotike, ku të niste ndërkohë procedimet penale si për kultivuesit, ata që qëndronin mbi ta, por edhe për ata që i kishin lejuar. Më kujtohet fare mirë që policia ankohej që prokurorët e gatshëm përtonin të shkonin në vendngjarje. Ish-kryeprokurori, që në atë kohë kishte akses të plotë mbi çdo prokurori rrethi, nuk ndërmori asnjë hap publik për të vënë në pozita të forta pune këto prokurori në luftën ndaj kultivimit të drogës. Kjo braktisje e policisë nga organi i akuzës ishte një tradhti e madhe që u bëhej atyre, prandaj gjërat duhen parë dhe analizuar në kompleksitetin e tyre, dhe jo duke parë vetëm zi nga ana e policisë.

Së fundmi, ka edhe një diversion që opozita kërkon të bëjë duke thënë që Saimir Tahiri ka përgjime komprometuese për kryeministrin Rama. Në fakt, ishte një zëvendës i tij në ministri, përfaqësues i LSI-së, i cili tentoi që t’i fusë ministrit Tahiri ato çimkat përgjuese, por që u zbulua nga ky i fundit. Prapë për gjëra që kanë bërë vetë, kërkojnë të bëjnë lidhje të shkurtër edhe me të tjerët. Kjo opozitë po tenton me ngulm të krijojë idenë se Saimir Tahiri s’ka punuar asnjë ditë si ministër, por çdo ditë është marrë duke përgjuar se çfarë bënte kryeministri Rama. Nëse ka pasur në PS një funksionar të rangut të tij, që ishte kundër çdo kompromisi me Metën, Bashën a Berishën, ky ishte Saimir Tahiri.

Prandaj ata e kanë halë në sy, sepse ai u rrinte ballas atyre dhe nuk ua shtrinte kurrë dorën. Kjo është arsyeja se përse ai u bë target i fortë akuzash prej tyre, për ta goditur politikisht, me qëllim që t’u ikte nga territori një individ që i lufton fort politikisht. Por, nëse Ilir Meta e mbylli ashtu siç e mbylli çështjen e bllokut, Sali Berisha dhe Lulzim Basha i kanë ende të pambyllura shumë çështje që rëndojnë mbi ta. Do t’i shohim sa të gatshëm do të jenë, ashtu siç u tregua Saimir Tahiri, për t’i dalë zot vetes së tyre përballë gjykatës. Ashtu, të vetëm si Tahiri, rrethuar veç me gazetarë e kameramanë, e i ulur në shkallët e gjykatës. Do ta shohim.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Orli: 22/09/2019 08:58

    Sajmir Tahiri po vuan se i ndryshoi fytyren policise nga nje polici me uniforme blu e kepuce te kuqe ku te mesynin si qene rrugesh per te te zhvatur ndonje leke,ne nje polici profesioniste,sidomos vuan se shkatrroi Lazaratin qe politikanve te djathte mafioze u sillte miljarda.

    Përgjigju
  • Qytetar pa parti: 21/09/2019 16:34

    Shume sakte Vemjet qe na terhoqen zvarre 30 vjet e qe na kane vjedhur pa din e iman nuk kane surrat te baltosin nje ish minister, djale te ri e shume energjik ,qeeeeee eshte krejtesisht e pamundur qe me kater vjet sipas tyre na paska menduar vetem per drogen e tregetine e saj kur punoi pa u lodhur per transformimin e policise ne te popullit e jo per te luftuar kunder opozites si me kohen e tyre e kur lane nje shtet rrumpalle Forca z Tairi se drejtesia vonon , por fiton

    Përgjigju
  • lani: 21/09/2019 13:26

    plotesisht dakort.E meriton te te heqesh kapelen per kete shkrim.Kjo eshte aresyeja qe banditi Berisha dhe bythelepiresit e tij ,duke shfrytezuar dhe faktin qe kryeprokuror ishte Llallushi grabitqar dhe mafjoz,nuk e mbeshteste policine e shtetit ne ate kohe,duke u bere pale me ish ministrat e brendshem si lyli,Nishani pa nishan dhe invalid nga trupi e nga mendja apo nga UDB-ash Noka.Ndaj te gjitha beterite e tyre jane zbrazur kunder Tahirit,sepse nuk bente kompromis me ta dhe u dilte si burre perpara.Ndaj dhe po e perndjekin kemba kembes te gjithe maskarejte e PD-se,te LSI-se e lakejte e tyre ne shtyp,TV ,prokurori e gjykata!

    Përgjigju
  • Geni: 21/09/2019 11:55

    Super shkrim

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Studio Live’, avokati Islami: ‘Berisha do arrestohet, ‘non grata’ s'i hiqet! Nuk do ketë zgjedhje!’ Balliu sulmon Bashën si ‘dështak’: Kam votuar Olldashin!

‘Studio Live’, avokati Islami: ‘Berisha do arrestohet, ‘non grata’ s'i hiqet! Nuk do ketë zgjedhje!’ Balliu sulmon Bashën si ‘dështak’: Kam votuar Olldashin!