Këtu kriminelit i thuhet i fortë, horrit i thuhet zotni, gomarit i thuhet intelektual….

Këtu kriminelit i thuhet i fortë, horrit i thuhet zotni, gomarit i thuhet intelektual….

Edi Rama

Të dashur miq, dua t’u them dy fjalë, sy më sy, atyre që qysh prej 8 dhjetorit e këtej u futën në politikë nga rruga dhe bënë apo lejuan, kush më shumë e kush më pak, kush në pushtet e kush në opozitë, kush përmes akteve të ulëta e kush përmes fjalëve boshe, që liria të merret peng prej kriminalitetit, arbitraritetit dhe kodoshllëkut, që politika të ushqehet makutërisht me padijen, varfërinë dhe gjakun e të pafajshmëve; atyre që bënë apo lejuan, në mënyra e për arsye nga më të ndryshmet, orgjinë e përdhosjes së çdo germe të abetares së moralit njerëzor, duke frymëzuar kësisoj urrejtjen edhe vetëm urrejtjen e shqiptarëve për njeri-tjetrin dhe për vendin e tyre; fajtorëve aktivë që përvetuan kuptimin e çdo porosie të shenjtë duke mbarsur nëpër shpirtrat njerëzorë parazitin gllabërues të korrupsionit dhe bashkëfajtorëve jo të pakët, të cilët, të grumbulluar nën ombrellën e gjerë të opozitës për të ricikluar të kaluarën e tyre të dyshimtë, nga një anë betoheshin për kokë të popullit dhe nga ana tjetër jetonin me fajdetë për shpirtin e lënë peng në Piramidën e Djallit.

Teksa kërkoj me sy nëpër sallë zotërinjtë e politikës, ndesh fytyra kolegësh të punës mendore ose, siç jemi mësuar t’i quajmë, intelektualë të pavarur, dhe kujtoj me turp sesi, pas përmbysjes së ’90-ës, shumë syresh hodhën rregullisht firmën për të mbështetur dhunimin e lirisë dhe instalimin e një shteti të egër policor, apo sesi fshiheshin pas argumentesh absurdë vetëm e vetëm që të mos e hidhnin firmën për të denoncuar fashistizimin e të ashtuquajturit pushtet demokratik, duke lejuar kësisoj edhe ata që vizioni për botën e një klike horrash të bëhet model i pakontestueshëm politik e që, për pasojë, Shqipëria të bëhet atdheu i dashur i çdo maskarai dhe tokë armike për çdo shqiptar që horr dot nuk bëhet.

Shumë ndër këta të pavarur që mbushnin e do të mbushin për kushedi se sa kohë akoma faqet e shtypit me artikuj për lirinë dhe demokracinë apo me intervista për jetën dhe veprën e tyre mediokre, ngritën kafeneve teorinë e popullit barbar, të cilin vetëm një Dorë e Fortë mund ta çojë drejt qytetërimit. Këtë teori, të përqafuar me kohë nga adhuruesit e Dorës së Fortë në pushtet, e përqafuan dalëngadalë edhe eksponentë të opozitës së deridjeshme, që nuk gjenin dot një arsye më të hairit për të justifikuar pafuqinë e tyre shpirtërore për të përballur plagët e lirisë dhe vetë Dorën e Fortë.

E ndërkohë që Dora e Fortë e zhyste dita-ditës Shqipërinë në mjerimin e Korrupsionit Shpirtëror dhe Ekonomik, duke e zgjuar me përdhunë nga ëndrra me sy hapur e Dhjetorit, të pavarurit, të indoktrinuar si s’ka më keq nga filozofia enveriste e Urrejtjes dhe e Përçmimit të Tjetrit, krejt të paaftë për t’u përballur me dritën e vlerave universale të kulturës evropiane, lartonin me tullat e fabrikës së rrënuar të komunizmit muret e getos kulturore që Gjenerali Hoxha krijoi me artin dhe shkencën e tyre. U drejtohem pra sot të gjithë atyre që bëjnë jetën politike shqiptare, pa përjashtim, por sidomos atyre që porsa kanë ardhur në pushtet, me shpresën e patretshme se edhe në llumin mbytës të batakut të politikës shqiptare ka medoemos capak mendje e shpirtra të papërçudnuar që rreken të shohin përtej mureve të getos ku na mban rrethuar e kaluara jonë e largët dhe e afërt.

Sikur të mos e kisha këtë shpresë nuk do të isha ngutur të vija e të merrja fjalën në këtë takim, ku nuk kemi ardhur për t’u kredhur në kujtime që, në një vend si ky i yni, i cili nga frika për t’u parë në pasqyrën e së vërtetës, rri e zhyt kokën përditë në rërën e shterpët të historisë së tij, më ngjajnë si qoka shpirtrash të vdekur që rrinë e i tregojnë njeri-tjetrit heroizmat që kanë bërë kur ishin gjallë. Pra, nuk kam ardhur sot këtu të ndaj kujtime me të vdekurit që Dhjetori i futi nga rruga në politikën me korrin, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”. As me ata që zhvillojnë çdo ditë përshpirtjen e tyre surreale në sheshin “Skënderbej”, kjo jo e jo, por as me ata syresh që mund të jenë edhe këtu, në këtë sallë, e që heroizmat e paqena të Dhjetorit i përdorin ende si kredi për të gjetur një vend pëllumbash për vete e për tërë sojesorollopin e tyre, për t’u krekosur faqeve të shtypit dhe pasqyrave të pushtetit, për të çuar në kopsht me veturë qeveritare nipçen e gruas dhe për të mbytur në pellgun e narcizmit të tyre vështrimin liridashës të barbarëve që i sollën në pushtet, duke harruar se pa kurajën qytetare të fundit, atje poshtë në Jug, ata vetë së bashku me të gjithë të pavarurit do të ishin tanimë të varur për gjuhe në Shpellën e Piratëve të Demokracisë!

Unë sot dua të flas pikërisht në emër të barbarëve, për të gjithë ata të tradhtuar prej ëndrrës me sy hapur të Dhjetorit që gjatë këtyre viteve gjetën vdekjen në detin e zi të arratisë e që e humbën gojën përgjithmonë, për atë vogëlushen pesëvjeçare që edhe pse lindi pas përmbysjes së Dhjetorit, humbi përpara pak ditësh jetën, e përmbytur në det bashkë me varkën e pafuqishme të shpresës, dhe veçanërisht, në emër të të gjithë bashkëmoshatarëve të saj që kërcënohen nga llahtarë të një fati të ngjashëm. Cilido në këtë sallë që i ka bredhur me një torbë ëndrrash në shpinë rrugët e botës, siç i bredh edhe unë vetë shtatë vjet e kësaj ane, e njeh mirë aromën gërryese të atyre muzgjeve të mbushura me hapa vetmie, kur mendja vete e kuturisët rrugëve të pista të fëminisë e kur mjafton kujtimi i buzëqeshjes së një njeriu të dashur për të të mbledhur një lëmsh në grykë. Sa herë më ndodh një gjë e tillë, më kujtohet vetiu plaku njëqindvjeçar që pata takuar në Grykën e Valbonës kur isha student dhe bënim praktikën mësimore në qytetin e Bajram Currit. “Atdheu”, më tha plaku, “nuk i ka rrënjët në tokë po në bukë”! Dhe, kujtuar vërtetësia tronditëse e kësaj perle të rrallë filozofike, pyes përditë vetveten ashtu siç ju pyes sonte edhe juve: E ç’atdhe është në fund të fundit ai që në vend të bukës për shpirtin e trupin prodhon vetëm dëshirën për ta braktisur?

Më duket se ngado që të rrotullohemi për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje nga vijmë te kultura, te kjo fjalë që si fjalë dhe koncept është me origjinë romake. Vjen nga colere – të kultivosh, të ruash, të mirëmbash, të sigurosh jetëgjatësi – dhe na çon tek marrëdhëniet e njeriut me natyrën, tek sensi i kujdesit të tij ndaj saj për ta adaptuar si banesë njerëzore. Paradokohësh, një letrar shqiptar, përmes një interviste dhënë në Kosovë, shkruante “Kemi një nga detet dhe bregdetet më të bukur të botës, të bukur si të Italisë e diçka më të bukur se të Greqisë, kemi një nga peizazhet më të gjelbëruar të globit, vajza shqiptare ka një bukuri që u bie në sy të gjithë të huajve”! Dhe pasi rendiste tërë këto bukurira të rralla si kusht që ne shqiptarët të ndihemi një popull avangardë apo më mirë një protopopull, nuk e fshihte dot habinë për sjelljet “e çuditshme” të shqiptarëve, të cilët, sipas tij, vuajtkan sot prej një kompleksi të pakuptueshëm inferioriteti! Por ajo që letrari i njohur nuk thoshte, e që në fakt nuk ka sesi ta thotë i mbytur siç është në kënetën e patriotizmit profesional, është e vërteta banale se tërë arsenali i bukurirave të rralla që ai numëron me krenari, është vepër e të madhit Zot dhe jo e shqiptarëve, të cilët, në shekuj, nuk kanë lënë gjë pa bërë për të mos e kultivuar, për të mos e ruajtur, për të mos e mirëmbajtur e për të mos ia siguruar jetëgjatësinë kësaj vepre.

Sepse vërtet kemi një det e një bregdet të bukur, po peshkun mësuam si ta zëmë masivisht vetëm kur na ra në dorë dinamiti, vërtet kemi një nga peizazhet më të gjelbëruar të globit po në mos për t’i vënë sëpatën për gjë tjetër nuk e kemi përdorur, vërtet bukuria e vajzave shqiptare iu bie në sy të gjithë të huajve, por të huajt nuk e fshehin çmeritjen as për sjelljen tmerrësisht brutale të burrave shqiptarë ndaj grave dhe vajzave të tyre. Adaptimi i natyrës në një mjedis të jetueshëm për një popull dhe kujdesi për monumentet e së kaluarës janë dy kuptimet themelore që Hannah Arendt i jep kulturës, por qoftë kjo studiuese gjeniale e sistemeve totalitare, qoftë edhe Ciceroni, i cili e përdori i pari fjalën kulturë për çështjet e shpirtit njerëzor, do të rrotulloheshin në varr nga sëkëlldia sikur të ndjenin kutërbimin e kufomës së dekompozuar të kulturës sonë, e cila në fund të shekullit XX, pjell të atillë njerëz që, sa për të përmendur njërin nga qindra shembujt lapidarë të mjerimit shpirtëror, venë e shkulin edhe pllakat e mermerta të varreve për të shtruar haletë!

Humanizmi është rezultat i shpirtit të kulturës, i aftësisë për t’u kujdesur, për të ruajtur, për të admiruar gjërat e mira të kësaj bote. Dhe ne duhet të kujtohemi më parë se për romakët një person i kultivuar është dikush që di të zgjedhë shokët e tij, mendimet dhe gjërat, në të tashmen ashtu si edhe nga e kaluara, për të kuptuar paskëtaj se në këto kushte, kur shumë për të zgjedhur, në të tashmen apo edhe në të kaluarën, nuk ka, të rinjtë e Shqipërisë nuk mund të bëjnë tjetër përveçse të ëndërrojnë braktisjen e atdheut të imponuar, e atdheut që i ka rrënjët në tokë e vetëm në tokë, në një tokë me një peizazh që po degradohet dita-ditës e pa shumë monumente me vlerë, në një tokë që kutërbon gjak e barut e që gjer më sot në vend të bukës ka pjellë vetëm andralla të panumërta për të gjithë ata që guxuan ta shohin si terren ku mund të hidhej ndonjë farë e mirë, në një tokë që është kthyer në një stacion sfilitës tranziti për të gjithë ata që duan të fluturojnë në qiellin e paanë të ëndrrave.

Shihini gjashtëmbëdhjetë, njëzetë, njëzetepesëvjeçarët. A nuk është rrëqethëse indiferenca e tyre ndaj Shqipërisë dhe ndaj çdo gjëje që vjen mirëfilli erë Shqipëri, duke filluar nga malet e lartë dhe lisat e gjatë e deri te mizat me origjinë shqiptare. Dhe si mund të jetë ndryshe, përderisa jeta e tyre brenda kufijve të atij që quhet me zor atdhe është një jetë në pritje të një vize apo të një gomoneje që të hedh matanë këtyre kufijve, një jetë në kufijtë e dëshpërimit, një hapësirë ku shpresa gërryhet përditë si kufomë nga krimbat e korrupsionit dhe të mediokritetit, një kohë që vritet pa mëshirë në mjegullën e iluzioneve tunduese të marijuanës a të heroinës.

Atdheun e bëjnë njerëzit dhe gjurmët që ata lënë pas vetes e jo bregoret bukuroshe apo lumenjtë e kulluar, ato, siç e thashë kryekreje, i kemi dhuratë nga Perëndia. Dhe, për më tepër, ato mund t’i gjesh kudo, në çdo cep të globit. Unë nuk besoj tek përralla e Shqipërisë tokë e mallkuar, por nuk mund të bëj sikur jam në ëndërr kur e shoh gjendjen të shqyejë copa nga atdheu i fëmijëve e t’i kapërdijë me një makutëri të llahtarshme në barkun e pangishëm. Fatkeqësisht, ekzekutimi me epsh kriminal i kësaj makutërie që s’njeh masë e kufi ka qenë e vazhdon të mbetet sinonim i zotësisë dhe suksesit në realitetin shqiptar. E për këtë nuk mjafton të marrësh pendën e të shkruash të kundërtën, duhet më parë të kesh sy në ballë për të parë Shqipërinë e grirë dhe bërë zhele nga format më virulente të barbarisë feudale, komuniste, e tani vonë edhe kapitaliste.

Ja pse kush ka mbetur ende i gjallë shpirtërisht duhet ta presë pa ngurrim kërthizën që e lidh pahiri me atë bark fatkeqësish, i cili riciklohet sipas rrethanave politike për të gjeneruar vetëm egoizëm shtazarak dhe parazitizëm paralizues, ja pse në vend që t’i rikthehemi ritualeve të kota të respektit për gjoja vlerat e traditës dhe hosanarave për gjallesat mediokre të kësaj tradite, ka ardhur koha të marrim përsipër sfidën e rithemelimit të atdheut sipas atyre principeve të humanizmit që e kthejnë lirinë nga një gjendje e egër, e cila në çdo çast mund të gjenerojë të keqen duke degraduar në diktaturë, në një hapësirë të organizuar produktive që i ndih paqes dhe solidaritetit mes njerëzve. “Nëse një ditë bashkëqytetarët tanë do të çinteresohen për çështjet publike, unë, Kongresi dhe Asambletë, Gjykatësit dhe Guvernatorët, do të bëhemi të gjithë ujq”, ka thënë Jefferson-i.

Duke na qenë e pamundur të mos i besojmë fjalët e profetit të demokracisë amerikane, ashtu siç na është e pamundur të gjejmë një çast të vetëm në historinë tonë ku çinteresimi katërcipëror i bashkëqytetarëve dhe transformimi i politikanëve në ujq nuk ka ndodhur, s’na mbetet tjetër veçse të vëmë gishtin në plagë, drejt e në plagë, dhe duke duruar dhimbjet të provojmë të dalim nga lëkura e infektuar e vlerave surrogato të traditës sonë, nga getoja kulturore ku vegjetojmë duke u metamorfozuar sipas kodeve të kulturës antihumane që kemi krijuar e duke iu përshtatur si kameleonë ndryshimeve të peizazhit politik. Kameleonizmi ynë skandaloz, natyrë e dytë e klasës intelektuale shqiptare, ka bërë që tek ne, të zezës t’i thuhet e bardhë, baltës t’i thuhet mjaltë, injorantit t’i thuhet atdhetar, kriminelit t’i thuhet i fortë, horrit t’i thuhet zotni, gënjeshtarit t’i thuhet garip, spurdhjakut t’i thuhet pishtar, gomarit t’i thuhet intelektual, e kështu pafundësisht. Dhe, të mos harrojmë, këtë natyrën tonë kameleonike nuk e kemi peshqesh nga komunizmi.

Komunizmi na gjeti kameleonë dhe na la kameleonë, e falë kameleonizmit tonë ia doli të zhvillojë triumfalisht betejën e vet gjakatare që në pesëdhjetë vjet e shndërroi Shqipërinë nga një qenie Anormale në një qenie Mbinormale. Por, së paku tani, që jemi gjithsesi të lirë e që, të paktën për momentin, nuk na duhet të përballemi me një shtet përbindësh, është koha të dalim nga lëkura e kameleonit dhe të hapim një betejë të madhe qytetare me krejt atë Frymë Djallëzore që sundon në kulturën tonë e që kushtëzon çdo lloj politike, me frymën që pervertoi Dhjetorin dhe që në katër-pesë vjet e ringriti nga e para, bile në kushte lirie, atë Piramidë të Djallit prej nga kujtuam se e kishim nxjerrë njëherë e përgjithmonë mumien e shpirtit tonë, me frymën që nuk del duke ngritur e rrëzuar qeveri, por duke e ngulur thikën pa mëshirë në pjesët e kalbëta të vetvetes. Kjo frymë është fryma që na ngroh kur bëhemi pronarë të një trualli shpirtëror a material që nuk është i yni, është fryma që bën mirë për llogari të së Keqes, është fryma që na bëri ushtarë të radhitur sup me sup pas një gjenerali xhahil dhe më pas pacientë që e kërkonin shpëtimin nga një doktor i marrë, kjo frymë jemi Ne.

Ka kohë që ka ardhur koha për të dalë nga këmisha tradicionale e forcës ku na mban cung forca e zakonit, ka kohë që ka ardhur koha për të dalë nga vezorja e mëndafshtë e vemjes së vetmuar por krenare, ka kohë që ka ardhur koha për të mos ngrënë baltë në vend të mjaltës, por ende nuk po shihen gjëkundi shenjat e lindjes së një mendimi të ri në funksion të një kulture të re, të hapur e humaniste, një mendimi që ta gjejë frymëzimin te virtytet e lashta të kulturës së kontinentit ku duam të integrohemi e jo tek vese te trashëguara të kulturës mizerabël të izolimit e të vetëpëlqimit që kemi prodhuar në shekuj, një mendimi që t’i bëhet mur mediokritetit dhe përçudnimit të përditshëm të mendjes e të shpirtit shqiptar.

Marr në telefon prindërit e mi për t’i pyetur se si ishte gjendja në Tiranë dhe, teksa nëna ime më thoshte se situata ishte e qetë, matanë fillit telefonik dëgjoja batare pushkësh. Qenka çmendur ime më, mendova vet me vete, aty kërcet pushka kurse asaj nuk i bën përshtypje dhe nuk durova e ia thashë. “Jo mor bir”, m’u përgjigj e gjora nënë, “nuk ka krisma është televizori. Jepet filmi “Besa e Kuqe”! A mund të më thoni se kush tjetër përpos Frymës Djallëzore për të cilën sapo fola mund të imagjinojë e bile të bëjë realitet shfaqjen e filmave të prodhuar nga regjimi i Gjeneralit Hoxha për të ngritur mitin e enverizmit? A nuk është e frikshme që në këtë boshllëk të paanë shpirtëror shqiptarëve u ofrohet avazi i vjetër i batareve të Realizmit Socialist? A do t’i vihet njëherë e mirë pikë kësaj demagogjie të neveritshme me Luftën e Dytë Botërore, me dëshmorët dhe viktimat e saj? A mund të shpresojmë se një ditë do të ndahet përfundimisht, njëherë e përgjithmonë, rezistenca e admirueshme e shqiptarëve në krahun antifashist të kësaj lufte me pasqyrimin grotesk të rezistencës së tyre në librat e historisë e në veprat vulgare të Realizmit Socialist, vepra pa kurrfarë vlere shpirtërore, morale, historike e aq më pak artistike? Dhe tani një pyetje për zotërinjtë që deri dje ishin në opozitë dhe me të drejtë ngrinin zërin kundër abuzimeve politike me zhvarrim-rivarrimet e protagonistëve të vrarë gjatë asaj lufte:

A nuk ju duket zotërinj të nderuar se ngritja nga varri e protagonistëve të filmave të Gjeneralit është ana tjetër e së njëjtës medalje dhe se një aventurë e tillë, qorre dhe e pakuptimtë për kohën që jetojmë, është shprehje e një strategjie të rrezikshme që në emër të respektit për gjoja vlerat e së kaluarës, po e kthen nga e para Shqipërinë në terren midis të vdekurve? Sot në Televizionin Shqiptar nuk ka terr informativ të qëllimtë, por nuk ka as ndonjë përpjekje serioze për të dalë nga errësira e getos kulturore, përkundrazi, duke shfaqur filma kryekëput të kotë që jo rrallë mbarojnë me britmën “Rroftë partia” apo duke vrarë kohën me ahengje të muzikës popullore, kjo errësirë inkurajon forcat më reaksionare të shoqërisë dhe dekurajon ato forca që tentojnë kah përparimi.

Hyrja jonë politike në Evropë është një çështje që varet përsëpari nga aderimi ynë në programin e kulturës evropiane, nga ura që ne do të ngremë për të shkëmbyer prodhimin kulturor, nga ajo çka do të jemi në gjendje të thithim e përvetësojmë prej vlerave universale të krijuara nga Kontinenti i Vjetër dhe nga ajo çka dalëngadalë do të ofrojmë si provë bindëse përkatësie në raport me të. Ata që sot kanë ardhur në pushtet duhet ta mbajnë parasysh ditë-natë Kryengritjen e Jugut, sepse nëse Lëvizja e Dhjetorit vrau frikën, Kryengritja e Jugut e varrosi atë. Tek këdo që e ka varrosur frikën çdo formë e riciklimit të së kaluarës ngjall dalëngadalë neverinë e kufizimit të lirisë dhe ngushtimit të horizontit të së ardhmes.

Nënvleftësimi i kësaj të vërtete i kushtoi shtrenjtë të rrëzuarve prej asaj kryengritjeje, por mund t’i kushtojë edhe më shtrenjtë atyre që kryengritja solli në pushtet. Që të ndodhë më e mira, ne mund e duhet t’i kthejmë sytë mbrapa vetëm për të parë me kujdes se çfarë gabimesh nuk duhet të përsërisim në të ardhmen. Pa krijuar bindjen se asgjë nga ato që kemi bërë në të kaluarën e afërt e të largët nuk mund të na vlejë më për model në qoftë se nuk duam t’i hapim përsëri vetes një gropë të re, ne nuk mundet kurrsesi të pretendojmë të hipim në trenin e shekullit ku jetojmë dhe të cilit, të paktën sipas kalendarit, i përkasim.

Nëse duam vërtet ta ndërrojmë statusin e një bashkësie primitive në mes të Evropës me atë të një shteti anëtar të familjes së popujve të saj, duhet të punojmë ditë-natë për një model të ri, i cili mund të ngrihet vetëm mbi virtytet e kulturës evropiane e jo mbi tiparet e Realizmit Socialist. Ose lakuriq dhe drejt Evropës për një jetë të re ose në geto mbështjellë me gunën e Mato Grudës për një makth të ri, të dyja bashkë nuk rrinë dot, ndërkohë që një shekull tjetër po troket në derë e më duket se është koha që t’i lemë pleqtë e Realizmit Socialist në shenjtërinë e tyre.

*Botuar më 10 dhjetor 1997, në Koha Jonë

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • tirane: 14/02/2021 14:59

    Ju jeni me te vertete nje Zotni intelektual .

    Përgjigju
  • Tedi: 14/02/2021 06:16

    Me ne fund. Te pakten pati kuraje dhe na tregoi se ne cfare sistemi jetojme. Titulli i ketij shkrimi eshte nje autoportret i sakte i Rames per Edin dhe organizaten e tij.

    Përgjigju
  • blerim li. bir i popullit: 13/02/2021 22:50

    z.Rama kuptoj qe ne rreshtat qe ke shkruajtur ke bere shume sakt anatomine e kombit te quajtur Shqiptar me te mirat dhe te keqiat e tij ne shekuj...por gjithashtu kuptoj dhe mendoj qe te ardhmen e tij e ke Ti ne dore 100%. kjo sepse ajo mender opozite eshte ineksistente dhe Ti kete e di mire, por do te lutem shume mos degjo ata b.lepires qe ke rrotull qe te shikojne si vete Mesia ne kete toke dhe te lajne e lyejne me lajka e miklime, por hidhi syte,mendo,dhe vepro per kete te uruar fukara popull se e ke edhe per detyre, edhe pse e di qe ke bere me shume se para ardhesit e tu te marre se bashku,sepse pushteti eshte dhe pergjegjesi,dhe ne qofte se nuk ben asgje ose aq sa duhet dhe vetkenaqesh ose te dalin ment siper kokes si themi Ne,populli,do te dale dikush pa tjeter si ti dhe do te beje te njejten anatomi te kohes tende dhe aty do ta kuptoj dhe ai qe nuk sheh e degjon nese je per tu perjetuar ne bust apo per tu hedhur ne koshin e kalbesirave sic e kemi bere per shume te tjere.e ke vete ne dore per secilin opsipn..duke pare se ke ke perballe suksese per mandatin e trete..dhe mbase te katrin,por mba mend keshillat e ketij populli te vuajtur por jo budalla

    Përgjigju
  • Shefqet Maliqi: 13/02/2021 20:54

    He mo Edi, na kujtove ne "miqte"? Mos po vijne gje zgjedhjet? A po tamam po vijne....vertet me cudit.....vellacko 200 miliona i ka te deklaruara ne Amerike..imagjino sa keni te padeklaruara...nuk te kuptoj pse e zgjat....do me thuash kur nje i palare nuk i mjaftuan 100.000 dollaret e pare, as 1 milionshi i pare...as 10 as 100 e pse te ndalosh tani....mire ben o Edo..mire ben po lere c`themi ne. Vazhdo se ky popull keto meriton. Vazhdo e te lumte!

    Përgjigju
  • Mondi: 13/02/2021 18:23

    Nga idealizmi yt ska mbetur me gje 8 vjet dhe nuk e ndryshove realitetin shqiptar por te pelqeu. Ska me mire se nje opozite mediokrre dhe nje popull I dehur me raki te keqe

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë