Emmanuel Ernest nuk është më pjesë e KF Tiranës në Superligë. Sulmuesi 25-vjeçar u rikthye me bardheblutë gjatë janarit të këtij viti, por aventura e tij e dytë nuk zgjati më shumë se 60 ditë.

Mësohet se klima në klubin më të titulluar në vend është e tensionuar, ndërsa futbollisti nuk kishte dëshirë të luante në ndeshjen e humbur kundër AF Elbasanit. Ernest ishte i mërzitur që nuk u aktivizua si titullar në këtë takim dhe kjo krijoi një situatë jo normale.

Për të shmangur një problem më të madh dhe për të ruajtur atmosferën brenda skuadrës, lojtari dhe drejtuesit e klubit vendosën që rrugët e tyre të ndaheshin në mënyrë të qetë dhe me marrëveshje të përbashkët.

"Shumë faleminderit KF Tirana. Ne kemi vendosur bashkarisht që më e mira për të dyja palët është të ndajmë rrugët. Tani jam një lojtar i lirë. Falenderoj fansat dhe shokët e klubit për gjithçka. Ju uroj më të mirat për pjesën e mbetur të sezonit dhe ecni përpara", shkruan Ernest.

Sulmuesi nga Liberia u bashkua për herë të parë me bardheblutë më 3 janar 2025 nga FC Aarau e Zvicrës, duke bërë mirë në Superligë. Forma e tij solli edhe ofertën e USM Alger në Algjeri, ndërsa KF Tirana përfitoi 500 mijë euro nga shitja e Ernest në verën e vitit të shkuar. Rikthimi i dytë duket se ishte i ftohtë për palët, teksa lamtumira ka qenë zgjidhje më e mirë.

Me 21 pikë pas 27 ndeshjeve të luajtura, KF Tirana mbetet në vendin e fundit të Superligës, por si të mos mjaftonte situata kritike sportive, klubi më i titulluar në vend ka edhe tension në dhomat e zhveshjes.