KF Vllaznia kërkesë Këshillit Bashkiak: Tribunat e 'Loro Boriçit' të emërtohen me emrat e 4 legjendave shkodrane të futbollit! Mbështetet nga Benet Beci
Klubi i Futbollit Vllaznia i është drejtuar me një shkresë Këshillit Bashkiak të Shkodrës që tribunat e stadiumit "Loro Boriçi" të emërtohen me emrat e katër legjendave që kanë shkruar historinë me fanellën kuqeblu.
SHKODËR - Klubi i Futbollit Vllaznia i është drejtuar me një shkresë Këshillit Bashkiak të Shkodrës që tribunat e stadiumit "Loro Boriçi" të emërtohen me emrat e katër legjendave që kanë shkruar historinë me fanellën kuqeblu.
Konkretisht emrat e Ramazan Rragamit, Paulin Ndojës, Medin Zhegës dhe Sabah Bizit. Bëhet fjalë për tribunën VIP, atë A, B dhe D. Në shkresën e saj, Vllaznia kërkon që për të shmangur keqkuptimet zgjedhja e tribunave me shkronjat të jetë rastësore. Një propozim i tillë është mbështetur edhe nga kryebashkiaku Benet Beci.
"Sot Klubi i Futbollit Vllaznia i është drejtuar me një shkresë zyrtare Këshillit Bashkiak Shkodër me një kërkesë për emërtimin e katër tribunave të stadiumit "Loro Boriçi" me emrat e katër figurave të mëdha të futbollit shkodran e shqiptar e konkretisht Ramazan Rragamit, Paulin Ndojës, Medin Zhegës dhe Sabah Bizit.
Një kërkesë kjo si vlerësim për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë prej tyre për klubin tonë dhe futbollin shqiptar në tërësi", thuhet në reagimin e Vllaznisë.
Kjo lëvizje e klubit shkodran vjen pak ditë pasi Sabah Bizi u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare.
Emrat e legjendave në tribunat e 'Loro Boriçit', Benet Beci: Ky propozim ka mbështetjen time
Kreu i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ka mbështetur idenë që katër nga tribunat e stadiumit "Loro Boriçi" të emërtohen me katër nga figurat që i kanë dhënë shumë futbollit shkodran.
"Emblemat nuk vdesin asnjëherë. Ato janë simboli i Shkodrës! Propozimi i Klubit të Futbollit Vllaznia dhe i tifozëve të shumtë shkodranë, jo vetëm që ka mbështetjen time personale, por besoj të të gjithë Shkodrës që këta emra të mëdhenj të futbollit shkodran dhe atij shqiptar të jetësohen në tribunat e stadiumit “Loro Boriçi”. Sabah Bizi, Medin Zhega, Ramazan Rragami dhe Paulin Ndoja janë emra që i bëjnë nder sportit dhe Shkodrës", shkruan Beci.
Pritet që me miratimin e Këshillit Bashkiak, tribuna VIP, ato A, B dhe D të marrin emrat Sabah Bizi, Medin Zhega, Ramazan Rragami dhe Paulin Ndoja. Gjithçka vjen pas propozimit të KF Vllaznisë.
Me shtimin e legjendave,nga tribunat do te kalohet ne shkallare!
Përgjigju