PRISHTINË, 5 Dhjetor /ATSH-B.Jashari/- Në Shtabin e Përgjithshëm të NATO KFOR-it, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Francesco Paolo Figliuolo, u takua sot me ambasadorin e Kroacisë në Prishtinë, Zoran Vodopija. Gjatë takimit u theksua se aktualisht në tërë Kosovën janë të vendosur rreth 40 trupa kroate. Pjesëtarët që shërbejnë në Forcat e Armatosura kroate janë pozicionuar kryesisht në kampin "Bondsteel" në Ferizaj, me një njësi të helikopterëve. Ushtarët e tjerë kroatë janë pjesë e stafit të Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it, në kampin "Kosovafilm".
Ambasadori tha se Njësia e Helikopterëve kroatë do të vazhdojë të mbështesë KFOR-in edhe kur të jetë krijuar Baza e Helikopterëve, e cila parashikohet të jetë në afërsi të Aeroportit të Sllatinës.Gjenerali Figliuolo dhe ambasadori Vodopoja diskutuan shumë tema që ndërlidheshin me situatën e përgjithshme të sigurisë dhe me zhvillimet aktuale në këtë rajon.
"Takimi ishte një mundësi për gjeneralin Figliuolo që të shprehë mirënjohjen e tij te ambasadori për efektshmërinë e kontributit kroat në ofrimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurtë dhe liri të lëvizjes në Kosovës sipas Rezolutës së OKB-së 1244", thekson njoftimi i dërguar nga KFOR.
Gjatë këtij takimi, gjenerali Figliuolo dhe ambasadori Vodopoja gjithashtu vunë në pah rëndësinë e kontributit të KFOR-it si reagues i tretë në mbështetje të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe të gjitha organizatave vendore dhe ndërkombëtare./m.m/