Duke iu përgjigjur kërkesës së ministrit për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të hetojnë nëse në Kosovë ekzistojnë grupe të armatosura të shqiptarëve, zyrtari për informim i KFOR-it, Mark Stimler, i ka thënë agjencive serbe, se KFOR-i nuk ka marrë kurrfarë kërkese që të bëjë ndonjë hetim të veçantë lidhur me personat e armatosur në veri. 

"Nuk kemi parë persona të armatosur, dhe është detyrë parësore e policisë, por kur ne takojmë persona që posedojnë armë, për të cilat nuk kanë leje, ne ua konfiskojmë ato”, ka thënë Stimler.

Bogdanovic dje kishte kërkuarar nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që urgjentisht të hetojnë nëse në veri të Kosovës ekzistojnë grupe ekstremiste të armatosura dhe nëse ekzistojnë ato të çarmatosen.

Ndërsa zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë se varet nga prokurori publik nëse do të iniciohen hetime lidhur me ekzistimin e grupe të armatosura në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se pamjet e publikuara janë xhirime të një stacioni televiziv shqiptar "Top Channel" dhe autenticitetin e të cilave duhet verifikuar nëse janë bërë në veri të Kosovës.

Me ekzistimin e këtij video materiali janë të njoftuar KFOR-i dhe EULEX-i, me të cilat policia bashkëpunon ngushtë dhe duhet të verifikohet autenticiteti i atyre pamjeve, në të cilat paraqiten qytetarë të armatosur.

/rg/shqiptarja.com/