Nëse dikur lufta ishte një realitet i largët, i mbyllur mes faqeve të librave të historisë dhe rrëfimeve të gjyshërve, sot ajo ka marrë forma që askush nuk i kishte parashikuar. Viti 2026 na gjen më të vetëdijshëm se kurrë: lufta nuk është vetëm ajo me armë. Ajo është shumëdimensionale, e heshtur dhe shpesh e padukshme.

Ne kemi përjetuar një luftë globale me pandeminë, ku armiku nuk kishte fytyrë dhe kufijtë u bënë të pavlefshëm. Më pas, një tjetër betejë u zhvillua në hapësirën virtuale, një luftë informacioni, ndikimi dhe kontrolli përmes inteligjencës artificiale dhe teknologjisë. Dhe ndërkohë, në disa pjesë të botës, lufta klasike me armë vazhdon të marrë jetë dhe të shkatërrojë komunitete.

Çfarë na mëson e gjithë kjo?

Na mëson se siguria nuk është më një koncept abstrakt. Nuk është vetëm një politikë shtetërore apo një marrëveshje ndërkombëtare. Siguria fillon aty ku ndihesh i që i përket një vendi, pranë njerëzve të tu, pranë familjes, pranë rrënjëve të tua. Në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme, vendi yt merr një kuptim të ri: ai bëhet streha më e afërt, më reale dhe më e prekshme.

Për Shqipërinë, kjo është një thirrje reflektimi. Për dekada me radhë, emigrimi ka qenë një rrugë shpëtimi, një kërkim për mundësi më të mira dhe një mënyrë për të ndërtuar një jetë më të sigurt. Por sot, përballë një bote që ndryshon me ritme të shpejta dhe shpesh të pasigurta, lind një pyetje thelbësore: a është koha të kthejmë sytë nga vendi ynë?

Kjo nuk është thjesht një thirrje emocionale. Është një mundësi reale.

Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme të pashfrytëzuara, veçanërisht në zonat rurale dhe malore. Fshatrat e braktisur, shtëpitë e mbyllura dhe rrugicat e heshtura nuk janë vetëm dëshmi e një të shkuare që po zbehet, por edhe një thirrje për rikthim. Ato presin, në mënyrën e tyre të qetë, hapat e atyre që dikur u larguan.

Nisma si “Paketa e Maleve” janë një sinjal i qartë se ka një vullnet për të ringjallur këto zona. Përtej çdo interpretimi politik apo institucional, ideja qëndron, t’i japim jetë territoreve që kanë mbetur në harresë. Të rikthejmë ekonominë aty ku ajo dikur ka ekzistuar në mënyrë natyrale dhe organike.

Një investim në një fshat të vogël nuk është thjesht një përfitim individual. Ai krijon një efekt zinxhir: hap vende pune, gjallëron tregtinë lokale, rrit kërkesën për shërbime dhe rikthen dinamikën sociale. Një shtëpi e rindërtuar, një bujtinë e hapur, një tokë e punuar, të gjitha këto janë hallka të një ekonomie që mund të rilindë nga poshtë-lart.

Mbi të gjitha, është një rikthim i identitetit.

Sepse në fund të ditës, përtej krizave globale dhe pasigurive të kohës, ajo që mbetet është lidhja me vendin tënd. Dhe ndoshta kjo periudhë që po jetojmë, me gjithë sfidat e saj, është një kujtesë e fortë: nuk mund të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme pa u kthyer te rrënjët tona.

Koha për të kthyer sytë nga vendi ynë nuk është thjesht një slogan. Është një nevojë. Një mundësi. Dhe për shumëkënd, mund të jetë edhe një fillim i ri.