Kjo psikozë (ky rrezik i mundshëm) na bën të paarsyeshëm, të paaftë, pasionantë, ndonjëherë edhe të rrezikshëm. Uria nuk të bën vetëm skeptik, por edhe të lig, pa shkak. Uria të detyron të mos i zësh besë askujt e të kërkosh të rrëzosh atë që përparon më shumë se ty. Në këto kushte është tejet e vështirë të aplikohet një politikë e mençur, të gjendet një qeveri e udhëheqës i besueshëm. A nuk po dëgjojmë nën zë mjaft njerëz që thonë: Pse nuk na merr një fuqi e huaj? Edhe marrëdhëniet individ-parti, parti-shtet, parti-shtyp, parti-opinion publik, më ngjan se në jo pak raste vazhdojnë të jenë sipas mendësisë së vjetër; sepse ato së shumti janë të ndërtuara, jo mbi ideale të qëndrueshme kombëtare, por mbi përfitimin e vockël material (një vend pune, rrugë jashtë shtetit, karrierë, dollarë etj.). Korrupsioni po e gërryen këtë shoqëri me një shpejtësi prej orteku.
Sidoqoftë, shtypi, i cili ka edhe shkrepësen për t’i vënë zjarrin fuçisë së benzinës, edhe makinën e zjarrfikësit, edhe çelësin magjik për të krijuar klimën e vërtetë për daljen nga kriza dhe udhëkryqi – duket, se ende s’e ka gjetur atë gjuhë që do të sjellë pajtimin e vërtetë kombëtar dhe sqarimin e dilemave bazë historike, sociale, ekonomike e politike, në të cilat kemi rënë edhe individualisht edhe kolektivisht. Vetë fakti që Parlamenti nuk po nxjerr ligjin për shtypin, i cili do të sanksiononte me ligj gjuhën demokratike e të pavarur të fjalës së lirë, pra, duhej të ishte ndoshta i pari ligj i miratuar, është një dëshmi se interesat partiake veprojnë (ose dyluftojnë) mbi Parlamentin e sotëm. Mbi shtypin dhe sidomos mbi Radiotelevizionin nuk kanë pse veprojnë ose trysnojnë partitë, madje, as parlamenti, i cili, edhe pse është organ i lartë dhe i zgjedhur, është i përkohshëm dhe aspak i përjetshëm.
Mbi shtypin dhe mbi mjetet e tij e në këtë kuadër edhe mbi Radiotelevizionin e tërë mendimin shqiptar duhet të vendosë vetëm dhe vetëm ligji demokratik. Shtypi duhet të njohë tash e tutje vetëm një autoritet: autoritetin e ligjit. Një zyrë shtypi në KQ të PP-së, nuk ka pse zëvendësohet me një zyrë tjetër në Parlament, edhe sikur kjo “zyrë” ose ky komision të jetë “pluralist”. Një shumësi monizmash, nuk lejon vendosjen e demokracisë së vërtetë dhe pluralizmin e pacenueshëm të mendimeve. Intoleranca më ngjan se ende filtron, flirton dhe gjallon në shtypin tonë. Puna shkon deri atje sa mund të të sulmojnë pa shkak edhe djalin apo stërgjyshin e djalit (nga nëna e tij), vetëm pse në artikullin tënd, dikujt, diçka nuk i ka pëlqyer... Dhe, pas një terrorizmi të vërtetë mbi intelektualët, zëmë e ankohemi: pse nuk po prononcohen intelektualët?!
4. Kush po i bën atentat kulturës kombëtare?
Nuk dihet ç’do të bëhet me organet dhe institucionet e kulturës kombëtare. Askush nuk çan kokën për to. As parlamenti, as Lidhja e Shkrimtarëve, as Ministria e Kulturës. Rrezik të vijë në fund të dhjetorit një urdhër: s’ka fonde, të mbyllen! Por vendi ka vetëm një revistë të kulturës e artit shqiptar, e kjo është revista jonë. Kush do të marrë përgjegjësinë të mbyllë një revistë të tillë në një kohë kur jepen licenca dhe letër për lloj-lloj organesh që nuk kanë për mision përkrahjen, botimin, lëvrimin dhe përhapjen e kulturës e artit kombëtar? Ne jemi vend i vogël dhe po qe se kultura shqiptare, për shkak të ... dreqi e di se çfarë shkaku! – rrezikohet të bjerë në minoritet, për të mos thënë të shuhet e venitet, përgjegjësinë historike le ta mbajnë ata zyrtaro-intelektualë që drejtojnë sot e që çdo natë përbetohen në shtyp e në ekranin e televizionit për Kombin e për Kulturën!
Këta drejtues le të mësojnë nga parahistoria e atyre që zotëruan këtë vend për pesëdhjetë vjet! Asgjë nuk harrohet! Gjithçka, sidomos në fushën e mendjes, është e destinuar të jetë publike e t’i nënshtrohet gjykimit të opinionit. Në mos sot, nesër! Postdiktatura po e jep e po e kërkon me zell të madh gjyqin e pushtetmbajtësve të djeshëm, demokracia do ta bëjë këtë gjyq me mjete të tjera, “më të buta”, por më shkencore. Pra, gjyqi historik do të jetë më i drejtë, e, rrjedhimisht, edhe më i ashpër!
Iku ajo kohë kur intelektuali bëhej i shquar vetëm kur e citonte udhëheqësi, ose kur Ai, në ndonjë takim publik, i jepte dorën ose i thoshte një fjalë në vesh... Kam frikë se nga kjo psikologji ende nuk jemi çliruar plotësisht; intelektualët e paanshëm, jashtë partiakë, vazhdohet të gjykohen sipas sistemit vlerësues diktatorial: o me mua, o kundër meje. Instrumentalizimi i intelektualëve, i mendjes, i shtypit në përgjithësi, për qëllime partiake, në postdiktaturë është jo vetëm dukuri e rrezikshme, por edhe akt antidemokratik.
Intelektualët e vërtetë nuk kanë nevojë për partitë politike, partitë kanë nevojë të thithin intelektualët... Instrumentalizimi i inteligjencies dhe polarizimi mes intelektualëve duket sikur e bën më të flaktë, më spektakolare e më interesante luftën partiake, por në kushtet e vendit tonë (të vogël e të mjerë) druaj se ky polarizim do të shkojë ndesh me interesin kombëtar.
Në vend që mësimet duhet të ishin nxjerrë gjatë këtij viti tepër dinamik, për çudi, vihet re se as servilizmi, as psikologjia e klanit, as uniteti i përkohshëm që krijon krahinorizmi, as simpatitë e shërbimit reciprok (më jep të të jap) nuk po çlirojnë botën tonë intelektuale. Për fat të keq, këto sëmundje epidemike të diktaturës vazhdojnë të kenë një rreze veprimi (infektimi) në mjaft rrethe intelektualësh, ndoshta edhe partiake, edhe sot e kësaj dite.
5. Vaporin që po mbytet po e braktisin të parët kapitenët
opinioni publik ka filluar tashmë të presë, të pyesë e të kërkojë nga partitë e sidomos nga shtypi: ku është lufta e programeve, e alternativave që duhet të zgjedhim, e platformave, e zgjidhjeve të nyjës “gordiane”, e dilemës dhe e ankthit që përmblidhet në pyetjet: Ç’duhet të bëjmë tash? Ku po vemi? Ku është e si do të jetë perspektiva jonë? Mund të kem gabim, por partitë politike nuk po e stimulojnë këtë klimë të favorshme që intelektualët të japin ndihmesën e tyre për zgjidhjen e ankthit kombëtar... Ndoshta, sepse epidemia e klanit dhe tendencat për t’u korruptuar nuk po gjejnë dot asnjë profilaksi ligjore për ta shpëtuar njeriun shqiptar nga kolera e korruptimit.
Flitet pra, me zell të madh kundër së kaluarës, gabimeve të saj. As që mund të dyshohet se pa gjyqin e së kaluarës dhe fajtorëve (autorëve të saj), nuk mund të shtrohet autostrada që do të na lidhë me Evropën. Po dalin talente të pazbuluara gazetarësh, veçse të kaluarën askush nuk po e mbron dot më. Ajo ka mbetur jetime, pa autorë. Mirë apo keq? Askush nuk po del të justifikohet për gabimet, të metat dhe anomalitë historike të saj. Të gjithë nxitojnë të shkëputen prej saj, të distancohen, “të lajnë duart”, ta hedhin kufomën e saj nëpër dyer të të tjerëve... Vaporin që po mbytet e kanë braktisur të parët kapitenët e pastaj pasagjerët. Askush s’po e pranon kufomën: dje. Ndërsa po ndodh që në këtë vapë politike, ajo, duke u fundosur, mbyt jo kapitenët, por pasagjerët; duke u qelbur çdo ditë e më tepër, e djeshmja po ndot atmosferën. Shumë bukur! Por e kaluara ka pasur një nomenklaturë të tërë, ka pasur shtyllat e saj, hierarkinë dhe piramidën e saj; ushtarët, oficerët, gjeneralët, profesorët dhe akademikët e saj, të cilët le të bëjnë aktin e fundit të ndershmërisë: të formojnë kortezhin, të hapin varrin e, duke qarë ose duke e gjykuar, le ta varrosin...
Ku janë, pra, të gjitha këto detashmente që i shihnim nëpër podiume dhe nëpër zyra hijerënda, ku aplikonin me aq zell luftën e klasave dhe politikën e kuadrit? Po qe se i gjithë ky kontingjent ka qenë “ilegal”, domethënë ka punuar nën rrogoz për të sabotuar diktaturën e për të na afruar demokracinë, atëherë bravo u qoftë! Por, a ka qenë vërtet kështu? Të zellshmit e djeshëm të diktaturës sot po bëhen demokratë të hekurt! Këta po i shohim të hipin e të zbresin avionët. Rrugët jashtë shtetit janë bërë më të kollajshme se të vesh në Shkodër e në Kavajë. Ligjërata, takime, intervista...
Paskemi pasur shumë njerëz të shquar! Në këtë kuptim, Shqipëria qenka me fat. Sa del nga shtëpia, mund të takosh një udhëheqës. Sa shkon në kafe, dëgjon se u formua një tjetër parti ose shoqatë. Sa shkon në zyrë, merr vesh se filan profesor apo kryetar shoqate në filan mbledhje ose artikull e bëri rezil sistemin monist dhe diktaturën... Habitesh: “ky personalitet” deri dje ka firmosur qindra shkresa për të dënuar njerëzit, ka bërë qindra artikuj për të “çimentuar” themelet e sistemit ose (në fushën e artit) të realizmit socialist... A ka moral kjo shoqëri dhe në cilin moral duhet ta futësh veten?
Kjo pyetje të krijon çdo ditë stres: kudo, në rrugë, në familje, në kafe, në zyrë, në shtrat, kur mbetesh vetëm... Sidoqoftë, “demagogët” përparojnë... Ata janë njerëz të ditës dhe vallen, ç’është e vërteta, s’po e hedhin aq keq derisa kanë ithtarë dhe të drejtën e firmës... Këta njerëz, që me një term evropian mund t’i quash dendi (të mos themi tjetër epitet), kujtojnë gabimisht se e kaluara objektivisht ka vdekur e, si çdo i vdekur, s’mund të ringjallet dot si Krishti, ndaj nguten “të përparojnë” e të hedhin gurë mbi të, duke kujtuar se, sa më të zellshëm e fanatikë të tregohen, aq më e besueshme ngjan shpëlarja e shpirtit, e mëkateve dhe e gjynaheve të tyre. Disa të tjerë, që e njohin teorinë e ringjalljes dhe forcën dëshmuese të së kaluarës, e cila nuk vdes dot aq kollaj për shkak të marrëdhënieve të ndërsjella me të sotmen dhe të nesërmen – pra, disa të tjerë nguten të nxjerrin teorinë e kompleksit kolektiv të fajit dhe, pas kësaj, kërkojnë ligj për mbylljen 50 vjet të arkivave e dosjeve. A ka kompleks kolektiv faji dhe a duhen mbyllur (varrosur) dosjet? Kush ka faj për anijen e mbytur: kapitenët apo pasagjerët? I njëjtë qenka faji, si i kapitenit, i oficerëve, i marinarëve dhe i pasagjerëve që flinin në kabinë ose shëtisnin në kuvertë, pa ditur se ku shkonte anija?
Pajtim të vërtetë kombëtar kurrsesi nuk do të thotë që xhelati dhe viktima të ndërrojnë rolet, as të flenë në një shtrat, por të udhëtojnë së bashku në anije duke njohur njëri-tjetrin, duke marrë secili atë vend dhe atë çmim që meriton. Le të shpresojmë se ajo ditë e katarsisit do të vijë!
6. Mëkatarët e djeshëm do t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit
Shpërndarja e fajit nëpër tërë shoqërinë është një nga hiletë më të rrezikshme të diktaturës. Këtë teori të rrezikshme e nxjerrin ata njerëz që në kohën e diktaturës kanë qenë tërësisht të korruptuar e të kompromentuar e që, duke e shpërndarë baltën: pak për të gjithë, jo vetëm që i krijojnë vetes mundësinë të dalin pa lagur, po besojnë se shtrojnë udhën për një karrierë të re, ndoshta më të ndritur, kësaj here me degën e ullirit në një dorë e flamurin demokratik në tjetrën. Këta tipa të rrezikshëm janë të gatshëm të ofrojnë eksperiencën e tyre në administratë, vënë në ankand talentin, zotësinë, aftësinë oratorike, duke u bërë më të egrit ndaj sistemit të kaluar, ndaj kolegëve, ndaj ish-udhëheqësve, ndaj gjithçkaje që do të shërbejë si provë se vërtet kanë qenë, janë e do të jenë demokratë të vërtetë...
Ngaqë postdiktatura ka nevojë për dëshmi, ngaqë vetë opinioni publik është i pamësuar me një shtyp opozitar, ndodh fare lehtësisht që në këtë fazë të kenë sukses e të duartrokiten këta tipa prestigjatorë. Mirëpo kalon koha, gjakrat ftohen, njerëzit fillojnë të “ecin vertikalisht”, arena e gladiatorëve të tillë politikë del sheshit që s’është gjë tjetër veç një stadium i gjakshëm, ku mëkatarët i nxjerrin sytë njëri-tjetrit. Lufta e dëshpëruar për pushtet e këtyre aventurierëve ndizet vetëm nga tundimi makbethian e nga shpresa e kotë se do të fitojnë dhe se sovrani-popull dhe feja demokraci doemos do t’i shpallë shenjtorë, martirë.
Por ata vrasin njëri-tjetrin nga inercia e krimit politik dhe nga ngutja për të fshehur gjurmët: njëri-tjetrit do t’i nxjerrin shpejt a vonë dokumentet që kanë qenë denonciatorë, spiunë, diktatorë të vegjël, shkrues të veprave teorike e firmonjës të akteve diskredituese. E djeshmja e tyre “e lavdishme”, pas tradhtisë që i bënë këta “demokratë” nis kështu hakmarrjen e saj të pamëshirshme; diskrediton “fëmijët” e përkëdhelur të diktaturës dhe të pseudodemokracisë. Këta njerëz largohen nga skena politike e shoqërore me plagë të rënda, duke u damkosur jo vetëm me vulën e imoralitetit politik, por duke mallkuar popullin, duke e akuzuar: mosmirënjohës, i padenjë, i pazhvilluar... etj. Ky nuk është apokalips, siç e quajnë disa, por rivendosje e moralit të pastër, është ideologjia e demokracisë.
Ikja e tyre nga teatri politik nuk i ngjet ikjes së qenit të rrahur që fut bishtin ndër shalë, ul veshët e futet në një vrimë. Të mësuar me pushtet, të ushqyer me ndjenjën e udhëheqësit, bajraktarë dhe njëkohësisht kameleonë, ata presin me ankth e dëshpërim një ditë të mirë: e vetmja orë fatlume e tyre është kthimi i diktaturës. Nostalgjia për diktaturën është dëshmia kryesore se ata kanë qenë bij të saj besnikë, e, ndoshta, edhe pinjollë të pandreqshëm “historikë”, gjë që dëshmon nivelin e ulët intelektual dhe shpirtin e lindur prej skllavi.
Këta, pra, pseudodemokratët janë mbështetja më e zellshme dhe më e devotshme e një diktature të mundshme. Hakmarrja e tyre, po qe se mund të krijohen kushte të realizohet, do të jetë e kobshme, sepse në postdiktaturë ata nuk guxojnë të thonë: pse u rrëzua diktatura, por pse u rrëzua kulti i udhëheqësit, i prijësit, i idhullit, pra, edhe shembulli i tyre të cilin përpiqen ta ringjallin me maskën e tyre. Mjerë ajo shoqëri që e lë veten në duart e tyre. Prandaj postdiktatura vuan jo vetëm nga ankthi i urisë, nga trysnia e çmimeve astronomike të matrapazëve, nga paniku i kriminelëve ordinerë dhe mungesa e qetësisë sociale, por nga terrori real që ushtron ky kontingjent i konsiderueshëm dhe i rrezikshëm shoqëror, që vë mbi interesat kombëtare, mbi popullin e mbi demokracinë kultin e individit (të vetes), ose kultin e Partisë. Në këtë plan e në këtë vështrim nuk ka dallim midis komunistit dhe fashistit.
Të dy palët besojnë sinqerisht ose detyrohen nga ideologjitë e tyre të besojnë përulësisht se vetëm udhëheqësit e Partia e tyre janë garancia e vetme e kombit. Ata nuk pranojnë kurrsesi as gabimet, as fajet e udhëheqësit numër një e të Partisë së tyre. Ata nuk e quajnë veten të tradhtuar nga udhëheqësit, por nga ata që guxojnë të provokojnë gabimet e fajet e liderëve, duke dëshmuar kështu se shoqëria vërtet ka qenë e po mbetet e ndarë në klasa, por në dy klasa të tjera: të privilegjuar dhe të diskriminuar. Zbulimi në postdiktaturë i këtyre dy klasave dhe ndërgjegjësimi i opinionit publik për humnerën që ekzistuaka midis tyre janë centralet elektrike që rrisin tensionet sociale dhe që garantojnë shëndetin e demokracisë së vërtetë.
Shkrimi u publikua sot (19.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)