KiE: Ngërç në KQZ, partitë
të gjejnë pikën e reflektimit

KiE: Ngërç në KQZ, partitë<br />të gjejnë pikën e reflektimit
TIRANË – Delegacioni i Këshillit të Evropës dha sot komentet e para lidhur me situatën parazgjedhore në Shqipëri gjatë një konference për shtyp.

Përsa i përket KQZ-së, kryetari i misionit, Luca Volonte tha: "Pavarësisht nga një dispozitë e Kodit Zgjedhor se zgjedhjet mund të çertifikohen edhe nga Kolegji Zgjedhor, kjo gjë nuk është e pëlqyeshme. Ne e kemi shprehur shqetësimin tonë për situatën në KQZ; kemi diskutuar me partitë politike për këtë ngërç dhe mundësinë për t'u kthyer besimin qytetarëve tek zgjedhjet dhe ky institucion. Shpresoj që forcat politike të gjejnë një pikë reflektimi për t’i dhënë zgjidhje këtij ngërçi.

Çështja e KQZ-së është shumë e komplikuar dhe unë nuk do doja të komentoja për momentin. Ajo mbetet e hapur dhe për t’u komentuar pas zgjedhjeve.  Ne jemi këtu për t’i inkurajuar drejtuesit e forcave politike për pasjen e një administrate zgjedhore që të japë rezultate të besueshme për zgjedhjet. Ne nuk jemi këtu për të caktuar përgjegjësit, por për dhënien e zgjidhjeve të mundshme të problemit. Ne jemi të mendimit që partitë politike, klasa politike, e ka treguar në të shkuarën se ka gjetur zgjidhjen e duhur, si në rastin e miratimit të tre ligjeve.”

Pas takimeve që ka kryer me disa drejtues të qeverisë, institucionesh dhe organizatash ndërkombëtare, Volonte vuri në dukje faktin se "misionit i kanë shprehur shqetësim për disa presione që ushtrohen ndaj disa subjekteve, për mënyrën e financimit të partive politike apo nga disa gazetarë mbi detyrimin për të transmetuar materiale të përgatitura nga partitë...Gjithsesi, Komisioni i fton të gjitha forcat politike në vend të bashkojnë forcat për të rritur besimin tek zgjedhjet, ndërkohë që prova e qartë, e prekshme, është treguar kohët e fundit nga parlamenti, ku bashkëpunimi ishte i frytshëm dhe i mundëshëm.

Gjatë vizitës sonë, ne jemi takuar me Kryeministrin, kreun e Kuvendit, ministrin e Brendshëm, përfaqësues të ODIHR-it e shoqërisë civile. Delegacioni do të kthehet tre ditë para zgjedhjeve e do qëndrojë edhe një ditë pas tyre para se të përpilojë dhe të nxjerrë raportin e tij përfundimtar", - u shpreh ai.

I pyetur për incidentet elektorale, kreu i misionit tha: “Gjatë vizitës sonë ne kemi dëgjuar për një ose dy incidente, gjithashtu biseduam edhe me Kryeministrin. Në këto takime na u tha se hetimet do zhvillohen me shpejtësi me qëllim që autorët të dalin para drejtësisë dhe njëkohësisht të verifikohet nëse ato kanë lidhje me situatën parazgjedhore apo jo. Përsa i përket shprehjes "zgjedhje të lira dhe të ndershme", asnjë nga organizatat deri më sot s’ka dalë në përfundimin se zgjedhjet kanë qënë të lira dhe të ndershme, por kanë thënë që janë ose jo sipas standarteve ndërkombëtare. Shpresojmë që këto zgjedhje të arrijnë këto standarte, që janë të përsosura. Sot nuk jemi në gjendje ta themi këtë. Ne do jemi sërish këtu në takime me aktorë të rëndësishëm e do të dalim në një konkluzion të rëndësishëm.

Komentet për këtë situatë janë: Ne vërejmë se drejtuesit e forcave politike këtë radhë janë përqëndruar në programet e tyre politike, që nuk ka qënë kështu më parë dhe as në vende të tjera. Kjo është një gjë shumë e mirë e këtij procesi. Komenti tjetër politik lidhet me konstatimet tona se zgjedhjet në Shqipëri deri tani kanë qënë të paqta dhe të qeta. Ne shpresojmë që kështu të jetë në vazhdimësi. Ato pak incidente janë raste sporadike që nuk kanë ndonjë problem shumë të madh", - tha kreu i Komisionit.
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?



×

Lajmi i fundit

Disa dyshime në dashuri...çfarë thonë yjet për ju sot

Disa dyshime në dashuri...çfarë thonë yjet për ju sot