/ATSH-AFP/ - Autoritetet ukrainase njoftuan sot se një aksident ndodhi javën e kaluar në një central bërthamor në juglindje të vendit, që nuk përfaqëson asnjë kërcënim për dalje të materilait radioaktiv apo për sigurinë në rajon.

"Nuk ka asnjë kërcënim. Incidenti ndodhi në reaktorin e tretë të centralit bërthamor 'Zaporijia', brenda sistemit të prodhimit të elektricitetit. Dhe kjo nuk është e lidhur drejt për drejtë me reaktorin. Bëhet fjalë për një lidhje të shkurtër", njoftoi ministri ukrainas i Energjisë, Volodymyr Demtchichine.

Lidhja e shkurtër ndodhi të premten, duke shkaktuar shkëputje të elektricitetit në rajonet përreth.

"Nuk ka dalje të radioaktivitetit, nuk ka probleme me reaktorin. Incidenti në asnjë rast nuk dëmton reaktorin. Të gjitha përpjekjet janë përqëndruar për riparimin e tij", vazhdoi Demtchichine, që njoftoi se centrali do të punojë 100 për qind të premten e ardhshme.

Një komunikatë e publikuar në faqen e internetit të centralit njoftonte më herët se "reaktori numër 3 është mbyllur deri në datë 5 dhjetor dhe se niveli i radiokativitetit në central nuk ka ndryshuar".

Centralet bërthamore përfaqësojnë 44 për qind të prodhimit të energjisë së Ukrainës, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.