Do të jetë rrokaqielli më i lartë në botë, ku do të përdoret për ndërtimin stili i lojrave Lego, me strukturë të parafabrikuar.

Mjaftojnë tre muaj për të prekur qiellin, kaq do t’i duhen kompanisë së ndërtimit të Broad Group, për atë që do të jetë rrokaqielli më i lartë në botë.

Sky City One, do të ketë plot 220 kate (plus dy nëntokësorë) dhe do të ngrihet në periferinë e Changsha, një qytet prej 7 milion banorësh në provincën e Hunan, të Kinës Qëndrore.

Lartësia e parashikuar është 838 përballë 828 të Burj Khalifa e Dubait, e cila aktualisht mban rekord. Bëhet fjalë vetëm për 10 metra diference, por ajo çka e bën më të veçantë këtë rrokaqiell është koha e nevojshme për t’a ndërtuar. Për gjigantin e Dubait, i cili u inaugurua në vitin 2010, u deshën 72 muaj punime, ndërsa sipas projektuesve, për Sky City One do të duhen vetëm tre muaj.

Si është e mundur? Sekreti qëndron tek teknika e veçantë e ndërtimit e përdorur nga Broad Group, metodë e cila, nëse do shihej me vëmendje përngjan me atë të Legos. Këtu nuk bëhet fjalë për të përdorur tulla të ngjyrosura, por blloqe të parafabrikuara 15,6 me 3,9 metra, moduli standard i produkteve të prodhuara nga grupi “Broad Town”. Ato transportohen me kamion në vendin e ndërtimit si dhe vendosen në pozicion të mbledhura bashkë. I gjithi ky proces, ndodh në mënyrë shumë të shpejtë. Madje, sipas skeptikëve, të cilët dyshojnë thellë për këtë sipërmarrje, në mënyrë ‘tepër’ të shpejtë.

Nga ana tjetër për presidentit e kompanisë, nuk ka pikë dyshimi se do t’ia dalin mbanë: “Ne e kemi provuar teknikën tonë, këtë herë bëhet fjalë vetëm për një ndërtesë pak më të lartë,” u shpreh ai për Financial Times.

Punimet për Sky City janë planifikuar të nisin në dhjetor dhe është planifikuar të ndërtohen të paktën dy kate në ditë. Sipas parashikimeve, në pranverën e vitit të ardhshëm, rreth 30 mijë persona do të popullojnë ndërtesën, të cilët do të mund të lëvizin nëpër banesa, hotele, dyqane, restorante dhe zyra. E gjitha kjo do të bëhet e mundur edhe falë 204 ashensorëve të planifikuar. Kulla e Zhang premton mbrojtje për tërmete me përmasa deri në 9 ballë, një konsum energjie 6 herë më inferiore në raport me zyrat konvencionale dhe ajër 20 herë më të pastër sesa ai që thithet jashtë, e gjitha kjo falë impianteve të kondicionimit Broad Group.

Në ndërtimin e saj do të marrin pjesë arkitektë dhe inxhinierë, që punuan edhe për Burj Khalifa, në Dubai.

Rrokaqielli i rekordeve
Paraqitja në grafik e rrokaqiejve më të lartë të botës

Redakisa Online
(ed.ka/shqiptarja.com)