Mes zhurmës së lajmeve, skandaleve dhe debateve, një krizë po kalon pothuajse pa vëmendje:
Pakësimi i jetës përreth nesh… A shikoni më vargje zogjsh në qiell? Xixëllonja, flutura, bletë?
Më pak zogj, më pak insekte, më pak hapësira ku natyra mund të jetojë.
Natyra nuk është aksesor, siç po e trajtojmë ne me arrogancën dhe injorancën tonë. Nuk është një zbukurim për fundjavat, një sfond për fotografitë apo një hapësirë që ka vlerë vetëm kur mund ta shesim.
Është vetë jeta. Prej saj varen ushqimi, uji, shëndeti dhe mbijetesa jonë.
Megjithatë, bota natyrore përreth nesh po varfërohet dhe ne shpesh as nuk e vëmë re. Të përqendruar te vetvetja, pasuria, imazhi dhe skandalet, vazhdojmë të sillemi sikur gjithçka tjetër mund të presë.
Raporti amerikan State of the Birds 2025 tregon se 112 lloje shpendësh kanë humbur mbi gjysmën e popullatave të tyre gjatë 50 viteve të fundit. Pas këtyre shifrave qëndron një alarm për gjendjen e mjediseve ku jetojnë.
Insektet pjalmojnë shumë prej bimëve që na ushqejnë. Zogjtë ndihmojnë në kontrollin e dëmtuesve dhe shpërndarjen e farave. Pyjet, lumenjtë dhe ligatinat mbështesin jetën nga e cila varemi edhe ne.
Afro 3 miliardë zogj më pak.
Një studim i publikuar në vitin 2019 në revistën Science vlerësoi se popullatat e shpendëve në SHBA dhe Kanada ishin pakësuar me rreth 2,9 miliardë individë që nga viti 1970. Një rënie prej afërsisht 29%.
Një studim me të dhëna nga 63 zona të mbrojtura në Gjermani vlerësoi një rënie prej mbi 75% të biomasës së insekteve fluturuese gjatë viteve 1989–2016. Biomasa është masa e përgjithshme e insekteve të mbledhura.
Një pyll mund të duket ende i gjelbër, ndërsa jeta brenda tij pakësohet. Një pranverë mund të vijë me më pak cicërima, më pak flutura dhe më pak bletë. Dhe ne mund të vazhdojmë ditën sikur asgjë nuk ka ndryshuar.
Pikërisht këtu qëndron rreziku: po mësohemi me mungesën e jetës dhe as na bën përshtypje… Jemi brezi më injorant që ka jetuar… Le të jemi realistë. Zjarret që përpijnë pyjet kudo, uraganet dhe thatësirat që çajnë tokën krijojnë pamje që na tronditin. Kanë përmasën e një katastrofe që kamera mund ta kapë menjëherë.
Humbja e biodiversitetit shpesh ndodh pa atë spektakël. Një popullatë insektesh pakësohet. Një shpend nuk kthehet më në vendin ku folezonte. Një pellg thahet bashkë me gjallesat e tij. Një livadh mbulohet me beton.
Këto ndryshime ndodhin edhe pranë nesh: në oborr, në fushën pas shtëpisë, në lumin ku laheshim fëmijë. Janë aq afër, e megjithatë arrijmë t’i anashkalojmë.
Humbjet përfshinin edhe shpendë dikur të zakonshëm, që njerëzit ishin mësuar t’i shihnin në kopshte, fusha dhe pyje. Po varfërohej edhe ajo pjesë e natyrës që dukej aq e bollshme, sa merrej si e mirëqenë.
Pakësimi i tyre është një paralajmërim që duhet ta marrim seriozisht.
A ju kujtohen insektet në xhamin e makinës?
Dikur, pas udhëtimeve të gjata, xhami i përparmë shpesh mbushej me insekte. Sot, shumë njerëz tregojnë se shohin më pak.
Ky vëzhgim, i njohur si “fenomeni i xhamit të përparmë”, nuk mjafton për të matur një rënie: ndikojnë edhe kushtet e udhëtimit. Për të kuptuar çfarë po ndodh, duhen studime dhe matje të përsëritura.
Çfarë humbasim bashkë me insektet?
Insektet pjalmojnë bimë, ndihmojnë në shpërbërjen e lëndës organike dhe në rikthimin e lëndëve ushqyese në tokë. Ato shërbejnë si ushqim për shumë zogj, amfibë dhe gjitarë.
Kur pakësohen, pasojat mund të përhapen përgjatë rrjetit ushqimor: më pak ushqim për disa kafshë, më pak pjalmim për disa bimë dhe çrregullim i proceseve që mbështesin ekosistemet.
Mendoni për një pemë frutore që ka nevojë për pjalmues, për zogjtë që ushqehen me insekte, për bufët që ndihmojnë në kontrollin e brejtësve. Këto lidhje funksionojnë çdo ditë, edhe kur ne nuk i shohim.
Ushqimi ynë fillon shumë përpara se të mbërrijë në treg. Fillon në tokë, në ujë, te lulet dhe te gjallesat që mbajnë në punë këto procese.
Megjithatë, kemi ndërtuar një mënyrë jetese ku çdo gjë që nuk na sjell një përfitim të menjëhershëm trajtohet si e parëndësishme. Pyjet priten. Ligatinat thahen. Habitatet copëtohen. Dhe ne mezi e ngremë kokën nga telefoni, duke ngrënë mish dhe ushqim jo natyral.
Pyjet ruajnë karbonin, mbrojnë tokën dhe mbështesin ciklin e ujit. Gjallesat e tokës ndihmojnë në ruajtjen e pjellorisë së saj. Kafshët dhe bimët e egra marrin pjesë në procese nga të cilat varet edhe jeta jonë.
Por këto shërbime nuk na dërgojnë faturë. Dhe ne, çuditërisht, e kemi më të lehtë t’i japim vlerë asaj që blihet sesa asaj pa të cilën nuk jetojmë dot.
Disa pëllumba në shesh na mjaftojnë për t’u bindur se natyra është mirë.
Një ketër në park, disa harabela pranë kafenesë dhe pemët përgjatë rrugës mund të na japin ndjesinë se gjithçka vazhdon si më parë. Prania e disa llojeve që përshtaten me qytetet nuk tregon gjendjen e gjithë botës së gjallë.
Ndërkohë, mësohemi me humbjen. Ajo që sot na duket e varfër, nesër mund të na duket normale. Fëmijët tanë mund të rriten pa e ditur sa e gjallë ishte dikur një fushë, një lumë apo një mëngjes pranvere. Dhe më e keqja: nëse vazhdojmë kështu, fëmijët tanë nuk duhet të lindin më… sepse fatkeqësitë do të jenë aq të tmerrshme në jetën e tyre, sa do të na mallkojnë.
Kjo është shkurtpamësia jonë: të ngatërrojmë rehatinë e momentit me sigurinë e së ardhmes. Të mendojmë se, për sa kohë dyqanet janë plot, telefoni funksionon dhe portofoli është në rregull, themelet e jetës sonë janë të paprekura.
Edhe me ndotjen sillemi shpesh sikur largësia e zgjidh problemin. Mbeturinat largohen nga lagjja jonë, dërgohen diku tjetër dhe ndërgjegjja jonë qetësohet. Por dëmi nuk pushon së ekzistuari vetëm sepse nuk e kemi më përpara syve.
Jemi si pasagjerë në një aeroplan që digjet, ndërsa debatojmë për vaktin që na shërbehet e që nuk është i ngrohtë… Ne jemi injorantët më të mëdhenj që njerëzimi ka pasur.
Na zemëron një deklaratë. Na tërheq një skandal. Na mban zgjuar jeta private e dikujt. Për një pyll të shkatërruar, një lumë të ndotur apo një habitat të humbur, vëmendja jonë shpesh zgjat vetëm disa sekonda.
Dhe pastaj kalojmë te lajmi tjetër.
Në një botë të mbushur me konflikte, pasiguri dhe shqetësime ekonomike, natyra shtyhet lehtë në fund të listës. Ajo nuk del në studio, nuk blen hapësirë televizive dhe nuk bërtet mbi të ftuarin tjetër.
Mbrojtja e saj kërkon njerëz, dije, financim dhe këmbëngulje. Miq, kërkon ndërgjegjësim dhe parime. Toka jonë po vdes dhe ne kënaqemi duke bërë sehir në kafenetë e parukeritë tona, në ajrin e kondicionuar…
Është e hidhur të shohësh sa lehtë mahnitemi nga ëndrrat për bunkerë luksozë dhe jetë në Mars, nga miliarderët që sot nuk po financojnë më projekte për natyrën si 10 vite më parë, por po investojnë në teknologji, në IA e në bunkerë, ndërsa mbrojtja e planetit ku jetojmë na duket një shqetësim që mund të presë… Shumë shoqata po shkurtojnë personelin, nuk ka më studime, nuk po merren aq shumë njerëz me natyrën. Politikat kudo në botë, me mefshtësinë e tyre, paaftësinë dhe ndjeshmërinë, po bëjnë që të paguajmë me jetët tona.
Nuk ka një zgjidhje të vetme që e rregullon këtë krizë. Fatkeqësisht, jam i pafuqishëm dhe jemi të pafuqishëm. Por heshtja jonë e bën më të lehtë vazhdimin e saj.
Ka ende arsye për të vepruar. Përvojat e ruajtjes tregojnë se mbrojtja e habitateve dhe masat e përshtatshme mund të ndihmojnë në rimëkëmbjen e popullatave. Kjo kërkon përpjekje të qëndrueshme dhe vendime që e mbrojnë realisht natyrën.
Duhet të ruajmë pyjet, lumenjtë dhe ligatinat, të kufizojmë ndotjen e pesticidet e panevojshme dhe të kërkojmë përgjegjësi për shkatërrimin e pasurisë së përbashkët. Kur dreqin do ta kuptojnë se, pa këto, kanceret, sëmundjet dhe depresioni do të shumëfishohen? Ky shkrim është një thirrje e mekur, e copëtuar, për këdo që ende ka ndjeshmëri për botën përreth.
Dhe e them me hidhërim: nuk pres zgjidhje nga portalet, televizionet, politika apo diskutimet pa fund në internet, për sa kohë ato ushqehen nga të njëjtat përparësi që kemi zgjedhur edhe ne: skandali, egoja, klikimi dhe dëshira për të pasur gjithmonë të drejtë.
Me padijen dhe pandjeshmërinë tonë, shpesh i japim më shumë hapësirë asaj që na nxit kureshtjen sesa asaj që na mban gjallë.
Nuk e di nëse do të kemi vullnetin ta ndryshojmë këtë drejtim në kohë. Por shpresoj se ka ende njerëz të gatshëm të mbrojnë diçka që u përket të gjithëve, edhe kur kjo nuk u sjell famë, fitim apo duartrokitje. Të parët tanë rrezikuan shumëçka për këtë dhe unë, nëse do të më duhej ta bëja, do të jepja gjithçka…
Natyra nuk është pronë që mund ta konsumojmë pa fund. Ne jemi pjesë e saj. Dhe kur e varfërojmë, po dobësojmë kushtet e vetë jetës sonë. Ne sot po vdesim nga pak, fëmijët tanë akoma më shumë… Nëse ju nuk doni t’ia dini e s’keni shpresë… udhëzojini fëmijët tuaj të mos lindin më…
Le të mos presim që heshtja të bëhet aq e madhe, sa më në fund ta dëgjojmë.
Shpresa nuk është një plan. Por apatia është një dënim me vdekje për ty dhe mua, për fëmijët tanë, për gjithë të dashurit tanë që kanë jetuar në këtë tokë të begatë…












Komente
Komento