Kina dënon me burgim të përjetshëm një shtetas amerikan

Kina dënon me burgim të përjetshëm një shtetas amerikan

Foto ilustruese

Kina ka dënuar me burgim të përjetshëm një shtetas amerikan, John Shing-Wan Leung, 78-vjeçar, i cili ka rezidencë të përhershme në Hong Kong, me akuzën e spiunazhit. Ky rast pasqyron përkeqësimin e marrëdhënieve midis Pekinit dhe Uashingtonit gjatë viteve të fundit.

Leung u ndalua nga byroja lokale e agjencisë së kundërzbulimit të Kinës në qytetin e Suzhou më 15 prill 2021, pasi Kina kishte mbyllur kufijtë e saj dhe kishte zbatuar kufizime të rrepta të udhëtimit dhe kontrolle për të luftuar përhapjen e COVID-19.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, Gjykata e Suzhou bëri njoftimin për dënimin e tij në faqen e saj të rrjeteve sociale. Hetimet dhe gjykimet e tilla mbahen me dyer të mbyllura dhe shumë pak informacion jepet.

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Pekinit janë në nivelin më të ulët në dekada mes mosmarrëveshjeve mbi tregtinë, teknologjinë, të drejtat e njeriut dhe qasjen gjithnjë e më agresive të Kinës ndaj pretendimeve të saj territoriale që përfshijnë Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore.

Dënimi vjen në kohën kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden po udhëton për në Hiroshima të Japoni, për samitin e Grupit të Shtatë shteteve kryesore industriale, i pasuar nga një vizitë në Guinenë e Re, një shtet ishullor i Paqësorit në një rajon ku Kina ka kërkuar të rrisë ekonominë e saj, por edhe ndikim ushtarak e diplomatik.

Përderisa ndikimi ekonomik i Kinës rritet globalisht, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj në rajonin Azi-Paqësor kanë rritur praninë e tyre në këtë zonë, duke ofruar investime dhe ndihmë financiare që rivalizojnë Kinën.

Kina, e cila tani është ekonomia e dytë më e madhe në botë, ka zgjeruar infrastrukturën e saj, si portet dhe hekurudhat, në të gjithë Evropën, Azinë Juglindore dhe më gjerë.

Akuzat për spiunazh janë shumë selektive dhe provat që i mbështesin ato nuk publikohen. Kjo është praktikë standarde e shumicës së vendeve kur bëhet fjalë për spiunazh, jo vetëm e Kinës.

Megjithatë, sistemi politik autoritar i Kinës dhe kontrolli absolut i Partisë Komuniste në pushtet mbi çështjet ligjore, shoqërinë civile dhe lirinë e informacionit parandalojnë kërkesat për informacione të mëtejshme, si dhe apelimet në gjykatë.

Ambasada e SHBA-së ende nuk ka komentuar dënimin e shtetasit amerikan Leung.REL

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Barcelona rrezikon kreun, Flick ngre alarmin: Tani nuk krijojmë raste! Kapiten Raphinha: Niveli po ulet

Barcelona rrezikon kreun, Flick ngre alarmin: Tani nuk krijojmë raste! Kapiten Raphinha: Niveli po ulet