Kioska e Maternitetit të Vjetër po i afrohet inaugurimit, ndërsa gratë lindin dhe operohen në kushtë të paimagjinueshme. Temperaturat në sallat e opëracionit janë mbi 38°C. Kjo është ndërgjegjia e pakorruptuar e Ministrit të Shëndetësisë, ish-Drejtorit të këtij Materniteti, ky është interesi i tij për pacientët.

Përpara disa vitesh, ai është shprehur përpara kamerave që “Unë jam miku i pacientëve dhe armiku i mjekëve”! Si mund të jesh armiku i llojit tënd, i asaj ushtrie që me vetëmohim punon dhe shpëton jetë njerëzish çdo ditë?

Miku i pacientëve i ka lënë sallat e operacionit në ditë të hallit. Veglat janë të ndryshkura, të konsumuara, gërshërët nuk presin, bisturitë më shumë ngjajnë me një thikë buke, llampat e mëdha të opëracionit i kanë xhamat e veshura për arsye të konsumimit, duke mos lejuar kalimin e dritës dhe qartësimin e fushës operatore gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale.

U fol shumë në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” nga ish Drejtori i tij, për kartën e pacientit dhe për të drejtat e pacientit, duke hapur edhe një zyrë për këtë punë. Çfarë u realizua? U mjaftuan me dhënien e disa formularëve të cilet u mbushën nga pacientet. Praktikisht asgjë. Zyra u mbyll. Çdo projekt niset me një qëllim. Ai duhet t’i shërbejë së tashmes dhe të ardhmes. Për ta vënë në jetë atë, harxhohen fonde të cilat do të ishin më efikase në një drejtim shumë më shqetesues për shërbimin ndaj pacientit.

Problemi nuk qëndron se çfarë origjinë kanë fondet, janë nga buxheti i spitalit apo janë donacione. Çështja është më e thellë dhe qëndron në faktin se si ish-Drejtori i Maternitetit, sot Ministër i Shëndetësisë, i ka menaxhuar dhe i menaxhon këto fonde. Gjithçka që ka të bëjë me përmirësimin e kushteve të punës, të sallave të operacionit, apo të veglave të operacionit, përfundon me një lyerje me bojë. Asgjë për cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve. Kioska dhe vendosja e kamerave në të gjitha anët e obstetrikës, me sa duket na qenkan kryesore dhe na paskan përparësi për shëndetin e pacientëve!

Pajisjet e sallave të operacionit, që nga konsumimi janë jashtë çdo standarti, nuk i tërheqin në asnjë moment vëmendjen, nuk kanë asnjë vlerë, nuk kanë asnjë interes për atë, sepse ato nuk shihen dhe nuk vlerësohen dot nga pacientët.

Pacientet shohin fasadën: bojën e mureve dhe barin e lulishtes.

Si në çdo spital, edhe tek në pretendohet se kemi një reanimacion të grave. Por në vend të një reanimacioni, kemi një ambient me pesë krevatë të zakonshëm dhe kaq. Përse një interes kaq i madh për kioskën, ndersa për vendin ku luhet për jetë a vdekje asnjë investim? Apo populli nuk sheh, nuk di, nuk njeh dhe nuk mund të vlerësojë se si duhet të jetë i pajisur ky sektor jetik i mjekësisë.

Të harxhosh fonde brenda spitalit për shkatërrimin e ambienteve të cilet i kë shkatërruar, rindërtuar dhe inaugurar një herë dhe që nuk i vlejnë rritjes së cilësisë së shërbimit të pacientit, të lejon të supozosh shumë gjëra.

Nuk do të kishte komision mjekësor apo donator, që nëse do t’i bëheshin të qarta problemet e shërbimit ndaj pacientit dhe prioritet e domosdoshme të spitalit, të mos aprovonte buxhetin apo të mos akordonte donacionin në drejtimin e përmirësimit të shërbimit.

Por kjo nuk ndodh në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, sepse fondeve u jepet një drejtim i gabuar dhe i imponuar nga ish-Drejtori dhe Ministri i Shëndetësisë, që sheh interesin e tij përsonal dhe jo atë të pacientëve.

Në sallat e paralindjes nuk ka monitorë për ndjekjen e aktivitetit të lindjes. Në Maternitetin e Vjetër vazhdon ndjekja me mjete primitive dhe që nuk i përshtaten kërkesave të mjekësisë. Gjykimi i mjekut obstetër që ndjek lindjen mbetet klinik – empirik dhe pa lidhje me nivelin e sotëm të mjekësisë bashkëkohore. Kjo mangësi të çon në dy esktreme; ose të rrisësh përqindjen e operacioneve cezariane në lindje, ose të ndodhesh përpara situatash shqetësuese me fëmijën në barkun e nënës. Nëse do të ishin aparaturat e nevojshme, atëherë do të bëhej një analizë profesionale e aktivitetit të lindjes sipas protokolleve moderne, që nuk të lejojnë të biesh në këto situata të papranueshme dhe tashmë të kapërcyera nga mjekësia moderne.

Notimi në ujra të paqarta i shërben vetëm paaftësisë profesionale, e cila ka pasoja të rënda për obstetrikën. Ekzistenca e këtyre monitoreve të bën të rrisësh nivelin tekniko-profesional të personelit, të zgjidhësh problemin në kohën e duhur në mënyrë sa më profesionale dhe të vlerësosh me saktësi dhe drejtësi punën e mjekut në menaxhimin e këtij akti fiziologjik që është lindja.

A është marrë në konsideratë ky problem kaq i rëndësishëm për vdekshmërinë e fëmijëve të porsalindur dhe rritjen e përqindjes se operacioneve në lindje? Faktet flasin vetë. Ish-Drejtor i Maternitetit, sot Ministër i Shëndetësisë, nuk ka patur dhe nuk ka interes për përmirësimin e cilësisë së parametrave profesionale në shërbimin ndaj pacientit.
Ulja e cilësisë së shërbimit, diskriminimi i pacientit duke sfiduar kartën e të drejtave të pacientit, arsyetimi se pronën publike mund ta vësh në dispozicionin tënd si pronë private, kanë gjetur një terren të përshtatshëm nga ish-Drejtori i Maternitetit të Vjetër, sot Ministër i Shëndetësisë, në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbreteresha Geraldinë” në Tiranë. Kioska vazhdon të marrë formë, qepeni u vendos.
 
*Nikita Manoku, Shef i Shërbimit të Obsetrikë-Gjinekologjisë, Spitali Unversitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”
 
 
Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.06.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)