Kisha Ortodokse: Pallati
i Kulturës është i yni

Kisha Ortodokse: Pallati<br />i Kulturës është i yni
TIRANE - Për Thoma Dhima, i zyrës së shtypit të Kryepeshkopatës së kishës ortodokse në vendin tonë, “beteja” për pallatin e Kulturës është një çështje në favor të kishës, pasi kjo godinë ka qenë kishë që në shekullin e XVII-të. Në një intervistë për “Shqiptarja.com” ai shprehet se sulmi ndaj kishës po bëhet me ekspertiza të rreme dhe reagimi i besimtarëve ortodoksë të Përmetit është një reagim normal, pasi iu përdhosën gjërat më të shtrenjta. Sipas tij edhe “lufta” që ka filluar në kufi nga pala greke ndaj emigrantëve shqiptarë që jetojnë në shtetin helen lidhet pikërisht me përdhosjen e simboleve fetare dhe ai apelon që “politika shqiptare, që deri tani ka bërë vuvin, do ndërhyjë me përgjegjësi për të qetësuar gjendjen dhe gjetur zgjidhje”.

Përmbarimi ia ktheu bashkisë Pallatin e Kulturës në Përmet, përse është kaq e rëndësishme kjo ndërtesë për ju? Ka ndonjë domethënie të veçantë për kishën, apo nuk ka një objekt tjetër ku kisha mund të mbledhë besimtarët e saj?
Në atë vend ka ekzistuar një kishë që nga shek. XVII. Rindërtimi i saj i fundit i përket viteve 30, të shek. XX. Ka qenë, siç shihet nga fotot, një kishë e bukur e rrethuar nga një territor i gjerë. Ajo u tjetërsua në vitet e regjimit komunist dhe muret u inglobuan në pallatin e kulturës. Janë bërë sondazhe, duke gërryer suvanë dhe kanë dalë muret e Kishës. Në viti 1998 kisha, pa territorin, iu kthye Komunitetit Orthodhoks, nga të gjitha shkallët e gjyqsorit. Çuditërisht, pas kësaj, pa praninë e Kishës, u bë një rihapje e gjyqit me ekspertiza të rreme dhe kaloi në të gjitha shkallët rrufeshëm. Gjykata hodhi poshtë atë që vetë kishte vendosur më parë.

A ka pasur dhunë mbi priftërinjtë, gjatë këtij akti? A ishte lajmëruar më parë Kisha Ortodokse e Përmetit se do t’iu vinte përmbarimi? Ku po i mbajnë ritet fetare aktualisht priftërinjtë e kësaj kishe?
Jo vetëm ka pasur dhunë, por mjeku ligjor ka refuzuar të bëjë ekspertizën dhe denoncimin për rrahjen e priftit. Nuk kishte asnjë lajmërim. Ka qenë një veprim i rrufeshëm i tipit paramilitar, me polici dhe përmbarim privat. Kur Bashkia e Përmetit nuk ka para as për rrogat, ku u gjetën milionat për këtë veprim? Duket se pas fshihen interesa të errëta, që përziejnë qëndrimet armiqësore politike, me interesat ekonomike të klaneve të caktuara.
Por më skandalozja në këto veprime ishte se u preken gjërat më të shenjta për një besimtar ortodoks. U shkatërrua Tryeza e Shenjtë dhe u hodhën tej sendet më të shenjta, trupi i Krishtit. U shkatërrua ikonostasi dhe u përdoren ikonat sikur të ishin dërrasa pa vlerë. Po kështu u veprua edhe me librat e shenjtë. Është një veprim që ka ndodhur vetëm në vitin 1967, por atëherë prekte të gjitha komunitetet, ndërsa sot është sulm ndaj një besimi.

Sot(dje), mediat kanë raportuar se një grup besimtarësh së bashku me priftin, janë futur me forcë te Kisha e tyre, madje thuhet se ka pasur edhe konfrontime fizike mes priftërinjve e besimtarëve dhe policisë private që ruante objektin, a jeni në dijeni të kësaj?
E pashë në lajme, ka qenë një reagim i besimtarëve të revoltuar nga përdhosja e gjërave të tyre më të shenjta. Një veprim i tillë i turpshëm dhe i paprecedentë patjetër që do ngjallte reagim. Shpesoj se tani do kuptohet sa i rëndë dhe i papranueshëm ka qenë veprimi i kryer dhe do vihen në lëvizje për zgjidhje afatgjata.

Vendimi për t'i kthyer bashkisë pallatin e kulturës së Përmetit, a rrezikon të tensionojë marrëdhëniet mes kishës ortodokse dhe shtetit shqiptar, dhe më tej, mes Shqipërisë dhe Greqisë?
Kryepiskopi Anastas ka deklaruar gjithmonë se Kisha Ortodokse është gati të investojë për të krijuar një mjedis tjetër modern kulturor për nevojat eqytetit, por jo në vendin e shenjtë. Diku tjetër, ku të duan autoritetet lokale. Kisha Orthodhokse në shekuj ka qenë vetë prodhuesja më e madhe e kulturës, me të cilën mburremi sot para botës, kujtojmë kodikët, kishat monument, ikonat e mrekullueshme etj.

Menjëherë pas këtij incidenti, në pikat e kalimit të Kakavijës dhe Tre Urat në Përmet, doganierët greke 'kanë filluar të marrin hak' mbi emigrantet shqiptarë, duke i kthyer mbrapsht ose duke i vonuar, çfarë mesazhi keni ju për t'u dhënë të gjithë palëve, qeverisë shqiptare dhe greke, por edhe qytetareve të thjeshtë shqiptarë dhe grekë?
Mendoj se reagimet që vijnë nga jashtë janë vetëm për arsyen e përdhosjes së besimit që ndodhi, sakrilegjit me gjërat e shenjta. Këto çështje janë tepër të ndjeshme në të gjitha vendet që kanë traditë besimi, në Evropë dhe më gjerë. Nuk mendoj se ato do ndikojnë në fqinjësinë dhe shpresoj që politika shqiptare, që deri tani ka bërë vuvin, do ndërhyjë me përgjegjësi për të qetësuar gjendjen dhe gjetur zgjidhje.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Mosbindja civile e demokratëve ndaj Berishës

Mero Baze: Mosbindja civile e demokratëve ndaj Berishës