Pas Greta Gjocit, GJKKO pranon që një tjetër grua e dënuar për dosjen e call centerave, si pjesë e grupit të Bruno Çobos, të lirohet nga qelia. Antoneta Malos iu pranua kërkesa e depozituar nga avokati i saj, Sokol Tahiraj, për pezullimin me gjashtë muaj të ekzekutimit të dënimit, pasi është nënë e dy fëmijëve të mitur, 3 vjeç dhe 1 vit e 3 muaj.
Antoneta Malo është dënuar me 6 vite e 8 muaj burg, pasi u shpall fajtore për mashtrim kompjuterik në bashkëpunim dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Vendimi u la në fuqi nga Apeli i GJKKO-së më 5 tetor 2026. Megjithatë ligji parashikon se, kur e dënuara ka një fëmijë nën një vjeç, gjykata mund të shtyjë ekzekutimin e vendimit deri në mbushjen e kësaj moshe.
Kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, përveç Gjocit dhe Malos që i është pranuar, në Gjykatën e Posaçme kanë mbërritur kërkesa edhe nga tre të dënuara të tjera të së njëjtës dosje: Elisa Çaçi, e dënuar me 7 vite e 4 muaj burg, Rezarta Ibrahimi dhe Silvana Veliu e dënuar me nga 6 vite e 8 muaj burg.
Për çfarë akuzohet grupi i Bruno Çobos?
Grupi i drejtuar nga Bruno Çobo akuzohet se përmes një Call Center-i në Tiranë mashtronte kryesisht qytetarë italianë duke i bindur të investonin në bursa. Nga skema u përvetësuan rreth 4.7 milionë euro. Për 16 të pandehurit, Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimet rreth 110 vite burg, ndërsa Bruno Çobo, drejtuesi i grupit, u dënua përfundimisht me 8 vite burg.
Njoftimi i plotë
1. Kërkuesja Antoneta Malo (Pepkolaj) më datë 05.10.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Shtyrjen e ekzekutimit të vendimit nr. 66, datë 27.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i lënë në fuqi me vendimin nr. 51, dt. 05.10.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 471 dhe 476/1 shkronja “c” të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 679, datë 09.10.2026, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës së kërkueses (të dënuarës) Antoneta Malo (Pepkolaj).
2. Shtyrjen e ekzekutimit të dënimit që i është caktuar kërkueses (të dënuarës) Antoneta Malo (Pepkolaj) me vendimin nr. 66, datë 27.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i lënë në fuqi me vendimin nr. 51, dt. 05.10.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për një periudhë kohore prej 6 (gjashtë) muaj, duke filluar nga data 09.10.2026 deri në datën 09.04.2027.
3. Shpenzimet gjyqësore i lihen në ngarkim kërkueses (të dënuarës) Antoneta Malo (Pepkolaj).
4. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe shërbimet e policisë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
5. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 5 ditëve, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të gjykatës.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
lajm ne perditesim...










Komente
Komento