Dogana e Durrësit ka bllokuar një sasi prej 2500 kilogram miell orizi, si dhe 5150 kilogram miell për pica, që kishin skaduar që në prill të vitit të kaluar.
Përmes një njoftimi, dega e Doganës Durrës bën të ditur se bllokimi i kësaj sasie mielli erdhi gjatë kontrolleve në ambientet e një subjekti tregtar.
Po ashtu, Dogana e Durrësit ka njoftuar se ka nisur procedurat në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, në parashikim të kompetencave përkatëse, deri në asgjesimin e mallit.
Njoftimi i degës së Doganës Durrës:
Dega e Doganës Durrës, gjatë kontrollit fizik në ambjentet e një subjekti tregtar, i pajisur me autorizim për përdorimin e Regjimit të Përpunimit Aktiv, ka bllokuar mallra që u kishte kaluar afati i përdorimit, referuar datës së skadencës.
Nga punonjësit e doganës është bllokuar sasia 2.500 kg miell orizi, me datë skadence 01.04.2025 dhe sasia 5.150 kg miell për pica, me datë skadence 07.04.2025. Dogana e Durrësit ka nisur procedurat, në bashkëpunim me strukturat e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, në parashikim të kompetencave përkatëse, deri në asgjesimin e mallit.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave shpreh angazhimin maksimal për zbatimin e ligjshmërisë dhe nxit operatorët ekonomikë për respektimin e detyrimeve për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së shtetasve.
Komente












