Kjo opozitë perëndimore

Kjo opozitë perëndimore
Prej shumë kohësh dhe veçanërisht javët e fundit lideri PS-së, Edi Rama, dhe opozita në terësi kanë bërë e po bëjnë të tyren, madje me shumë se të tyren për të zhbllokuar, për aq sa mund të ndikojë opozita, marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në BE. Votimi për kufizimin e imunitetit, megjithëse një çështje e ngarkuar me shumë spekulime, është akti më i freskët i një serie aktesh pararendëse dhe takimesh të shumta të opozitarëve shqiptarë anembanë Europës për të lobuar këtë aspiratë. Nuk e vë dorën në zjarr- zyra e komisionerit për zgjerimin Stefan Fyle e di më mirë-, por me aq sa e kam ndjekur unë procesin e gjatë të integrimit të vendeve ish- komuniste në Europë, vështirë të gjendet një opozitë si kjo e Shqipërisë që të ketë qenë kaq e provokuar, deri edhe e vrarë nga qeveria dhe në të nëjtën kohë kaq e interesuar për integrimin e vendit në Europë. Edhe pse kjo mund t’i ketë kushtuar dhe vazhdon t’i kushtojë një varg keqkuptimesh me një pjesë të elektoratit të saj apo me një pjesë të opinionit publik sikur po mbush me oksigjen bombolat e qeverisë.
Në pamje të parë, kur kujtojmë parregullsitë evidente në zgjedhjet e vitit 2009 dhe ato të vitit 2011 të reflektuara një për një në raportet përkatëse të OSBE/ODHIR-it dhe, më tej kur kujtojmë vrasjet e 21 janarit, përpikmëria e opozitës në takimin me detyrat e integrimit dhe lobimi i vazhdueshëm i saj pranë ndërkombëtarëve ngjan me një sublimim. Në fakt e ka këtë përmasë. Por është edhe pragmatizëm. Demokracia shqiptare e ka fatin e mirë brenda dhe jo jashtë Europës. Vetë opozita është fituese vetëm në një mjedis demokratik.
Në një vështrim tradicional, meskin dhe partizan të problemit, opozitës s'ka çfarë i duhet e merr apo nuk e merr Shqipëria statusin e vendit kandidat, madje ku ta gjejë që qeveria të dështojë për herë të tretë e të katërt derisa të mos ketë fytyrë t'u kërkojë njerëzve votën. E kam shkruar shpesh dhe e përsëris se aspirata kombëtare për integrimin e përjashton këtë qasje. Ne nuk e kemi për zbukurim integrimin. E kemi histori. Opozita është në lartësinë e këtij kuptimi kur sillet me integrimin si të ishte në pushtet. Madje me një impenjim të shtuar për shkak të dështimeve dhe ekuivokeve të qeverisë për këtë çështje. Kur gjykojmë çfarë opozite kemi, ne bëjmë dy pyetje kryesore. E para, a është opozitë reale apo dekorative. E dyta, a është europiane, a është perëndimore, apo jo. Opozita shqiptare është reale, pa dyshim, pavarësisht se dikush do ta donte më të ashpër, dikush më të orientuar nga temat e zhvillimit, dikush më të iluminuar, dikush më të dashur me njerëzit, e kështu pa fund. Kjo është një temë mjaft e gjerë që rrok një larmi vlerësimesh e pikëpamjesh.
Por ka një gjë që është e qartë dhe e gjithëpranuar deri edhe për qeverinë: Sot kemi një opozitë perëndimore. Perëndimore në program, perëndimore në orientim, perëndimore në prurjet e reja që ka sjellë në partinë më të madhe të opozitës një lloj rithemelimi i butë dhe përtëritës i saj, perëndimore edhe në sjelljen e atyre pak ish zyrtarëve të regjimit të mëparshëm që vazhdojnë të kontribuojnë në Partinë Socialiste. Oksidentalizmi i një grupi politik që vjen nga një trashëgimi e fortë izolimi është një arritje me vete e demokracisë. Kryeministri Berisha në fakt i bëri një reklamë të bukur vendit të tij kur pohoi pak kohë më parë në Bruksel se kemi një opozitë europiane. Ky është një lajm gjithmonë i mirë, është një fakt i qetësisë dhe sigurisë së vendit për të ardhmen. Edhe kur jemi me opozitën, edhe kur jemi kundër saj për arsye të tjera. Por të qënit perëndimore është për opozitën edhe një kartë e fuqishme elektorale. Ajo është alternativë e qeverisë dhe ka shanse të vijë në pushtet vetëm si e tillë. Shoqëria shqiptare nuk është e dyzuar në orientim si shoqëria serbe apo ukrahinase, fjala vjen, ku ndodh të vijnë në pushtet opozita të deklaruar si antieuropiane. Kjo nuk mund të ndodhë në Shqipëri. Shoqëria shqiptare është e tillë dhe zhvillimet shqiptare janë të tilla sa në këtë periudhë unë mendoj se opozita i ka në favor edhe elektoralisht lajmet e mira. Ja, pra. Një opozitë europiane nuk e shtron dhe nuk e shërben me një koncept partizan çështjen e integrimit. Drama reale e kësaj opozite dhe e publikut në tërësi janë vonesat që krijon qeveria me mospërmbushjen e detyrave të saj në fushën e drejtësisë dhe ligjzbatimit, në lufën kundër korrupsionit, etj. Një problem më vete janë edhe ekuivoket dhe dyzimet e brendëshme për integrimin, duke luajtur me të lojën e kungulleshkës, për ta lënë varur si një gjë që do të rezultonte i djegur si synim në skenarin e stopimit apo shpërbërjes eventuale të Bashkimit Europian. Udhëheqësit me mentalitet çifligarësh e pallashallarësh janë nga natyra armiq të çdo lloj hapjeje. Për ta pushteti qëndron mbi integrimin.
Natyrisht, keqkuptimet, kundërshtimet apo kritikat e një pjese të opinionit publik me qasjen pozitiviste të opozitës e kanë një sens: është çështja e gjetjes së raportit të drejtë midis misionit të natyrshëm të opozitës për të prodhuar rotaconin e pushtetit dhe interesave kombëtare ndërpartiake. Të shërbesh integrimin, por të mos i bësh asnjë koncension qeverisë. Këtu talenti i politkanëve është në provën e profesionalizmit, talentit, kulturës dhe intuitës. Opozita, pavarësisht se si është spekuluar e spekulohet gjatë nga qeveria, ka rolin e saj, por ajo nuk është përcaktuese as për bllokimin, as për zhbllokimin e integrimit. Detyrat kryesore, më të shumtat edhe në numër, i ka gjithmonë qeveria. Përmbushja e kritereve që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë ekskluzivitet i qeverisë. Përmbushja e kriterit që lidhet me zgjedhjet e lira e të ndershme është themelori për demokracinë. Kjo është pika ku opozita nuk duhet të lejojë asnjë korridor të hapur që pushteti të mund të manipulojë me flamurin e Europës në dorë, siç ka ndodhur në të kaluarën. Do të ishte sarkazma më e madhe dhe atentati më i madh ndaj integrimit. Do vonoheshim edhe një dekadë tjetër, në mos më shumë, për të prekur ëndrrën.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb