Mediat britanike e ato franceze flasin për 7 banda shqiptarësh nga 19 që operojnë në trafikimin e emigrantëve drejt Francës e më pas drejt Britanisë. 

Janë pikërisht gazeta “The Times’ e Londrës dhe gazeta franceze “Le Monde” që kanë publikuar raportet duke theksuar se një pjesë e mirë e këtyre bandave janë shkatërruar.

Sipas shtypit britanik, aktiviteti i tyre kriminal ka gjeneruar vetëm brenda një viti një fitim prej 2 milionë eurosh. Kjo shifër konfirmon një rritje të grupeve kriminale që merren me organizimin e udhëtimit të emigrantëve drejt Britanisë në krahasim me vitin 2014, kur në total policia arriti të shkatërronte vetëm 6 rrjete kriminale.

Sipas shtypit britanik Pas arrestimit kësaj jave të njërit prej grupeve kriminale shqiptare, mësohet se nga 1 shkurti deri në 10 gusht të këtij viti, ai kishte organizuar 44 udhëtime me 250 emigrantë shqiptarë që kërkonin të hynin në Britani dhe vetëm 150 prej tyre ia arritën qëllimit.

Ndërkohë që Le monde shkruan se  “Prej fillimit të këtij viti, janë ndaluar mbi 1225 trafikantë të qenieve njerëzore në këtë zonë. Pjesa më e madhe e tyre punonin për llogari të 7 bandave të drejtuara nga shqiptarët. Pjesa tjetër e të arrestuarve ishin pjesë e 12 grupeve të drejtuara nga shtetas me kombësi të tjera”.

Sipas medias franceze policia nuk ka mundur t’u konfiskojë trafikantëve shuma të mëdha parash të përfituara nga trafiku, pasi emigrantët krijonin lidhje dhe paguanin trafikantët, në Shqipëri para se të ndërmerrnin rrugëtimin drejt Francës për të mbërritur në Britaninë e Madhe.
 
Dyshohet se fitimet e tyre arrinin nga 500 mijë në 1.4 milion sterlina. Pak ditë më parë, policia franceze vuri në pranga 4 shqiptarë dhe 2 bashkëpunëtorë franceze, pjesë e një grupi që trafikonte emigrantë klandestinë kryesisht shqiptarë nga Franca drejt Britanisë, përmes portit të Kalesë kundrejt shumave që varionin nga 7 mijë euro për çdo emigrant.


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)