SHKODËR - Superliga shqiptare e futbollit rikthehet në mesjavë me aktin e 11-të. Gjithçka nis të mërkurën (nesër) në orën 14:00, ku në program është 'Klasikja' e futbollit shqiptar, ajo mes Tiranës dhe Vllaznisë.
Bardheblutë vijojnë të vuajnë për një stadium dhe pas shtegtimit në Vlorë dhe Korçë, është radha e Lushnjës për të mirëpritur si vendas klubin më të titulluar në vend.
Ndeshja u komentua edhe nga trajneri i Vllaznisë, me Thomas Brdaric që tha se është "çmenduri" që ndeshja të luhet në një fushë që sipas informacioneve të tij nuk është në gjendje të mirë.
“I uroj Vllaznisë dhe tifozëve një ndeshje sa më të mirë nesër, të suksesshme, ky është objektivi ynë. Për rrethanat, ishte çmenduri, deri dje në darkë nuk e dinim ku do luanim. Tani kanë bërë marrëveshje për të luajtur në Lushnje, në informacionet që kemi fusha nuk është në kushtet e duhura, çfarë të presim? Ne do presim një ekip që punon, të jemi fizikisht dhe psikologjikisht sa më të fortë.
Dhe të kuptojmë se luajmë me këto kushte, jemi vetëm vetja jonë, të kuptojmë se është ndeshje 'Klasike' dhe ndeshjet kundër Tiranës janë gjithmonë të veçanta, mezi po pres të fillojë ndeshja nesër.
Duam të kemi çdo gjë nën kontroll, por kushtet janë të vështira. Sot kemi një stërvitje pa nisur. Një pozicion akoma në pikëpyetje me Stojanoviç, kemi zëvendësim me të. Sot kemi në dorën tonë një stërvitje taktike dhe do shohim kush do ndihet mirë, kush është gati për të luajtur nesër. E dimë që mund të shënojmë në çdo situatë gjatë lojës, kjo është diçka pozitive.
Na jep besim për të fituar ndeshjet, por nëse dëshirojmë të rritemi si ekip, të mos pësojmë gola dhe të jetë fokusi ynë që të forcojmë mbrojtjen në ndeshjet e radhës. Në çdo ndeshje jemi në presion, kjo është jeta e futbollit. Duhet të jetë tensioni i duhur dhe të jemi të fokusuar, në gjërat kryesore. E dimë që duhet ta kthejmë si është situata, po punojmë me këtë.
Të jemi të fokusuar përgjatë 90 minutave dhe të kemi atmosferë sa më të mirë, të shkojmë vetëm përpara. Mala, Balaj dhe Juriç duken mirë, janë kyç për ne. Përsëri na mungon Deliu në qendër, por nuk dua të flas për ato që nuk janë të gatshëm. Jemi ekip shumë kompetitiv”, u shpreh Thomas Brdariç.
Veç 'Klasikes', të mërkurën në program janë edhe Laçi - Egnatia në orën 14:00 dhe Skënderbeu - Partizani në orën 17:00.