Tjetër përballje mes presidentit Bujar Nishani dhe mazhorancës. Nëpërmjet Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Nishani ka vendosur të çojë ligjin e ri në Kushtetuese, pa qenë vetë i pranishëm.

Pak ditë para se ky ligj të hyjë në fuqi, KLD, i mbledhur në mënyrë të beftë, pa praninë e presidentit dhe as të Ministrit të Drejtësisë, ka vlerësuar se ligji për KLD dhe ai për Shkollën e Magjistraturës, kanë probleme të theksuara kushtetutshmërie.

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Këshilli i Lartë i Drejtësisë thekson: “Anëtarët e Këshillit theksuan njëzëri se ligjet cënojnë kompetencat thelbësore të KLD. Ndaj, ata kanë marrë vendimin që t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar ato pjesë të ligjit që cënojnë drejtpërdrejt funksionimin dhe kompetencat e KLD-së dhe parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”.


Mbledhja e zhvilluar pak ditë para hyrjes në fuqi të ligjit për KLD, është drejtuar nga nënkryetari Elvis Cefa dhe është zhvilluar sërish në mungesë transparence, pa praninë e medias.  Në seancën e parë parlamentarë atë të 1 shtatorit mazhoranca rrëzoi 5 dekretet e kthyera nga presidenti Bujar Nishani, ku përfshiheshin dhe këto dy ligje.

Kështu dekreti i Presidentit për Shkollën e Magjistraturës u rrëzuar me 77 vota kundër, ndërsa dekreti për KLD-në u rrëzuar me 78 vota kundër.

Sikurse thuhet në njoftim, gjatë mbledhjes është vendosur shpallja e vendeve vakante për funksionin e kryetarit në gjykatat administrative të shkallës së parë në Korçë, Vlorë, Gjirokastër dhe Shkodër, ndërsa është rishpallur vendi vakant për Durrësin.

Këshilli, shqyrtoi gjithashtu aktet përfundimtare të vlerësimit disa gjyqtarë si dhe delegimi i disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar.

Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)