TIRANE - Pas publikimit të raportit të GRECO (Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit) për parandalimin e korrupsionit në Shqipëri, ka reaguar edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Duke përshëndetur raportin për Raundin e katërt të vlerësimit për Shqipërinë “Parandalimi i korrupsionit në lidhje me anëtarët e parlamentit, gjykatësit dhe prokurorët” të publikuar nga GRECO (Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit), KLD thekson se është bërë një vlerësimin real dhe objektiv i situatës së sistemit gjyqësor në Shqipëri dhe problematikave kryesore të tij.
 
KLD i referohet raportit për vlerësimet e bëra lidhur me sistemin e drejtëisë në vend, ku thuhet se “Gjyqësori shqiptar është duke vuajtur nga niveli i ulët i besimit të publikut dhe pushteti i tij mbetet i dobët”, por përmend se “në kapitullin për gjyqësorin, raporti ka pasqyruar realisht punën e bërë së fundmi nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Inspektorati i tij, në kontrollin, përmirësimin dhe forcimin e pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri”.
 
Në raport evidentohet fakti se në vitin 2013, KLD-ja i ka dorëzuar Ministrit të Drejtësisë shumë kërkesa për mundësinë e fillimit të procedurave disiplinore për gjyqtarët e gjetur me shkelje pas kontrolleve të ushtruara nga Inspektorati i KLD-së.
 
Në raport është konstatohet me sy kritik fakti që "Gjyqësori nuk ka kontroll mbi zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe se e drejta për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve të gjykatës i takon ekskluzivisht të Ministrit të Drejtësisë”.
 
Duke i konsideruar me vend Rekomandimet e GRECO-s, Këshilli i Lartë i Drejtësisë përcakton hapat që duhen ndjekur me synimin për të siguruar mbrojtje kundër ndërhyrjes arbitrare në administrimin e drejtësisë.
 
“i) duhet të përcaktohen në mënyrë të qartë shtrirja e së drejtës së Ministrit të Drejtësisë për të shqyrtuar funksionimin e shërbimeve gjyqësore e administrimin gjyqësor, siç parashikohet në nenin 31 të ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë", dhe
 
ii) kryetarët e gjykatave përkatëse, duke përfshirë edhe atë të Gjykatës së Lartë, të kenë të drejtë për të filluar procedurat disiplinore ndaj gjyqtarëve.
 
i mbështet fuqishëm ato dhe njëherazi inkurajon institucionet përkatëse për marrjen e masave ligjore për implementimin e këtyre rekomandimeve në një kohë sa më të shpejtë në legjislacionin shqiptar”, thuhet në njoftim.
 
KLD, i konsideron tepër të vlefshme sugjerimet e GRECO, në gjetjet e zgjidhjeve përkatëse për disa problematika që shqetësojnë sot sistemin gjyqësor, reformimi i të cilit është një ndër prioritetet kryesore të Këshillit.
 
“KLD falënderon GRECO dhe shtetet anëtare për ndihmën që ato i kanë dhënë Republikës së Shqipërisë që të identifikojë mangësitë në politikat kombëtare anti-korrupsion, duke nxitur reformat legjislative, institucionale dhe vënien e tyre në jetë. GRECO ofron një platformë reale për të shkëmbyer praktikat më të mira në parandalimin dhe zbulimin e korrupsionit”, vijon njoftim i KLD.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)