TIRANE - Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë u vendos rrëzimi i kërkesës së Ministrit të Drejtësisë për dhënien e masës disiplinore ‘vërejte’ ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Dhurata Bilo, si dhe shtyrja e shqyrtimit të 4 (katër) kërkesave të tjera për procedim.

Këshilli vendosi gjithashtu vlerësimin “Shumë mirë” për gjyqtaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, Marina Raboshta.

EMERIMET
Fatmir Islamaj do të jetë Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili u votua unanimisht në mbledhjen e sotme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
“Vendimmarrja e Këshillit u bazua në vlerësimin e punës dhe integritetin e lartë të gjyqtarit Islamaj, por edhe në ndryshimet pozitive të konstatuara në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë gjatë periudhës kohore që Islamaj ushtroi funksionin e kryetarit në detyrë”, bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të KLD.

Mbledhja e Këshillit vijoi me emërimin e Kryeinspektorit pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Marsida Xhaferllari, duke vlerësuar integritetin, rezultatet e saj si magjistrate, por dhe eksperiencën e gjatë dhe të suksesshme në funksionet drejtuese të administratës shtetërore.
Ilir Mustafaj u zgjodh me unanimitet si përfaqësues i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Komisionin Administrues të Testimit kualifikues për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë dhe Apelit.

Gjithashtu Këshilli vendosi caktimin e disa prej anëtarëve të tij në komisione apo grupe pune të ndryshme, ku pjesëmarrja e përfaqësuesve të KLD është kërkesë ligjore.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)