KLD rrëzon propozimin e Naços
për procedimin e një gjyqtari

TIRANE- Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka rrëzuar propozimin e ministrit të Drejtësisë Nasip Naço për procedimin e një gjyqtari. Kreu i Drejtësisë propozoi transferimin e gjyqtarit E.P. në një gjykatë më të ulët, por KLD në mbledhjen e sotme e rrëzoi këtë propozim.

"Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli shqyrtoi propozimin e Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor të gjyqtarit E.P. Pas diskutimeve mes anëtarëve, bazuar në kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, Këshilli vendosi: Të rrëzojë propozimin e parë të Ministrit të Drejtësisë për dhënien e masën disiplinore transferim, për një periudhë 2 (dy) vjeçare, në një gjykatë të një niveli më të ulët për gjyqtarin E.P. Pas kësaj vendimmarrje, nuk u propozua asnjë masë tjetër disiplinore për gjyqtarin në fjalë", thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ndërkaq, KLD pas kërkesës së Ministrit të Drejtësisë, ka vendosur të shtyjë për një kohë të shkurtër përcaktimin e vendeve vakante në dispozicion të magjistratëve që kanë përfunduar studimet për vitin akademik 2013 – 2014; ndërsa ka propozuar si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Vlorë, Klodiana Gjyzarin.

Këshilli vendosi edhe për çështje të tjera të parashikuara në rendin e ditës si: Miratimi i kërkesave të disa gjyqtarëve për mësimdhënie, delegimi i disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore në gjykata të tjera nga ato ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit etj.

Gjithashtu, Këshilli, shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, për vitet 2007-2009, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 "Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve". Pasi shqyrtoi ankimet përkatëse, Këshilli miratoi aktet e Vlerësimit për 5 (pesë) gjyqtarët e mëposhtëm:

- Sokol Ibi, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Korçë;
- Sonjela Voskopi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë;
- Niko Rapi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec;
- Admir Belishta, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë;
- Valbon Çekrezi, Gjykata e Apelit Durrës;

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës