Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur që të shtojë 6 gjyqtarë në Gjykatën e Apelit Administrativ. Emërimet e gjyqtarëve janë bërë sot në mbledhjen e radhës së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nën drejtimin e Presidentit Bujar Nishani, që është kryetar i KLD-së.
 
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka zgjedhur Astrit Haxhialushi dhe Albana Shtylla si anëtarë të komisionit për vlerësimin paraprak të kanditaturave për funksionet drejtues në gjykata.

Këshilli miratoi programet e përgatitura nga Kryeinspektori i KLD, "Për vlerësimin profesional dhe etik të gjyqtarëve dhe të inspektorëve që duhet të vlerësohen përgjatë vitit 2016" dhe "Mbi përcaktimin e kryetarëve të gjykatave që do t'i nënshtrohen vlerësimit për dy vjet në detyrë gjatë vitit 2016".

Po ashtu,  Petrit Çomo dhe Gerd Hoxha, janë zgjedhur anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në përbërje të Grupit të Punës për Sistemin e Pikëzimit, për vitin 2016, si dhe caktimin e Artan Broci si përfaqësues i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Komitetin Disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Këshilli ka vijuar me zhvillimin e proçedurës për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet dhe kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë.

Këshilli ka vendosur emërimin si kryetar të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, të Pashk Gjaci dhe si kryetar të Gjykatës së Parë Pukë Izet Kadana.


Këshilli vendosi rikthimin në vendin e mëparshëm të punës, pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër të Izet Salaj.

Më pas ai rishpalli dy vende vakante për inspektor pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe një vend vakant për inspektorë pranë këtij Inspektorati.

Gjithashtu Këshilli shqyrtoi dhe miratoi kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, për kryerjen e inspektimit të përbashkët me Inspektoratin e KLD-së, ndaj veprimtarisë gjyqësore të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Korçë, S.K.

KLD shqyrtoi e miratoi kërkesën për dorëheqje nga detyra e gjyqtarit, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, Liradin Lila, si dhe miratoi propozimin e ministrit të Drejtësisë për shpalljen e vendit vakant për gjyqtar, në gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec dhe një vendi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë.

Bazuar në informacionin e Prokurorisë për Krime të Rënda, anëtarët e Këshillit vendosën të shkarkojnë nga detyra P.A, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe shpalljen e vendit vakant në këtë gjykatë.

KLD shqyrtoi propozimin e Ministrit të Drejtësisë për dhënie mase disiplinore ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, E.D. Këshilli vendosi të pezullojë shqyrtimin e proçedimit disiplinor, deri në momentin që ndaj gjyqtares të ketë një vendim gjyqësor.

Këshilli ka rrëzuar kërkesën e Ministrit të Drejtësisë për proçedimin disiplinor të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, O.A.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)