TIRANE- Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka zgjedhur sot kryetarin e Gjykatës Administrative të Apelit. Pasi dëgjuan platformat e dy kandidatëve për këtë post, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin e Kastriot Selitës, si Kryetar i Gjykatës së Apelit Administrativ.

Ndërkaq, anëtarët e Këshillit diskutuan dhe miratuan raportin "Mbi ecurinë e kandidaturave për Funksionin Drejtues të kryetarit" të hartuar nga Zëvendëskryetari i KLD.

KLD ndërkaq shqyrtoi dhe votoi kandidaturat për gjyqtarë, për plotësimin e një vendi vakant në Gjykatën e Apelit Korçë dhe një vendi vakant në Gjykatën e Apelit Gjirokastër. Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash, vendosi t'i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e gjyqtarit Olsi Xhavella në Gjykatën e Apelit Korçë dhe të gjyqtarit Enton Dhimitri në Gjykatën e Apelit Gjirokastër.

Në mbledhjen plenare të sotme, Këshilli vendosi me unanimitet, riemërimin për një periudhë 4-vjeçare të Fatri Islamajt, si anëtar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)