Për të, Kinostudioja nuk ishte thjesht një vend pune, por një laborator krijimi!

Bashkë me të tjerë artistë, Kleo Nini punonte për të ndërtuar botën vizuale të filmit shqiptar.

Një pjesë e kësaj bote të veçantë “rrëfehet” përmes posterave të filmave për të cilët ai punoi ndër vite dhe që ekspozohen në Galerinë e Tiranës.

“Kleo Nini: Një jetë mes filmit dhe pikturës” është ekspozita, që zbulon një artist që lëvizi vazhdimisht mes pikturës dhe kinemasë, mes peizazhit real dhe imagjinatës filmike. Në qendër të ekspozitës qëndrojnë jo vetëm veprat e përfunduara, por edhe procesi krijues: bocetet, skicat dhe vizatimet që dëshmojnë raportin e pandërprerë të artistit me linjën dhe vizatimin.

“Ekspozita ‘Një jetë mes filmit dhe pikturës’ është një rrugëtim i gjithë jetës së tij artistike. Është shumë e rëndësishme që në këtë ekspozitë janë të gjitha punët e tij që nga pikturat, grafikat, vizatimet dhe skicat e tij deri te pikturat e realizuara, pra që nga bocetet deri te pikturat, por sidomos posterat e filmave, të cilat ai i ka realizuar në vite të ndryshme.”, thotë për “Report TV”, Tana Kalemaj, Menaxhere e komunikimit në Galerinë e Tiranës (GAT).

I diplomuar për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë në vitin 1968, Kleo Nini është vlerësuar si një mjeshtër që ka ndërtuar një karrierë të dyfishtë si piktor i peizazheve dhe si një nga skenografët dhe piktorët kryesorë të filmave në Kinostudion “Shqipëria e Re”.

Për më shumë se 25 vjet, ka qenë pjesë e rëndësishme e prodhimit të dhjetëra filmave shqiptarë, duke kontribuar si piktor i afisheve të filmave, kostumograf dhe skenograf. Ai ka lënë gjurmë në kinematografi me punën e tij për filma, si: “Pylli i Lirisë” (1976), “Dollia e Dasmës Sime” (1978), “Kthimi i ushtrisë së vdekur” (1989), “Mëngjese lufte” (1971) apo “Udhëtim në pranverë” (1975). Ekspozita e çelur në GAT vjen e kuruar nga Genti Gjikola.