TIRANE-Merr fund debati, KLGJ i jep të drejtë Presidentit Ilir Meta duke larguar Ardian Dvoranin. Me vota 6 pro dhe 4 kundër, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi pasditen e sotme mbarimin e mandatit të Ardian Dvoranit si anëtar i Gjykatës së Lartë, rrjedhimit ikën edhe nga drejtimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Mbledhja e sotme e KLGJ-së për Dvoranin u shoqërua me debate të forta mes anëtarëve. Relatorja Marcela Shehu deklaroi para anëtarëve të KLGJ-së se Ardian Dvoranit i ka mbaruar detyrimi kushtetues për të pritur pasardhësin e tij pas zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Po sipas saj, qëndrimi në detyrë i Dvoranit do të cenonte dhe vendoste në rrezik parimet e Kushtetutës. I të njëjtit mendim me Shehun ishte edhe Alban Toro. Po ashtu edhe Brunilda Kadi tha se Dvoranit i ka përfunduar detyrimi për të qëndruar në Gjykatën e Lartë.

Por anëtarja Brikena Ukperaj ishte kundër. Ajo u shpreh se detyrimi i Ardian Dvoranit për të mbajtur detyrën e gjyqtarit të Lartë nuk ka mbaruar. Sipas saj, detyrimi i tij mbaron në momentin e zgjedhjes së anëtarit të katërt që vjen nga radhët e juristëve të spikatur. Edhe Erjon Muharremaj u shpreh se Dvorani e ka përmbushur detyrimin në kushtet kur janë emëruar 3 gjyqtarë.

Në fund të debateve, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi me 6 vota pro dhe 4 kundër për mbarimin e mandatit të Dvoranit. Tashmë që duhet të lirojë zyrën si anëtar i Gjykatës së Lartë dhe kryetarit të KED-së, KLGJ me shumicë votash vendosi që Dvorani të caktohet në një pozicion në Gjykatën e Apelit. Ndërkohë, vendin e Dvoranit tashmë do ta marrë një nga anëtarët e Gjykatës së Lartë, të emëruar në 11 mars të këtij viti nga presidenti, Sokol Sadushi, Ervin Pupe dhe Ilir Panda. Ligji numër 115/2016 për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, në nenin 226, parashikon pikërisht se anëtari i Gjykatës së Lartë është kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Por si lindi debati? Presidenti Ilir Meta kërkoi largimin e Ardian Dvoranit nga detyra me argumentin se pas zgjedhjes së tre anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë në mars të këtij viti, atij i kishte mbaruar detyrimi kushtetues për të qëndruar më në detyrë. Në luftën e ftohtë mes KED-së së drejtuar nga Dvorani dhe Presidentit, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të marrë një mendim nga EURALIUS dhe OPDAT. Por si EURALIUS dhe OPDAT refuzuan të japin opinion në lidhje me rastin e mandatit të Ardian Dvoranit.

Ata u shprehën se kjo çështje nuk zgjidhet me opinione por duhet një vendim i Këshillit të Lartë Gjyqësor, që e mori sot pas tre orësh debate. Tashmë zgjidhet edhe ngërçi i krijuar. Kujtojmë që lufta e ftohtë me akuza dhe padi deri në SPAK mes Metës dhe Dvoranit filloi që vitin e kaluar, pasi KED është institucioni që bën përzgjedhjen e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese. Pikërisht për këtë, pra renditjen dhe listat me pikëzimin, që i dërgoi parlamentit dhe tij, Ilir Meta akuzoi Ardian Dvoranin dhe cështja shkoi deri në Komisionin e Venecias.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:46
KLGJ e largoi nga detyra/ Dvorani: Juridikisht gafë e paimagjinueshme! Të shohim ç'do katranosin në arsyetim

"Juridikisht është një gafë e paimagjinueshme"! Kështu e ka cilësuar Ardian Dvorani shkarkimin si anëtar i Gjykatës së Lartë, rrjedhimit ikën edhe nga drejtimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi

"Për momentin nuk kam reagim. Juridikisht është një gafë e paimagjinueshme. Por duhet të shikoj çfarë do të katranosin në arsyetim. Reforma e drejtësisë ka ende rrugë të gjatë për të provuar qëllimin e mirë të saj. Votimi ka qene 6 me 4", tha Dvorani.