Klientët po heqin eurot nga bankat
tërhiqen  110 mln euro në 6 muaj

Klientët po heqin eurot nga bankat<br />tërhiqen  110 mln euro në 6 muaj
TIRANE - Bankat që operojnë në vend po regjistrojnë jo vetëm largimin e kapitaleve të tyre në valutë jashtë vendit, drejt bankave-mëmë, të ndodhura në vështirës për shkak të krizës. Ato po përjetojnë gjithashtu edhe largimin e një pjese të depozitave bankare nga klientët, të cilët, edhe ata, po kalojnë kohë të vështira dhe kanë mungesa në likuiditet.

Që nga shtatori i vitit të kaluar, kur u shfaq tendenca e mos-rritjes apo dhe edhe e rënies në nivelin e përgjithshëm të kursimeve bankare, kanë qenë depozitat në valutë ato që kanë shënuar rënien më të lartë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në gjashtë muajt e fundit (tetor 2012 deri në mars 2013), depozituesit në Shqipëri kanë tërhequr nga bankat e nivelit të dytë një shifrë prej rreth 110 milionë eurosh kursime në valutë.

Rënia më e madhe është shënuar në muajt nëntor 2012 dhe mars 2013. Rënie, në mënyrë gati të barabartë, kanë shënuar si depozitat e individëve ashtu dhe ato të korporatave të tjera jofinanciare.

Në fund të marsit, depozitat në valutë përbënin 48.2% të totalit, nga 50% që arriti pesha e tyre në gusht. Në total, në fund të muajit mars të këtij viti, sipas statistikave të bankës qendrore të vendit, depozitat kanë shënuar një rritje me 1.8 miliardë lekë, apo 0.19% në krahasim me fundin e vitit 2012. Por, vetëm një vit më parë ndryshimet përkatëse ishin 9.4 miliardë lekë dhe 1.1%.

Ndryshimi vjetor ka qenë në rritje, po të merret për bazë muaji i tretë i dy viteve të njëpasnjëshëm (mars 2013 - mars 2012), që shënoi në total 5.4% më shumë kapital. Por, gjithnjë edhe kjo shifër është në rënie. Një vit më parë, ky ndryshim në shkallë 12-mujore rezultoi 10.8%.

Që prej muajit shtator të vitit të kaluar, ritmi i rritjes së depozitave është ngadalësuar ndjeshëm, duke reflektuar vështirësitë nga kriza që po kalojnë konsumatorët, që nuk po arrijnë të kursejnë dhe bizneset, që po zbrazin llogaritë në banka, si rrjedhojë e problemeve të likuiditetit.

Transfertat e bankave me aksionerë të huaj kanë qenë 333 milionë euro vitin e kaluar. Të dhënat e fundit zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se fondet që bankat shqiptare kanë investuar jashtë shtetit arritën, si total, në fund të vitit të kaluar rekordin historik në nivelin e 2.5 miliardë dollarëve. Kjo shifër është e barabartë me 27 për qind të të gjitha depozitave që shqiptarët kanë vendosur në banka.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 15.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë