Pas dy dekadash, Panairi Ndërkombëtar i Tiranës i Klik Ekspo Group, tashmë është shndërruar në simbolin identifikues të biznesit shqiptar në botë, por njëkohësisht dhe një urë lidhëse mes bizneseve shqiptare dhe atyre të huaja. Panairi Ndërkombëtar i Klik Ekspo Group, që do të mbahet në ambientet e Pallatit të Kongreseve më 23 deri më 27 nëntor, risjell falë bashkëpunimit me Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë dhe nën kujdesin e veçantë të Ministrit Saimir Tahiri, Ekspozitën për Mbrojtjen dhe Sigurinë, ALMEX III. Do të jetë vetë Ministri i Brendshëm i Shqipërisë z.Saimir Tahiri, i cili do të përurojë këtë ekspozitë dhe do të prezantojë prioritetet e qeverisë shqiptare në fushën e sigurisë.
Edicioni i këtij viti do të sjellë surpriza. Veç bashkëpunimit me shtetet e njohura tashmë, të cilat prej vitesh janë pjesë e eksponateve ndërkombëtare të Klik Ekspo Group, një pjesëmarrje e re e mirëpritur ketë vit është "Pavioni i Taivanit". Eshtë hera e parë që një delegacion përfaqësues i biznesit nga Taivani merr pjesë në një panair shqiptar. Ndërmarrjet nga Taivani sjellin produktet e tyre të teknologjisë së fundit, duke dëshmuar se biznesi taivanez e ka shenjestruar Panairin Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga Klik Ekspo Group si një platformë ideale për të hyrë në ketë treg rajonal, si dhe për të zhvilluar partneritete afatgjata me kompanitë shqiptare. Edhe këtë vit, Pavijonet monosektoriale në intervale të përvitshme, ecin paralel me sektorët prioritarë dhe epërsitë e zhvillimit ekonomik: Ndërtimi dhe energjetika, burimet e rinovueshme të energjisë, industria kimike dhe farmaceutike, industria ushqimore dhe ambalazhimit, IT dhe risitë teknologjike, mbrojtja e mjedisit janë "kryefjala" e Panairit të nëntorit.
Qëllimi kryesor i Panairit Ndërkombëtar të Klik Ekspo Group në këto dy dekada ekzistencë të tij, ka qenë prezantimi i i një Shqipërie me pasuri të mëdha natyrore, të cilat presin shfrytëzimin e tyre nga bizneset më të mëdha ndërkombëtare. Klik Ekspo Group ka dashur dhe ja ka arritur në 20 vite, t'u mësojë bizneseve të huaja të flasin shqip dhe t'i nxisë ato të investojnë në Shqipëri. Edhe këtë vit, Panairi Ndërkombëtar i Klik Ekspo Group do të tregojë se sa e vogël është bota dhe se ajo mund të mblidhet e gjitha në një Panair. Panairi Ndërkombëtar i Tiranës i organizuar nga Klik Ekspo Group e orienton vizitorin në Sallonin Ndërkombëtar të Agrobiznesit apo ALMEX - Ekspozita Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe Sigurinë.
Galeria e shteve e krijuar me shumë kujdes e pasion nga Klik Ekspo Group, që në vitin 2001, ofron një mundësi përqasje e testim interesi edhe ketë edicion. Kjo galeri tregon besimin universal që, edhe nëse Shqipëria është një treg i vogël në vetvete, serish përfaqëson një vendkalim kryesor - në një zonë e treg shumë të madh si Ballkani dhe Evropa Juglindore. Përfaqësojnë vendin e tyre në ketë event të nëntorit ekspozues nga Kosova, Maqedonia, Serbia, Bullgaria, Greqia, Bosnjë Hercegovina, Sllovenia, Kroacia, Italia, Franca, Sllovakia, Hungaria, Republika Çeke, Austria. Por edhe ato realitete biznesi të cilat janë prezente si ekspozues në mënyrë alternative ose të përvitshme që vinë nga India, Polonia, Austria, Belgjika, Spanja, Argjentina.
Aktivitetet më të rëndësishme që do të zhvillohen në ketë Edicion janë: Përurimi i Ekspozitës për Sigurinë dhe Mbrojtjen, ALMEX III, ditën e diel, 24 Nëntor 2013, ora 11.00 në Pallatin e Kongreseve me pjesmarrjen e Ministrit të Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri; Përurimi i Sallonit të Agrobiznesit;Ceremonia e çmimeve të “Festivalit të Verës”; konferenca me temë “Zhvillimi rural nëpërmjet rritjes së konkurueshmërisë së produkteve organike & tipike” e organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave që do të zhvillohet ditën e henë ora 17.00 me pjesëmarrjen e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z.Ilir Meta, Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z.Edmond Panairit; konferenca me temë “Mjekësia e gjeneratës tjetër” e organizuar nga Spitali Salus ditën e henë, datë 25 Nëntor ora 10.30 me pjesëmarrjen e mjekëvë më në zë shqiptarë dhe italianë; takimet B2B dhe konferencat e shtypit të organizuara ditën e martë dhe të mërkurë nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Velexpo dhe Pavioni i Taivanit; në datë 25 Nëntor ora 15:00 Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregëtisë në Shqipëri (DIHA) zhvillon një takim mes Dhomave dhe Shoqatave dypalëshe në Shqipëri.
Shkrimi u publikua sot (23.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)