Ish-trajneri i Gjermanisë, Jurgen Klinsmann, ka lëshuar kritika të forta ndaj sistemit të futbollit italian, duke vënë në dyshim mënyrën se si zhvillohen talentet e reja.

Në një intervistë për RAI, ai deklaroi se qasja konservatore e klubeve në Itali shpesh pengon rritjen e lojtarëve të rinj, duke bërë një krahasim të drejtpërdrejtë me dy nga talentet më të mëdhenj të momentit; Lamine Yamal dhe Jamal Musiala.

“Në Itali, Yamal dhe Musiala me shumë gjasa do të luanin në Serie B për të fituar përvojë. Dhe kjo nuk duhet të ndodhë”, u shpreh Klinsmann, duke theksuar mungesën e besimit ndaj të rinjve në klubet italiane.

Ai kritikoi gjithashtu mentalitetin taktik të trajnerëve, duke argumentuar se shumë prej tyre fokusohen më tepër te shmangia e humbjes sesa te kërkimi i fitores, çka sipas tij ndikon negativisht në zhvillimin e futbollit modern.

Deklaratat e Klinsmann vijnë në një moment delikat për kombëtaren italiane të futbollit, e cila po kalon një periudhë të vështirë. “Azzurrët” u eliminuan nga Bosnje Hercegovina në fazën “play-off”, duke humbur mundësinë për të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026 për herë të tretë radhazi.

Italia mungon në një Botëror që prej vitit 2014, një fakt që shton presionin mbi strukturat dhe filozofinë e futbollit në vend, teksa kreu i Federatës, Gravina, shefi i delegacionit Buffon dhe trajneri Gattuso dhanë dorëheqjen pas dështimit.