Klosi: Berisha e do KQZ për
manipulimin masiv të zgjedhjeve

Klosi: Berisha e do KQZ për<br />manipulimin masiv të zgjedhjeve
TIRANE - Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” ish-kreu i SHISH njëherësh ish-sekretar i KQZ më 1997, Fatos Klosi është shprehur se Berisha po tenton të manipulojë zgjedhjet, teksa këmbëngul fort për të mbajtur kontrollin mbi KQZ, duke kryer dhe veprime antiligjore për marrjen e një anëtari në këtë komision.

Klosi ka nënvizuar se ndërkombëtarët duhet të reagojnë fort në lidhje me këto përpjekje të Berishës, pasi pretendimin e tij për të prishur zgjedhjet kryeministri po i shfaq hapur.

Ndërsa ka vlerësuar koalicionin mes PS dhe LSI, i cili do të maksimalizojë votën dhe do të garantojnë rotacionin politik pas tetë vitesh, Klosi nuk ka munguar të shprehet se votimet e deputetëve të PS për mbajtjen në këmbë të Berishës duhet të marrin fund, për të parë nga e ardhmja.

Nga ana tjetër në lidhje me akuzat për përgjim të liderëve të opozitës, Klosi ka nënvizuar se nuk do të ishtë çudi një fakt i tillë, por nuk sjell asnjë dëm, pasi tashmë gjithçka thuhet hapur sepse partitë janë në fushatë elektorale.

PD menjëherë pas largimit të LSI nga koalicioni qeverisës kërkon marrjen e anëtarit të KQZ që tashmë mbahet nga përfaqësuesi i LSI për t’ia kaluar PR në koalicion me PD. Komenti juaj?
Po të kujtojmë zgjedhjet e fundit për Bashkinë e Tiranës do ta kuptojmë menjëherë se KQZ ka qenë për PD një institucion i rëndësishëm në manipulimin e zgjedhjeve. Pa atë maskaradë që u bë në atë institucion, rezultati do të ishte fare tjetër dhe, për këtë “vepër”, ish Kryetari i KQZ mori dhe shpërblimin “që meritonte”, u emërua zëvendësministër në ministrinë përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve.

Berishës me siguri i duket se do të futej me “një dorë më pak” në zgjedhje, nëqoftëse nuk do të kishte shumicën në KQZ. Pretendimi i mazhorancës nga pikëpamja ligjore është absurd. Kujtimi i “marrëveshjes” që qenka bërë 10 vite më parë, për të shkelur një ligj të cilit akoma nuk i është tharë boja është edhe më absurd dhe tregon se sa keq janë me argumente, për atë që pretendohet.

Me këtë që kërkohet, KQZ konsiderohet prej tyre një institucion i përfaqësimit politik dhe betimi i anëtarëve të Komisionit (Neni 13) se “… do të ruaj paanësinë në kryerjen e detyrës si anëtar i KQZ dhe do të tregoj profesionalizëm në kryerjen e saj”, qenka një frazë boshe.

Balancimi që pretendohet, sipas ligjit i takon vetëm fazës së propozimeve. Nga ana tjetër mandati 6 vjeçar i anëtarit të KQZ është bërë tamam për ta siguruar dhe për ta bërë statusin e tij të pavarur nga situatat konkrete politike. Ajo që kërkohet është hapur në shkelje të Kodit zgjedhor.

Ndërkombëtarët dhe opozita reaguan, ndërkohë që votimi u shty për të hënën. Mendoni se duhet një gjuhë më e qartë e ndërkombëtarëve për të kundërshtuar këtë cenim të ligjit, duke i dhënë më shumë peshë një marrëveshje të bërë 10 vjet më parë?
Reagimi është i domosdoshëm pasi kërkesa dhe përpjekjet për ta realizuar zbulojnë hapur planet për angazhimin e KQZ-së në manipulimin e rezultateve të zgjedhjeve. Ndërsa përsa i takon ndërkombëtarëve, nëqoftëse duan vërtet ta ndihmojnë këtë vend, në këtë rast i kanë të gjitha argumentet për të qenë të prerë në opinionet e tyre.

Në këtë rast unë “shoh ujkun që vjen përballë, gjurmët janë…”. Pranimi i shtyrjes mbase lidhet dhe me pasigurinë e rezultatit të votimit, mbase dhe me reagimin e fuqishëm, por që gjithësesi, Berishës nuk i duhet besuar në asnjë rrethanë.

Firmat lobuese të qeverisë, Podesta kryesisht ka filluar një fushatë sensibiluese që anëtari i KQZ t’i kalojë përfaqësuesit të PR. Mendoni se mund të ndikojë në zbutjen e qëndrimit ndaj Berishës të ndërkombëtarëve dhe çfarë pasojash ka?
Nëqoftëse po lobohet për shkeljen e ligjit, sigurisht po bëjnë një gabim shumë të madh. E thashë dhe pak më lart, në këtë rast problemi i ngritur është antiligjor dhe kryesorja mban era manipulim, prandaj do t’i ftoja “këta miq” që të maten mirë para se të na i japin “këshillat” e tyre.

Berisha kërkon një anëtar të KQZ, çfarë humb PD nëse i kalon mazhoranca në këtë komision opozitës, dhe pse e kërkon me kaq ngulm Berisha?
Berisha humb mundësinë për ta përdorur KQZ për të marrë vendimet që e ndihmojnë për të bërë atë që do ai me rezultatet e zgjedhjeve. Ngulmimi i tij tregon se në planet dhe parashikimet e tij KQZ, zë një vend të rëndësishëm në këtë aspekt.

Çfarë duhet të bëjë opozita nëse ndodh realizimi i qëllimit të Berishës për të zhbërë ligjin dhe marrë institucionet?
Opozita nuk duhet ta lejojë një gjë të tillë, ai nuk e ka më mazhorancën në Parlament dhe një votim me “kuislingë” duhet denoncuar me forcë. Në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar shkelja e ligjit, do të ishte një ogur i keq për zgjedhjet e ardhshme, që mezi priten nga i gjithë populli.

Si e konsideroni kalimin e LSI në koalicion me PS dhe sa garanton fitoren në zgjedhje të opozitës?
Kalimi i LSI në koalicion parazgjedhor me PS është një hap i rëndësishëm në forcimin e frontit “antiBerishë”, në suksesin e një rotacioni të shumëpritur në qeverisjen e vendit. Por garantimi i fitores kërkon dhe përpjekje të tjera, sidomos kur kemi parasysh se me kë po përballemi.

Angazhimi i gjithë frontit opozitar duhet të jetë maksimal deri në numërimin e votës së fundit dhe shpalljen e rezultatit përfundimtar. Përçapjet e fundit të Berishës na bindin se ai do të bëjë gjithçka që do mundet për ta manipuluar rezultatin, i cili siç beson shumica e popullit, është humbës për të.

Nënkryetari i grupit të PS, njëherësh anëtar i Kryesisë së PS akuzoi qeverinë se ka përgjuar opozitën dhe më konkretisht takimin mes Ramës dhe Metës. Komenti juaj?
Nuk do të çuditesha, mjetet i ka dhe dëshirën sigurisht e ka. Megjithatë nuk do ta quaja këtë fakt shumë të rëndësishëm, tani “zaret janë hedhur”, jemi futur prej kohësh në një fushatë reale zgjedhore, ku gjërat do të fillojnë të thuhen gjithmonë e më hapur. Fushata bëhet që të gjithë të dinë gjithçka, s’kemi se për kur, të ruhemi më.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Nëna me 3 fëmijët hidhen në lumin Bunë! Vazhdojnë kërkimet për 39-vjeçaren dhe dy fëmijët e tjerë

Nëna me 3 fëmijët hidhen në lumin Bunë! Vazhdojnë kërkimet për 39-vjeçaren dhe dy fëmijët e tjerë