“Ky lloj investimi do të rrisë punësimin sezonal dhe do të shumëfishojë prodhimin”, shprehet Klosi.
Ai shton se Tokat e degraduara kanë potencial zhvillimi agropyjor edhe në zonat e thella të vendit. Ministri i Turizmit, me datat 23-24 shkurt, fton të gjithë Shqipëria nga veriu në jug, për t’u bashkuar me nismen e tyre në Ditët e Pemëve
Njoftimi për shtyp
16 mijë fidanë të rinj gështenjash i shtohen fondit pyjor në Pukë. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ishte i pranishëm në njësinë administrative Qerret për të finalizuar mbjelljen e 4 mijë fidanëve të parë, mundësuar nga projekti holladez CNVP dhe bashkia Pukë në kuadër të Programit të Gjelbërimit të vendit.
Ministri Klosi tha se projekti për mbjelljen e 20 milionë e 200 mijë fidanëve deri në vitin 2020, jo vetëm që synon pyllëzimin e Shqipërisë por i shërben drejtpërsëdrejti komunitetit duke forcuar ekonominë nëpërmjet rritjes së punësimit dhe prodhimit. Territoret e braktisura dhe të degraduara kërkojnë vëmendje të veçantë nga biznesi pasi ato përbëjnë një potencial të lartë për zhvillimin e sektorit pyjor dhe agropyjor dhe forcon ekonominë e familjeve fermere në zonat më të thella të vendit- “Jemi këtu në një zonë të lënë shumë larg vëmendjes së bizneseve, ndaj kemi ardhur së bashku me një grup të madh ekspertësh për t’i rikthyer një ndjesi shumë pozitive kësaj zone, për të mbjellë 4 mijë fidanët e parë, për të dhënë 4 mijë mundësi më shumë për ekonominë familjare të kësaj zone dhe po ashtu për të vazhduar projektin tonë për të pyllëzuar sa më shumë Shqipërinë”- tha Klosi. Nga projekti përfitojnë punësim sezonal 100 vetë ndërsa familjet e zonës do të kenë një prodhim shumëfish më të lartë.
Kreu i Turizmit dhe i Mjedisit shprehu bindjen se në Ditët e Pemëve, më 23-24 shkurt në të gjithë vendin do të ketë një përfshirje shumë të madhe të qytetarëve për të mbjellë më shumë pemë, me qëllim krijimin e një mjedisi të shëndetshëm dhe një ekonomie më të fortë. Mbështetjen e pushtetit lokal në zbatimin e programit të mbjelljes së pemëve, e dha prefekti i qarkut Shkodër ndërsa përfaqësuesi CNVP- së, shprehu gadishmërinë e projektit hollandez për të vijuar zbatimin e plotë të projektit dhe ndihmën për banorët e zonës.
Gështenjat janë nga të vetmet pemë më produktive të kësaj zone dhe kërkesa e tregut ka rritur interesin e banorëve për t’i kultivuar duke shndërruar tokat inproduktive në dobi të përmirësimit të ambjentit dhe ekonomisë lokale. Mbjellja e 16 mijë fidanëve të gështenjave përfundon në fund të këtij muaji duke i shtuar fondit pyjor 35 hektarë pyllëzim.
Fjala e ministrit Klosi
Së bashku me prefektin dhe me ekspertët e mbështetur nga qeveria hollandeze nëpërmjet projektit CNVP, ne jemi sot këtu në Pukë për mbjelljen e 4 mijë fidanëve të parë të gështenjës,për të shkuar gjatë këtij sezoni në 16 mijë fidanë, të cilët do t’i shërbejnë drejtpërsëdrejti komunitetit.
Kemi lançuar tashmë projektin tonë të mbjelljes së 20 milonë e 200 mijë fidanëve, të cilët në masën e tyre më të madhe do t’i shërbejnë komunitetit, do t’i shërbejnë njerëzve. Jemi këtu në një zonë të lënë shumë larg vëmendjes së biznesve, vëmendjes së kompanive të ndryshme, prandaj kemi ardhur së bashku me një grup të madh ekspertësh për t’i rikthyer një ndjesi shumë të madhe pozitive kësaj zone, për të mbjellë 4 mijë fidanët e parë, për të dhënë 4 mijë mundësi më shumë për ekonominë familjare të kësaj zone dhe po ashtu për të vazhduar projektin tonë për të pyllëzuar sa më shumë Shqipërinë. Në datën 23-24 shkurt kur janë ditët e pemëve ne në këtë zonë do të kemi një përfshirje shumë më të madhe banorësh për të mbjellë më shumë pemë, për të dhënë më shumë shpresë, për të dhënë më shumë mundësi financimi për të mira materiale. Jemi besimplotë që projekti ynë 20 milionë e 200 mijë pemë deri në vitin 2020 do të gjejë mbështetje shumë të madhe nga banorët e qytetarët e thjeshtë nga veriu në jug të Shqipërisë, të cilët duan natyrën, duan pemën dhe duan që ne të prodhojmë në tokën shqiptare.
d.gj/ Shqiptarja.com

VIDEO









