MALËSI E MADHE – Nga 225 persona që ndodhen në paraburgim në burgun e Reçit, vetëm 10 prej tyre janë për krim të organizuar dhe korrupsion. Këto shifra u sollën në vëmendje nga kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mediat, Jorida Tabaku, e cila kundërshtoi argumentet e mazhorancës për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, sa i takon masës së sigurisë “arrest në burg”.

“Kjo do të thotë se retorika e qeverisë për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale nuk qëndron. Ata pretendojnë se duan të lehtësojnë trajtimin e veprave të lidhura me krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe t’i presin duart SPAK-ut. Por pretendimi i tyre nuk mbështetet në shifra. Sipas të dhënave zyrtare të burgut, vetëm 2–3 për qind e personave në paraburgim janë subjekte të SPAK-ut", tha Tabaku. 

Tabaku theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon vullnet politik të qëndrueshëm, ndërsa përdorimi i masës së arrestit në burg duhet të vlerësohet edhe në raport me të dhënat konkrete të paraburgimit.

Deklaratat u bënë pasditen e së hënës, pas një vizite monitoruese në burgun e Reçit, ku anëtarët e komisionit, në bashkëpunim me përfaqësues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Avokatit të Popullit dhe OSBE-së, u njohën me kushtet dhe trajtimin e të paraburgosurve. Monitorimi do të vijojë edhe në institucione të tjera penitenciare, ndërsa në përfundim do të hartohet një raport dhe do të paraqiten propozime për problematikat e evidentuara dhe ndryshimet ligjore.