Si konsideroni garën presidenciale, teksa kryeministri Berisha ka hequr dorë nga një kandidaturë politike për të propozuar në vend të saj një kandidat jashtë politikës, siç është ai i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori?
Kryeministri Berisha ka shumë dëshirë apo e thënë thjeshtë qejf që të shfaqet para opinionit publik, por dhe atij ndërkombëtar si një lider demokrat, që njeh demokracinë dhe që ka pranuar konsensusin për zgjedhjen e kreut të shtetit. Pra kërkon të shfaqet si një lider mazhorance, që megjithëse ka votat për ta zgjedhur Presidentin, ka propozuar për këtë post një person si zoti Zaganjori, jashtë politikës vetëm e vetëm dhe për hir të konsensusit me opozitën. Zaganjori është një person që s'ka të sharë dhe i vlerësuar në pozicionin e tij, por pavarësisht se është deri diku i bindur, prap për Berishën nuk është i bindur sa duhet dhe për t'i bërë punët siç i do vetë kryeministri.
Ju thoni se kjo mazhorancës dhe vetë Berisha nuk do të shkojnë deri në fund me kandidaturën e Zaganjorit për President?
Unë mendoj se në raundet e ardhshme do të vijë radha që të caktojë një njeri të vetin si kandidat për President, një njeri që të jetë tërësisht i bindur. Dhe në këtë rast ai do të ketë dhe luksin të thotë për politikën, opinionin publik por dhe për ndërkombëtarët se u kishte dalë borxhit, pasi kishte propozuar një kandidat për president jashtë politikës, duke hequr dorë nga deklaratat e mëparshme për një president të dalë nga lidershipi i PD, dhe duke anashkaluar figurat potenciale të PD, vetëm e vetëm për hir të konsensusit me opozitën për zgjedhjen e kreut të shtetit. Berisha e ka parashikuar me kohë këtë situatë, ndërkohë që shumë shpejt do të vijë momenti ta realizojë idenë e tij.
Ju mendoni se do të dalë në raundin e katërt me një figurë politike të rëndësishme të PD, nëse dështon konsensusi?
Historia e marrëdhënieve të Berishës me dy presidentët e fundit, njëri ka qënë konsensual, Alfred Moisiu tjetri ka qënë nënkryetari i PD Bamir Topi, ka patur shumë probleme gjatë tërë kohës, që kur ka ardhur në qeverisjen e vendit. Kështu që ai do në krye të shtetit një vartës. Unë them se ai ka kohë që e ka zgjedhur me mendjen e vet se kush do të jetë presidenti i ri që të plotësojë këto parametra, pret vetëm ta finalizojë. Ajo që mendoj unë është se kandidati i tij për postin e kryetarit të shtetit nuk do të jetë një personalitet i rëndësishëm i PD sikurse ka deklaruar më parë dhe as një personalitet tjetër që të jetë konsensual, por një njeri i bindur dhe i profilit të ulët. Pasi dhe me Moisiun si president konsensual dhe me Topin si personalitet i rëndësishëm i PD para presidencës, ka pasur probleme dhe mosmarrëveshje tepër të mëdha gjatë tërë kohës.
Ju këmbëngulni se nuk do të jetë Zaganjori kandidat në raundet e tjera për t'u zgjedhur si kryetar shteti...?
Zaganjori nuk besoj se do të jetë, pasi Berisha e do më besnik presidentin e ri për shkak të precedentëve të mëparshme. E do tërësisht shërbëtor. Dhe i tillë nuk mund të jetë Xhezair Zaganjori, ndaj them se Berisha e ka përzgjedhur tashmë kandidatin për President, të një profili të ulët dhe besnik.
Kryetari i PS Edi Rama ka zhvilluar një takim me kryeministrin Berisha për zgjedhjen e një Presidenti konsensual. Ndërkohë që në takim me liderin e mazhorancës, në mbledhjet e grupit parlamentar të PS por dhe në deklarimet publike është shprehur se s'ka kandidat nga opozita. Si e konsideroni lëvizjen e Ramës?
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama nuk ka çfarë të bëjë. Ai kërkoi konsensusin për një kandidat për president të propozuar dhe të arritur në tavolinën e dialogut më parë se të deklarohej publikisht dhe të kërkohej votimi në Kuvend dhe jo të zgjidhej presidenti nga një garë presidenciale. Berisha e përzgjodhi kandidatin për president dhe ia dërgoi si fakt të kryer Ramës për ta pranuar dhe dhënë konsensusin, pavarësisht se kryetari i opozitës kishte kërkuar në të gjitha takimet dhe në deklarimet publike një kandidat që të ishte i distancuar tërësisht nga politika. Edi Rama kaq kishte në dorë të bënte.
I pari që është vetëofruar si kandidat për postin e presidentit të Republikës ka qënë ish-kryetari socialist Fatos Nano. I cili kërkon dhe nga Rama që ta kandidojë në garën presidenciale, duke i dhënë 20 firmat dhe mbështetje në Kuvend. Komenti juaj?
Fatos Nano është kandidati më i papërshtatshëm për të qënë kryetar shteti. Ai ka treguar në të gjitha veprimet e tij se është njeriu më i papërgjegjshëm që ekziston në këtë vend dhe është i fundit që duhet të kërkojë të garojë për postin e lartë të presidentit. Ai po tregohet kaq këmbëngulës për të qënë kandidat për president, ndërkohë që ka 7 vite që është zhdukur nga Shqipëria dhe rri jashtë vendit. Ku ka qënë në këto shtatë vite, që të ketë të drejtën të kërkojë nga PS që ta kandidojë duke i kujtuar liderit të saj në çdo moment se ka qënë kryetari i PS për 15 vite me radhë. Fatos Nano ishte ai që e la në baltë partinë për vite e vite me radhë, për të mos përmendur deklaratat kundër saj. Ai u zhduk për 7 vite me radhë dhe sa herë ka garë presidenciale vjen dhe kërkon presidencën dhe votat e PS për këtë qëllim. Është shumë i shëmtuar për të qënë president.
Pse mendoni që Fatos Nano këmbëngul kaq shumë për të qënë president i vendit....?
Fatos Nanos i ka mbetur peng se nuk e bëri bashkëshorten e tij Zonjë të Parë të Shqipërisë. Kështu që tërë këtë luftë për të qënë Presidenti i Republikës nuk e bën për vete por bën për të shoqen, pasi i ka premtuar se do ta bëjë Zonjë të Parë.
Përfundimisht ju mendoni se Berisha do të zgjedhë njeriun e tij me 71 vota si President të ri...?
Sali Berisha do ta zgjedhë presidentin e ri në raundin e katërt me 71 vota. E ka të sigurtë një gjë të tillë.
Po LSI mendoni se do të votojë një kandidat të tillë, pasi Meta ka bërë të ditur se mbetet të Zaganjori për konsensusin...?
LSI ka shitur shpurtin me kohë dhe nuk ka si kthehet më. Ajo do të votojë se s'bën kandidatin që do të ofrojë Berisha në Kuvend. LSI do të shohë interesin e saj, në këtë qeverisje deri në fund.