Pas vendimit të ndalimit qeseve plastike, së shpejti do të miratohet edhe vendimi për kosto tarifimin e mbetjeve urbane. E bëri të ditur ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi nga simpoziumi shkencor ndërkombëtar për sfidat e trajtimit të mbetjeve organizuar nga Departamenti i Inxhinierisë së Mjedisit, në Universitetin Politeknik në Tiranë.
Ministri Klosi tha se miratimi së shpejti i këtij vendimi synon vendosjen e rregullave të barabarta, dhe të qarta , pra një metodologji të unifikuar të kostimit dhe tarifimit të mbetjeve urbane. Kjo do të sjellë mirëmenaxhim të mbetjeve por edhe të buxheteve në çdo bashki apo njësi administrative në vend.
Ministri Klosi kërkoi mendimin profesional dhe të specializuar për trajtimin e mbi 180 pikave të vendgrumbullimeve problematike të evidentuara në masterplanin e mbetjeve.
Nuk është një kosto e papërballueshme, është një menaxhim i papranueshëm. Shqipëria është pis nga keqmenaxhimi i mbetjeve urbane.
Ministri i Turizmit e Mjedisit, Blendi Klosi
Duke kërkuar zgjidhje të mirëmenaxhimit nga vend-depozitimet e vogla drejt zgjidhjeve afatgjata, kreu i Turizmit dhe Mjedisit theksoi se 100 fshatrat turistikë do të jenë modelet e para të ndarjes së mbetjeve në burim.
Në fjalën e tij, ministri Klosi vlerësoi kontributin e botës akademike duke theksuar se intelektualët dhe inxhinierët e Mjedisit janë pjesë e rëndësishme e politikë-bërjes për një zhvillim të qëndrueshëm të Mjedisit.
Për studentët e inxhinierisë së Mjedisit, ministri Klosi bëri thirrjen që t’i bashkohen projektit “Smile Albania” për të realizuar nëpërmjet praktikës mësimore, dy qëllime: mikpritjen shqiptare për turistët e huaj dhe mbajtjen pastër të pikave turistike.
Shumë faleminderit të gjithë profesorëve të nderuar që janë në këtë bisedë, shqiptarë apo te huaj ato qofshin, pasi realisht flasim për një mjedis që unë e them shpesh që është e vështirë që të ndahet, nëse është një mjedis europian apo një mjedis i vendi kandidat për BE. Nëse ka një gjë qe ne duhet ta themi fort, është që flasim për të njëjtin mjedis, pasi për politika mund të kemi nevoje që të përmirësojmë standarde por kur vjen puna te mjedisi e kemi të pamundur ta ndajmë. E vlerësoj shumë që në këtë simpozium ka opinion, mendim, ka shume partnerë te politikave tona përsa i përket filozofisë së mjedisit dhe që nga mbështetja që na vjen nga cooperazioni gjerman, padyshim edhe prania e profesorëve që vijnë nga Hollanda, pasi siç e thashë ne na duhet të kapim hapin e kohës. Dua ta filloj fjalën time me një vlerësim tashmë që për mua Shqipëria nuk është e ndotur, por e papastër. Dhe me këtë pohim dua të theksoj që ne kemi akoma metoda të vjetra ose s ‘kemi metoda fare në mënyrën sesi ne menaxhojmë papastërtinë e Shqipërisë, mënyrën sesi ne trajtojmë mbetjet urbane, në mënyrën sesi ne të gjithë gjykojmë që Shqipëria mund të trajtojë pa bërë veprime dhe operacione konkrete pa pasur një mendim të specializuar profesional që nuk ka nga të vijë tjetër përveçse nga ky auditor. Ndaj them që ndihem shumë mirë që kemi këtë bashkëbisedim dhe do të bëj atë që mbase nuk do ta bëjë asnjë administrator publik, do të doja që të ishit më kritikë karshi politikave të shtetit, ne jemi në këtë bisedë sepse duam që të marrim shumë më tepër mendim kritik pozitiv. Ne duhet të jemi më të kritikuar pozitivisht nga ju në mënyrën sesi funksionon menaxhimi i Mjedisit në vendin tonë. Dhe këtu ka profesorë të nderuar, kandidatë për profesorë, ka studentë ka inspirantë për t’u bërë profesor doktor por ama duhet që të gjithë bashkë duhet të mendojmë që ka një moment kur të gjithë duhet t’i themi stop mënyrës së vjetër të menaxhimit të mjedisit dhe mbetjeve urbane veçanërisht në vendin tonë. Nuk e them më kot këtë, pasi ne plot 6 muaj më parë më 24 nëntor shpallëm operacionin “cleen and green” 2020. E bëmë këtë operacion dhe po vjen data 24 maj kur e mbyllim fazën e parë dhe realisht ne duam që të bëjmë një aktivitet të madh për të shpalosur çfarë ne bëmë në 6 muaj dhe natyrisht ne të kemi vlerësimin kritik të njerëzve të shkencës së mjedisit, sesi e kemi bërë detyrën tonë. A kemi mundur ne që nëpërmjet kësaj faze të parë të paraqesim mundësinë që deri në vitin 2020 mundet të kemi një Shqipëri më të pastër dhe të gjelbëruar në rajon. Kur e nisëm këtë bisedë para gjashtë muajsh dukej e vështirë dhe e paarritshme. Sot mendoj qe kemi bërë disa progrese të qenësishme dhe kjo falë një grupi pedagogësh të cilët kanë bashkëpunuar sistematikisht me këshillin e të urtëve por tashme ne kemi vendosur disa linja të cilat kishin vite që silleshin në mendje; pra a duhet të kemi një strukturë të ngjashme dhe të njëjtë menaxhimit të mbetjeve urbane në të gjithë Shqipërinë. Unë mendoj që ishte një gozhdë që i kishte mbetur administratës publike dhe burokracisë, por shtyrja shumë e madhe edhe nga grupi i profesorëve bëri që tani ne kemi në prag të vendimmarrjes dhe do të marrin vendim shumë shpejt për një mënyrë të njësuar të menaxhimit të mbetjeve urbane në çdo njësi të pushtetit vendor. Sot që flasim, Tirana që është bashkia më e madhe në vend dhe që ka natyrisht aksionin më të madh të pastrimit, në 4-5 rajone të ndryshme ka 4-5 mënyra të ndryshme trajtimi , përllogaritjeje, edhe investimi në pastrimin e trajtimin e mbetjeve urbane. Për të mos folur pastaj që Tirana e ka ndryshe, Durrësi e ka ndryshe. Tirana e Durrësi e ka ndryshe nga Fieri ndryshe nga Ura Vajgurore dhe ndryshe nga Poliçani. Pra sa më e vogël të jetë bashkia ka një mënyrë tjetër përllogaritjeje mbetjesh urbane. dhe kjo ka bërë që paratë e taksapaguesve shqiptarë në buxhetin qendror apo lokal të harxhoheshin në mënyra të ndryshme dhe jo të mirëmenaxhuara. Po kështu ka shumë nevojë për të kuptuar nëse mundet që në Shqipëri të ketë një pastrim të parë të mbetjeve urbane dhe këtu prapë ka pasur shumë nevojë për mendimin profesional sesi mund të bëjmë një masterplan të cilin e kemi drejtuar si ministri me mbështetjen e Cooperazionit gjerman dhe zviceran dhe tani kemi të evidentuara mbi 180 pika që në Shqipëri duhen pastruar. Po të mbeteshin aty dhe po të mos kishin një përllogaritje të faturës, do të ishin edhe 25 vite të tjera. Por tani që ne kemi një fotografim të situatës, ne na duhet që të kemi mendimin inxhinierik, sesi këto veprime mund të bëhen të qëndrueshme dhe për të kuptuar që po realisht ne mund të pastrojmë këto vendgrumbullime urbane të cilat e bëjnë Shqipërinë krejt ndryshe nga një vend normal europian. Nuk është një kosto e papërballueshme, është një menaxhim i papranueshëm. Po ashtu marrja e masave emergjente për të evidentuar mënyrën sesi trajtohen mbetjet ne vendin tonë. Është një debat i hapur, duhen inceneratorë, apo landfille, një debat i hapur për cilësinë e këtyre investimeve të mëdha, por unë vazhdoj të them që ne kemi shumë nevojë për ta trajtuar këtë nga poshtë lart dhe këtu fakulteti juaj, studentët, kanë shumë nevojë që të jenë pjesë e një politike tjetër për të përhapur në komunitet mënyrën e trajtimit të mbetjeve urbane. Mbetjet urbane vetëm në Shqipëri krijojnë drama, në të gjithë botën e qytetëruar janë pasuri, konkurrojnë kompani se kush do të trajtojë mbetjet urbane. Vetëm në Shqipëri mbetjet urbane kthehen në një problem social dhe këtu duhen padyshim njerëzit që e ndiejnë se kjo punë mund të ndodhë dhe ndaj jemi në këtë bisedë për të kërkuar partnerë në këtë betejë të përbashkët për të ndryshuar botëkuptimin se Shqipëria nuk është e ndotur, por e papastër dhe këtë papastërti e bëjmë ne njerëzit, qytetarët, që nga fshati më i vogël deri te lagjja më e zhvilluar e qytetit më të madh të vendit. Dhe e treta që doja të ndaja me ju është roli i njerëzve të fushës. Ka shumë nevojë që ju të jeni pjesë e politikave tona të përbashkëta dhe në këtë aspekt më lejoni që t’ju bëj një thirrje publike për shumë studentë, të rinj e të reja të cilët duan që gjatë sezonit të verës të jenë pjesë e një praktike mësimore që ne tashmë kemi lançuar pranë Agjencisë së Zonave të Mbrojtura. Do duam shumë që gjatë sezonit duke kombinuar edhe funksionin e ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ne të lançojmë projektin “Smile Albania” që është një projekt që kërkon që turistët që do të vijnë në Shqipëri, të gjejnë një mikpritje shqiptare, me karakteristikat e buzëqeshjes dhe pastërtisë shqiptare. Do të donim shumë që nga ky grupim i të rinjve që këto dy -tre muajt e verës do të jenë pranë Agjencisë së Zonave të Mbrojtura në kreditet e një praktike mësimore, dhe praktike të ushtruar në terren, të bëjmë dy gjëra shumë të rëndësishme; e para të mirëpresim turistët që vijnë në Shqipëri, duke u uruar atyre mirëseardhjen dhe informacionin për zonat e trashëgimisë kulturore, zonat e mbrojtura, bukuritë e natyrës shqiptare, biodiversitetin e larmishëm, por po ashtu kjo praktikë do të jetë e bashkërenduar me edukimin mjedisor, pra cilat janë ato elemente të para bazë të edukimit mjedisor që ne do t’i japim atyre që na vijnë në Shqipëri pro edhe turistëve shqiptarë dhe të huaj. Aplikimi është i hapur tani pranë Agjencisë së Zonave të Mbrojtura do të jetë një aplikim për 500 të rinj dhe të reja me pagesë dhe 500 të tjerë do të jenë vullnetarë për të operuar së bashku me organizata mjedisore në të gjithë vendin për mikpritjen, edukimin mjedisor dhe ndihmesë në bashkitë për të pastruar plazhet dhe mbajtur pastër zonat tona turistike,. do të donim shumë që edukimi mjedisor të ishte pjesë e rëndësishme e gjithë filozofisë sonë. Ndaj duke përfituar nga ky rast do të doja që të shprehja bindjen se nëse ne kemi një aleancë shumë më të fortë ndërmjet administratës publike, qendrore dhe lokale, me universitetet me njerëzit e fushës, me intelektualët, inxhinierët e mjedisit, ne mund të kemi shumë shpejt rezultate shumë pozitive të cilat realisht mund të na bëjnë ne që brenda vitit 2020, operacioni “Clean & Green 2020” të ketë rezultate të paimagjinuara kur ne e nisëm. Unë do të doja ta mbyllja me një ndjesi timen shumë të mirë që ne nuk na duhen tre vjet, nuk na duhen 3 muaj dhe as 3 ditë për të pastruar Shqipërinë, por ne na duhet 1 ditë, që ne të kuptojmë që ne mundet ta pastrojmë Shqipërinë, që qeset plastike nuk mund të përdoren më se nuk i përdor e gjithë bota, një ditë që ne të kuptojmë që ndarja e mbeturinave në burim do të bëjë të mundur që mbetjet urbane të shndërrohen në një të mirë për komunitetin e një fshati, i cili mbetjet organike i trajton për pleh dhe ato të riciklueshme i trajton për të fituar para. Në 100 fshatrat tona turistike, duhet të kemi një goditje gjatë sezonit të verës me projektin e të rinjve, për t’i shndërruar në 100 fshatra model që ndarja në burim është një gjë fare e thjeshtë që e ka bërë historikisht fshati shqiptar dhe nuk ka pse të mos e bëjë edhe sot dhe pastaj për të hyrë nëpër qytete, nëpër zona turistike ku realisht edukimi mjedisor, forca e ligjit, por edhe bindja mund ta bëjë Shqipërinë të pastër në një moment. Ne nuk kemi gjëra që na ndotin. Kemi menaxhim të keq të mbetjeve urbane.
Ministri i Turizmit e Mjedisit, Blendi Klosi