Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka emëruar prokurorin Arens Çela në postin e drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës, me mandat trevjeçar deri në janar 2029. Vendimi u mor pas miratimit të raportit të vlerësimit dhe verifikimit të pasurisë dhe figurës, duke i konfirmuar Tiranës drejtuesin e një prej prokurorive më të rëndësishme në vend.
Në të njëjtën seancë, KLP ka miratuar edhe kërkesën e Altin Dumanit për t’u angazhuar si ekspert kryesor në një trajnim ndërkombëtar për prokurorë, hetues dhe gjyqtarë nga Kosova, të organizuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë. Vendimi vjen pak ditë pasi Dumani përfundoi mandatin trevjeçar si drejtues i SPAK. Aktualisht Dumani ushtron funksionin e prokurorit dhe drejtuesit të sektorit të marrëdhënieve juridiksionale me jashtë.
Krahas këtyre zhvillimeve, KLP ka vendosur edhe nisjen e procedurave të verifikimit për drejtuesit e prokurorive në Lezhë dhe Fier, duke sinjalizuar një fazë të re vlerësimesh në nivelet drejtuese të prokurorisë.
Komente










