Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka miratuar vendimet për caktimin në detyrë të prokurorëve të rinj si dhe lëvizjet e tyre paralele. Kështu në mbledhjen e sotme u caktua që motra e deputetes Ermonela Felaj, Eranda Felaj, u emërua prokurore pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Më parë ajo ka punuar si prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.

Familjarët e deputetes socialiste në sistemin e drejtësisë, nxitën e edhe sot debat në Kuvend. Sali Berisha dhe deputetët e tij vunë në shënjestër nënkryetaren e Kuvendit e cila tashmë ka 4 familjarë të saj në Prokurorinë e Tiranës.

Për opozitë ky është shembull i kapjes në një dorë të sistemit të drejtësisë nga ana e maxhorancës. Në replikë Felaj tha se ndihej krenare për familjarët e saj të cilat janë në detyrë për shkak të arsimimit dhe aftësive të tyre dhe mohoi të ketë pasur ndërhyrje politike në emërime.

Njoftimi i KLP-së.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi ditën e hënë, më 03 korrik 2023, mbledhjen plenare të radhës në prani të 9 (nëntë) anëtarëve të Këshillit, si dhe në prani të përfaqësuesve të misionit OPDAT dhe medias. Mbledhja u drejtua nga Zëvendëskryetari Tartar Bazaj. Nuk ishin të pranishëm Kryetari z.Alfred Balla i cili kishte ditën e raportimit në Parlament dhe Zeqir Hoda për një angazhim familjar.

Në mbledhje u miratuan:

U zhvillua seanca dëgjimore e palëve (ILD dhe Magjistrati), për procedimin disiplinor në ngarkim të magjistratit S.H. Shpallja e vendimit do të bëhet në datë 17.07.2023 ora 10.00.

Vendimet “Për caktimin në detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për pozicionin e shpallur vakant Nr.1, Nr.2, Nr.3, Nr.4, Nr.5 dhe Nr.6 me vendimin Nr.92, datë 09.05.2023 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas procedurës së lëvizjes paralele”, respektivisht u caktuan prokurorët: Elidon Hysenaj; Riselda Fishta, Suela Beluli, Alma Bramo, Ilir Hoxha dhe Anton Pali;

Vendimi “Për caktimin në detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për pozicionin e shpallur, me vendimin Nr.92, datë 09.05.2023 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas procedurës së lëvizjes paralele” Këshilli caktoj prokuroren Ermira Manelli;

Vendimet “Për caktimin në detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për pozicionin e shpallur vakant Nr.1 dhe Nr.2, me vendimin Nr.92, datë 09.05. 2023 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas procedurës së lëvizjes paralele”, u caktuan respektivisht prokurorët Adnan Hoxha dhe Ledion Tema.

Vendimet “Për caktimin në detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për pozicionin e shpallur vakant Nr.1, Nr.2 dhe Nr.3, me vendimin Nr.92, datë 09.05.2023 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas procedurës së lëvizjes paralele” respektivisht u caktuan prokurorët Eranda Felaj, Asllani Barjamaj dhe Julian Çafka;

Vendimet “Për caktimin në detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për pozicionin e shpallur vakant Nr.1 dhe Nr.2, me vendimin Nr.92, datë 09.05.2023 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas procedurës së lëvizjes paralele”, respektivisht u caktuan prokurorët Aurora Hajro dhe Alba Dhima;

Vendimet për përfundimin pa vendim përfundimtar, të procedurës së lëvizjes paralele, shpallur me Vendimin Nr.92, datë 09.05.2023 të KLP-së, për pozicionin vakant Nr.1, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë”, si dhe për pozicionet vakant Nr.1 dhe Nr.3 në Prokurorinë  pranë  Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier”, për shkak se në vijim të procedurës së transferimit nuk mbeti asnjë kandidat në garë.

Vendimet për transferimin e përkohshëm me pëlqim të prokurorit Xhevahir Lita në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës”,  dhe  caktimin e përkohshëm të tij në pozicionin e drejtuesit të kësaj Prokurorie.

Vendimet për transferimin e përkohshëm me pëlqim të prokurorit Petrit Çano në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër”,  dhe  caktimin e përkohshëm të tij në pozicionin e drejtuesit të kësaj Prokurorie.

Në përfundim, me propozim të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës u miratua projektakti “Për shpalljen e 26 (njëzet e gjashtë) pozicioneve të lira në Prokuroritë pranë Gjykatave të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe konkretisht: Berat (3), Dibër (1), Durrës (1), Elbasan (1), Fier (5), Gjirokastër (3), Korçë (3), Lezhë (2), Vlorë (4), Sarandë (3), për magjistratët e emëruar nga Shkolla e Magjistraturës për vitin 2023”.

U la si afat data 10 korrik 2023, dita e fundit kur, kandidatët mund të ndajnë me vullnetin e tyre këto vende sipas klasifikimit të arritur në Shkollë. Nëse nuk do të ketë dakordësi mes tyre, i takon Këshillit të ndaj pozicionet duke i caktuar në detyrë në seancën e datës 10 korrik 2023.

Në datën 12 korrik ora 10.00 do të zhvillohet në KLP, betimi i 26 magjistratëve të rinj, ku do marrin pjesë përveç Këshillit dhe prokurorëve edhe të ftuar, familjarë, e drejtues. Media është e ftuar në këtë ditë festive të marrë pjesë.