KLSH: Aviacioni Civil shpenzoi 40 mijë € për një film që s’u shfaq

Në kuadër të shkeljeve të zbuluara nga Kontrolli i Lartë të Shtetit në institucionet shtetërore, është gjetur edhe një skandal i radhës, që ka të bëjë me shpërdorimin e fondeve publike duke shfrytëzuar sektorin e mediave audiovizive.

Sipas auditimit të kryer për periudhën 2015-2017 dhe që është konkluduar në mars të këtij viti, audituesit kanë konstatuar se Autoriteti i Aviacionit Civil ka kryer tenderimin për prodhimin e një filmi, i cili më pas nuk rezulton të jetë transmetuar asnjëherë. Duke shpëdoruar kështu një shifër të barabartë me 40 mijë euro.

Kjo nuk është hera e parë që një institucion jep fonde për produkte mediatike, që nuk shohin asnjëherë dritën e diellit. Dhe, po ashtu, që përzgjedhja e kontraktorëve bëhet duke mos respektuar rregullat ligjore të prokurimit publik.

Procedurat
Sipas KLSH, institucioni ka shpallur rregullisht një garë publike me objekt “Realizimi i prodhimit të dokumentarit me rastin e 20-vjetorit të institucionit dhe historikun e tij”. Me Urdhrin e Brendshëm datë 05.03,2015, ish-drejtori ekzekutiv Aleksandër Lipivani ka urdhëruar ngritjen e komisionit me qëllim realizimin e eventit në lidhje me 20-vjetorin e krijimit të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC).

Drejtori ka urdhëruar më pas pajtimim e tre specialistëve të jashtëm në fushën e kinematografisë, të cilët do të ishin pjesë e Komisionit të Negocimit. Në bazën ligjore të përmendur në këtë urdhër, Lipivani ka përcaktuar që procedura e ndjekur do të jetë sipas VKM nr. 1195, datë 05.08.2008 “Për blerjen, zhvillimin, prodhimin e bashkëprodhimin e programeve a të reklamave për transmetim nga operatorët radiotelevizivë ose botim në median e shkruar, dhe për kontratat, për kohë transmetimi, nga organet e administrates shtetërore”.

Aviacioni i është drejtuar më pas Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për vënien në dispozicion të tre specialistëve në fushën e kinematografisë dhe për t’i rekomanduar katër shtëpi kinematografike të çertifikuara e të specializuara dhe me përvojën përkatëse për realizimin e dokumentarit me rastin e 20-vjetorit të krijimit të AAC-së.

Shkeljet
Me shkresën nr. 358/4, datë 07.04.2015 “Ftesë për negociata”, të konceptuar nga Kostandin Sterjopullo, drejtori ekzekutiv ka miratuar termat e referencës për këtë procedurë. Nga auditimi i këtyre termave, nuk konstatohet mënyra e përllogaritjes së fondit limit në vlerën 5.166.666 lekë pa TVSH dhe në termat e referencës përcaktohet që “transmetimi nuk përfshihet në kontratë”.

Ky veprim thekson KLSH, është në kundërshtim me VKM nr. 1195, datë 05.08.2008 “Për blerjen, zhvillimin, prodhimin e bashkëprodhimin e programeve a të reklamave për transmetim nga operatorët radiotelevizivë ose botim në median e shkruar dhe për kontratat, për kohë transmetimi, nga organet e administrates shtetërore”, kreu II, pika 6, e cila përcakton se “Titullari i institucionit urdhëron, me shkrim, blerjen, zhvillimin, prodhimin apo bashkëprodhimin e programeve a të reklamave, transmetimin nga operatorët radiotelevizivë ose botimin në median e shkruar dhe procedurat për kontratat për kohë transmetimi për çdo rast, duke parashikuar objektin, nevojën e kryerjes së programit/reklamës/spotit, shpeshtësinë dhe periudhën e shfaqjes së tij, fondin limit, numrin e televizioneve dhe përbërjen e komisionit, për ndjekjen e procedurave”.

Negociatat
Me shkresën datë 07.04.2015, drejtuar Tirana Film Institut, Art-Film, Ska-Ndal, Nilor-Film dhe Bota Shqiptare, thuhet se janë dërguar ftesat për negociata. Por, KLSH nuk gjeti asnjë provë për dërgimin e këtyre ftesave, pasi nuk ka konfirmim për dërgim zyrtar postar. Po kështu, i dyshimtë është fakti që për këto ftesa kishte vetëm një numër protokolli.

Nga ana tjetër, ftesa për negociata nuk përmbante objektin e programit/reklamës/spotit, nevojën e kryerjes së programit/reklamës/spotit, shpeshtësinë dhe periudhën e shfaqjes së tij dhe fondin limit, në kundërshtim me VKM nr. 1195, datë 05.08.2008.

Shpallja
Komisioni i negocimit ka vendosur të kualifikojë e të shpallë fitues ofertën e Ska-Ndal SHPK me vlerë 5.130.000 lekë pa TVSH, si dhe të skualifikojë ofertat e operatorëve të tjerë ekonomikë të tjerë për arsye se ishin mbi fondin limit.

Por këtu rezultojnë sërish shkelje. Nga auditimi i procesit të vlerësimit, u konstatua se Ska-Ndal SHPK nuk ka sjellë vërtetim për shlyerjen e detyrimeve të energjisë elektrike, në kundërshtim me termat e referencës, e për pasojë, nuk duhej kualifikuar për këtë procedurë. Megjithatë, më datë 08.05.2015, titullari ka shpallur fitues firmën Ska-Ndal SHPK.

Pagesat
Në kontratën e lidhur mes dy palëve u vendos kryerja e një pagese paraprake në masën 60% të vlerës së kontratës, por kur një pagesë e tillë nuk parashikohej në termat e referencës. Sipas këtij procesverbali, janë dorëzuar në CD kopje të dokumentarit “Portat e Qiellit”, me kohëzgjatje 51 minuta e 45 sekonda. Pagesa është kryer në 2 këste.

Abuzimi
Nisur nga mangësitë e konstatuara në lidhje me këtë procedurë, të kryer në shmangie të legjislacionit të prokurimit publik, si dhe faktit që për këtë film nuk provohet dhe as dokumentohet të jetë shfaqur në asnjë media, por thjesht ai marrë në dorëzim dhe lënë në arkivën e institucionit, duke mos argumentuar nevojën e kryerjes dhe përfitimit të këtij shpenzimi, vlera 6.156.000 lekë me TVSH, sipas auditit, përbën një shpenzim të paligjshëm me pasojë dëm ekonomik për llogari të Buxhetit të Shtetit. Veprimet janë në kundërshtim me Ligjin “Për prokurimin publik” dhe Ligjin “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, shprehet Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Shpërdorimet
Në tërësi, nga Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar u konstatuan devijime materiale me një dëm ekonomik me vlere 279.138.000 lekë, ose 2 milionë euro në procedurat e prokurimit dhe zbatimin e kontratave, si dhe në dhënien e pagave dhe shpërblimeve. Po kështu, u konstatuan efekte negative financiare me vlerë 16.299.000 lekë, si pasojë e largimeve të paligjshme nga puna, penalitete tatimore, në procedurat e prokurimit dhe zbatimin e kontratave, si dhe në procedurat e prokurimit dhe zbatimin e kontratave, si dhe në dhënien e pagave.

/b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vijonë puna në aksin Bogë-Theth për largimin e dëborës, borëpastrueset në terren

Vijonë puna në aksin Bogë-Theth për largimin e dëborës, borëpastrueset në terren