KLSH, Rama kundër Topit:
Leskaj, kandidaturë politike

KLSH, Rama kundër Topit:<br />Leskaj, kandidaturë politike
TIRANE- Partia Socialiste do të votojë kundër dekretit të presidentit Topi për emërimin e Bujar Leskajt në postin e kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Kandidtura e propozuar nuk i përmbush kriteret e vendosura prej nesh në paktin prej 10 pikash…Meqë ne kemi deklaruar se nuk duam nga PS, …propozohet një figurë nga partia në pushtet por dhe nuk përmbush asnjë lloj kushti. Nuk mund ta votojmë sepse, nëse kalon, KLSH nuk mund të jetë i shtetit, por thjesht i pushtetit”- deklaroi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Një ditë më parë, deputeti i PD-së, Edi Paloka shprehu vlerësimin pozitiv për kandidaturën e Bujar Leskajt, duke shtuar se gjithsesi për të do të merret një vendim i grupit parlamentar të PD-së. Dekreti i Topit vjen pas rrëzimit të kandidaturës së parë zgjedhur prej tij për kreun e KLSH-së, Sali Shehun, rrëzuar nga maxhoranca si kandidaturë e papranueshme.

RAMA ME DEPUTETE SOCIALISTE

Kemi hyrë në periudhën kohore të debatit më të rëndësishëm të vitit parlamentar, të projektbuxhetit. Fatkeqësisht këmbanat tona për krizën që sot ka prekur palcën e ekonomisë kombëtare e familjare nuk u dëgjuan. Ato ranë fort në kohën e duhur dhe kur kishte ende kohë për ta ndalur inercinë e krizës. Por jo vetëm nuk u dëgjuan, dhe jo vetëm kriza u mohua, por ndodhi edhe shumë më keq.

ALARMI PER BORXHIN PUBLIK

Sistemi i administrimit financiar u shthur. Borxhi dhe deficiti u thelluan. Themelet e stabilitetit makroekonomik të vendit u prekën. E gjitha për hesapet elektorale të Saliut.

Sot Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar konfirmojnë ad literam shqetësimin tonë publik të Asamblesë të posaçme kombëtare të dhjetorit 2009. Ato flasin për një borxh që ka hyrë në zonën e riskut të lartë dhe për domosdoshmërinë e masave të kthesës përpara humnerës në horizont. Ndërsa ne jemi më të avancuar në shikimin tonë të aktualitetit ekonomik e financiar, sepse për ne humnera nuk është në horizont, por vendi është në buzë të humnerës dhe stuhia e pritshme financiare mund ta rrokullisë atë nëse nuk merren tani, menjëherë masa drastike për t’u mbrojtur nga stuhia duke e ndalur inercinë e të keqes. Është skandaloze që qeveria ka parashikuar një rritje ekonomike krejt utopike me qëllimin e vetëm që të vazhdojë lojën e rrezikshme të thellimit të borxhit. Logjika e kësaj qasjeje është “pas nesh u bëftë qameti”. Dhe ne grupi parlamentar i opozitës në qasjen tonë largpamëse duhet të vëmë alarmin fundor në debatin për projektbuxhetin. Nesër do të jetë shumë vonë dhe kostot e rimëkëmbjes do të jenë të papërballueshme për një kohë të gjatë. Por më anë tjetër ne s’mund të pranojmë që pesha e krizës të thyejë kurrizin e njerëzve të zakonshëm dhe të shtresave më të dobëta sociale të këtij vendi. Projekti ynë për heqjen e TVSH-së së disa ushqimeve bazë dhe ilaçeve, si dhe uljen e TVSH-së së energjisë e lehtëson barrën e krizës mbi familjet shqiptare që jetojnë me një rrogë apo që mbyten përditë në rrugët e papunësisë dhe të varfërisë. Ne duhet ta kërkojmë me ngulm vënien në jetë të tij një orë e më parë dhe duhet të këmbëngulim që zëri i arsyes në hartimin e buxhetit të vitit të ardhshëm të dëgjohet sa më shumë, pikërisht, në funksion të familjeve të zakonshme shqiptare.

 

JO PRIVATIZIMIT TE 4 HIDROCENTRALEVE


Njëkohësisht, ne kundërshtojmë me forcë nxjerrjen në privatizim të katër hidrocentraleve që së fundmi janë shkëputur edhe nga bilanci i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për të krijuar një kompani të re. Të katër hidrocentralet, Ulza, Shkopeti, Bistrica 1 e Bistrica 2 kanë fuqi të instaluar prej 76.8 megavat dhe kanë prodhuar së bashku 6.07% të energjisë totale të prodhuar në Shqipëri gjatë vitit 2010.  Duke marrë parasysh çmimin aktual të energjisë në treg, në tregun e hapur për megavat potenciali i tyre për xhiro vjetore mbërrin në 22.8 mln euro. Në rast se privatizimi bëhet zakonisht për një menaxhim më të efektshëm në funksion të rritjes së mirëqenies dhe jo thjesht për të futur ca para në arkën e qeverisë kjo pasuri kombëtare nuk ka asnjë arsye të privatizohet. Por edhe në këtë rast pasuria kombëtare trajtohet si një plaçkë për t’u shitur badjava që oborri i pushtetit të vazhdojë të rrijë në këmbë ndërkohë që burimet financiare të shtetit po shterojnë dhe borxhi po e vë përfund qeverinë megjithë Shqipërinë. Badjava sepse privatizuesit e këtyre hidrocentraleve me një llogari fare të thjeshtë do të mund ta nxjerrin shpenzimin e blerjes në 7-8vjet, apo më e shumta, nëse çmimi do të mbërrijë në 150 mln euro, në 8 apo 9 vjet, duke e bërë këtë privatizim një investim me normë fitimi vjetore 15%. Dhe ende më keq,  paratë që qeveria shpreson të arkëtojë nga shitja do të funksionojnë si një borxh i jashtëm me interesa shumë të larta për ekonominë sepse gjatë 20 apo 30 viteve të ardhshme fitimet e realizuara nga tregu shqiptar përmes shfrytëzimit privat të këtyre hidrocentraleve do të dalin jashtë vendit.

Shqipëria rrush e kumbulla që Saliu dhe oborri i tij të vazhdojnë të hanë arrat dhe lajthitë e pushtetit që po shet të ardhmen për të siguruar të tashmen e vet.


JO KREUT TE KLSH NGA PARTITE


Nga ana tjetër Kuvendi do të shqyrtojë dekretin e Presidentit të Republikës për kryetarin e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kandidatura e propozuar nuk i përmbush kriteret e vendosura prej nesh në paktin prej 10 pikash që kemi propozuar “Për Shqipërinë si gjithë Europa”. E them këtë me keqardhje sepse ndërkohë që ka një traditë që Kontrollin e Shtetit nuk e merr qeveria dhe që ne për më tepër kemi deklaruar se nuk duam një kryetar të Kontrollit të Shtetit nga PS, por nga asnjë prej dy partive të mëdha, propozohet një figurë e cila jo vetëm vjen nga partia në pushtet, por nuk përmbush asnjë lloj kushti për t’u konsideruar seriozisht prej nesh.

Grupi ynë parlamentar nuk mund ta votojë pro dekretin në fjalë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk mund të jetë i shtetit, por thjesht i pushtetit në rast se dekreti kalon. Ky është rasti për të vënë dhe njëherë në pah vizionin tonë për një shtet shqiptar  në shërbim të qytetarëve dhe jo të partive. Duke e përshëndetur edhe hapjen e faqes online për mbledhjen e kërkesave të të gjithë atyre që aspirojnë të marrin përsipër misionin e avokatit të popullit pa dallim moshe, gjinie, krahine apo bindje politike.

AVOKATI I POPULLIT FIGURE E DENJE


Duam për Avokat të Popullit një figurë të denjë në shërbim të Kushtetutës dhe të popullit shqiptar, jo një të emëruar për interesa vetjake apo partiake. Profesor Luan Omari dhe juristi i njohur Vangjel Kosta e kanë pranuar ftesën për t’u bërë pjesë nga shoqëria civile e komisionit përzgjedhës që tanimë ka nisur punën. Dua t'i siguroj të gjithë të interesuarit dhe opinionin publik se ky komision ka të gjithë integritetin moral dhe intelektual për të garantuar një proces transparent dhe të drejtë bazuar mbi meritën dhe vetëm mbi meritën e kandidatëve dhe kandidateve, në funksion të misionit kushtetues dhe të funksioneve ligjore të Avokatit të Popullit. Pasi të mblidhen të gjitha kërkesat në afatin e paracaktuar nga komisioni do të organizohet dëgjimi i hapur i çdo kandidati apo kandidateje dhe pastaj do të përgatitet një raport dhe një propozim korrekt për kryesinë e Partisë Socialiste dhe për grupin parlamentar.

Së fundi dua t’ju kërkoj të gjithëve që në kuadrin e përgatitjes së mbledhjes zgjedhore të Asamblesë Kombëtare të më ndihmoni me propozimet tuaja për listën e kryesisë së re të Partisë Socialiste që sipas statutit kam detyrimin t’ja paraqes Asamblesë. Të njëjtën gjë e kam kërkuar edhe nga anëtarët e porsazgjedhur në Asamblenë Kombëtare nga Kongresi i 5 nëntorit.

 

 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS