Sipas KLSH-së është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e gjendjes financiare të Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare që ky detyrim të niset menjëherë të shlyhet nga ana e CEZ Shpërndarje.
Në përfundim të auditimit nga ana e KLSH kanë rezultuar disa mangësi dhe shkelje të akteve ligjore e nënligjore në fuqi, për të cilat ky institucion ka rekomanduar 31 masa me karakter organizativ për përmirësimin e veprimtarisë së Këshillit Mbikëqyrës dhe Administratorit të KESH. Gjithashtu KLSH i ka kërkuar marrjen e masave administrative dhe disiplinore për 16 punonjës të KESH që nga nivel drejtor departamenti deri tek specialistë.
Rekomandimet e KLSH për KESH
- Hartimin, miratimin dhe zbatimin e programeve të zhvillimit ekonomik të shoqërisë;
- Disiplinimin, monitorimin dhe miradministrimin e shpenzimeve operative;
- Sigurimin e burimeve të financimit për shlyerjen e overdrafteve në vlerën 30,132,731 mijë lekë;
- Arkëtimin e detyrimit të CEZ Shpërndarje Sha prej 53,7 miliardë lekë ose mbi 500 milionë dollarë, për energjinë e blerë nga CEZ tek KESH për mbulimin e humbjeve në rrjet dhe furnizimin e konsumatorëve. Është shumë e rëndësishme për të ardhmen e gjendjes financiare të KESH Sh.a. që ky detyrim të niset menjëherë të shlyhet nga ana e CEZ Shpërndarje;
- Arkëtimin e detyrimit prej 40.6 miliardë lekë (ose rreth 400 milionë dollarë) të klientëve, shumë e paarkëtuar nga shitja e energjisë para vitit 2006;
- Zhvillimin e një analize të hollësishme për penalizimet financiare të KESH që arrijnë në shifrën e 4,112,482 mijë lekëve, ose mbi 40 milionë dollarë;
- Përmirësimin dhe rritjen e efektivitetit të procedurave të prokurimit dhe zbatimit të kontratave etj., duke përcaktuar afate konkrete për plotësimin e tyre.
Gjithashtu KLSH i ka kërkuar KESH-it që të ndjekë të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe të gjitha shkallët e gjykimit për arkëtimin e dëmit në shumën 53,876,549 lekë, të shkaktuar nga paga dhe shpërblime të paligjshme gjatë vitit, mungesë arkëtimi të detyrimeve debitore, si dhe gjatë zbatimit të kontratave për punime të paguara por të parealizuara, mungesën e penalizimeve për vonesa etj.
KLSH: Kallëzim penal për ish-administratorin e KESH dhe një ish-titullar të HEC-it Koman.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar penalisht në Prokurori ish-administratorin e Përgjithshëm të KESH Halit Velaj dhe ish-titullarin e autoritetit kontraktor të HEC-it Koman, N.S të cilët nga raporti i auditimit kanë shkaktuar mbi 585 mijë dollarë dëm ekonomik.
Sipas KLSH-së Velaj në cilësinë e Administratorit të Përgjithshëm të KESH ka autorizuar kryerjen e pagesave si detyrim për subjektet vendore, për shumën 6,732,600 lekë si taksa vendore. Vendimi sipas auditivit të KLSH-së është bërë në kundërshtim me vendimin e gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe me ligjin për “Për taksat vendore”.
Por përveç dëmit ekonomik prej 6,732,600 lekësh që i është shkaktuar kompanisë nga kjo pagesë, gjithashtu Velaj akuzohet se ka dhënë në kundërshtim me ligjin ka dhënë 33,683,180 lekë si shpërblim financiar për punonjës të ndryshëm.
Ndërkohë që kallëzimi penal për ish-titullarin e autoritetit kontraktor të HEC-it Koman, N.S ka të bëjë me abuzimin gjatë procedurës së prokurimit për blerje dhe vendosje të 4 elektropompave të reja. Sipas KLSH-së ai ka urdhëruar negocim pa botim paraprak të njoftimit të kontratës, në mënyrë të pabazuar ligjërisht, pasi ka qenë e mundur ndjekja e procedurave standarde të prokurimit.
19.129.200 lekë ka qenë vlera e kontratës për blerjen dhe vendosje 4 elektropompa horizontale të reja me pjesët e këmbimit rezervë të tyre dhe instalimin e skemës së kontroll monitorimit automatik-manual në stacionet e pompimit të galerive të digës Koman.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)