Brighton në Premier League vijon të shtojë interesin për Kristjan Asllanin. Mesfushori i Interit pëlqehet shumë nga trajneri Roberto De Zerbi, teksa Brighton përfundoi në vendin e gjashtë në Premier League sezonin e fundit.

Tekniku italian ka simpati të veçantë për Asllanin dhe kërkoi personalisht informacione te Ausilio në muajin qershor, por atëherë mori një refuzim të prerë nga njeriu i merkatos te Interi. Megjithatë anglezët janë rikthyer sërish në garë për shërbimet e 21-vjeçarit shqiptar dhe këtë herë me më shumë bindje, pasi jemi në muajin e fundit të merkatos dhe koha për kompletimin e ekipit nuk premton.

Burimet e "TuttoMercato" bëjnë me dije se trajneri Inzaghi e konsideron Asllanin pjesë të ekipit dhe një shumë e majme do bënte që Interi ta linte të lirë. Për një huazim të mundshëm nuk bëhet fjalë, me shqiptarin që shihet si zëvendësi i Calhanoglu.

Kujtojmë se Interi mori 21-vjeçarin për 12 milionë euro në verën e 2022, pasi elbasanasi shkëlqeu me Empolin.