Kryeministër i Shqipërisë dhe Kryetar i Partisë Socialiste!
I nderuar zoti Gramoz Ruçi,
Kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
"Klubi i Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”, nuk do të lejojë që korifejtë e gjuhës shqipe, të cilët nuk jetojnë më, si Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Mahir Domi, Eqrem Çabej, Androkli Kostallari, Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Jup Kastrati, Qemal Haxhihasani, etj, të përbalten as tërthorazi e as në grup, si njerëz pa intergritet shkencor dhe të nënshtruar politikisht nga diktati i Enver Hoxhës që më '44 - ën, aty ku i ka mbetur ora zonjës Shamku."
Më lejoni që t'Ju drejtohem në emër të kryesisë së Klubit të shkrimtarëve "Drita". (Klubi ynë është krijuar më 27 maj 2000 në Athinë dhe ka mbi 165 anëtarë në të gjithë kontinentet, SHBA, Kanada, Australi, Europë, si edhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në Mali i Zi. Është dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë, z. Alfred Moisiu (2005) me "Medalja e Mirënjohjes" dhe që prej vitit 2004 nxjerr pa ndërprerë organin e vet, revistën letrare dhe kulturore "Pelegrin", fituese e çmimit "Unesko" si revista më e mirë në Athinë për vitin 2004.
Klubi "Drita" jep disa çmime vjetorë, ka botuar 5 antologji letrare dhe sjell për lexuesin mbi 60 tituj librash në vit nga anëtarët e tij. Klubi "Drita" ka miq-shkrimtarë, grekë, francezë, anglezë, suedezë, izraelitë, etj, personalitete kulturore në vendet e tyre.)
Prej kohësh, gjithë sy e veshë, me shqetësim atdhetar dhe ankthin e të mërguarve, ne krijuesit e Klubit "Drita" po ndjekim debatin që ka nisur në Shqipëri për rishikimin (nënkupto shkatërrimin) e vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe mbajtur në Tiranë më 1972.
Ne konstatojmë dhe mbështesim të gjitha përpjekjet dhe rezistencën e akademikëve tanë, gjuhëtarëve të mirëfilltë si: Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Rexhep Qosja, Jorgo Bulo, Bahri Beci, Memet Çeliku, Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Rami Memushaj, Jani Thomai, Xhovalin Shkurtaj, etj, për mbrojtjen e gjuhës së njësuar. Në këto rrethana, shqetësimi ynë është: kur në këto debate midis këtyre gjuhëtarëve plot kontribute në shkencën e gjuhësisë dhe atyre që kundërshtojnë standardin, vërejmë se këta të fundit nuk përtojnë të hedhin baltë dhe etiketime të shëmtuara kundër atyre që e përfillin gjuhën e njësuar si një arritje, që duhet vlerësuar, ruajtur dhe, sigurisht, duhet hapur shkencërisht dhe pasuruar ndaj të dyja dialekteve dhe të gjitha nëndialekteve tona mbarëkombëtare.
Në këto debate ne vëmë re, me keqardhje, devijime nga argumentimet shkencore dhe humbje të etikës në rrafshet e saj më elementare. Për këtë dukuri, në muajin shkurt 2014, Klubi ynë "Drita" publikoi edhe Kodin e Etikës, të detyrueshëm për të gjithë anëtarët tanë që përfshihen në debatet letrare dhe shkencore.
Arsyeja përse po Ju drejtohemi Juve, ka të bëjë me etikën e sjelljes së zonjës Ledi Shamku si gjuhëtare (sociolinguiste sipas saj) në këto debate. Për ne anëtarët e Klubit të Shkrimtarëve "Drita", denigrimi që zonja në fjalë, njëkohësisht edhe deputete e PS - së, u bën të gjithë atyre që mendojnë ndryshe nga ajo, si: "komunistë të pandreqshëm", "mbetje të padekomunistizuara", "patetikë"etj, janë krejtësisht të papranueshme dhe jashtë etikës qytetare.
Megjithatë ne nuk marrim përsipër që t'i bëjmë avokatinë e asnjërit prej të gjallëve që bëhen pre e grup-fjalëve fyese të kësaj Zonje. As nuk kemi ndërmend të bindim zonjën Shamku se profesor Kristo Frashëri apo akademiku Mehmet Çeliku s'kanë të bëjnë as me komunizmin e as me Enverin, "Likurgun shqiptar"(?!) siç e quan ajo: " Troç e shqip, sepse gjuhësia shqiptare është sot institucioni i fundit i pa-de-komunistizuar!
...Po, por ka një grusht për-betarësh që nuk po duan të pranojnë se Likurgu i gjuhësisë shqipe nuk është më..." Ndërsa për atë që ajo ka guximin të ironizojë: " Madje po ju them se në një nga mbledhjet e radhës së këtij komisioni, kur po diskutohej thjeshtimi i disa "ë"-ve, njëri nga anëtarët e palës shqiptare u ngrit e briti: "Më mirë të më prisni mua një dorë, se të thjeshtoni këto -ë!". Shkenca nuk është patetizëm e as robëri përbetarësh...", ne vërejmë me keqardhje se pavarësisht mendimit të mirë që ajo ka për veten, vetëdija profesionale është tejet e huaj për këtë zonjë.
Pavarësisht "diplomës italiane" që përmend vend e pa vend zonja Ledi, tregon se nuk ka asnjë lidhje dhe nuk arrin të kuptojë vetëdijen e shkencëtarit. Me logjikën e saj, Xhordano Bruno, do t'i kishte shpëtuar flakës së turrës së druve.
I nderuar zoti Edi Rama!
I nderuar zoti Gramoz Ruçi!
Ne kërkojmë nga Ju, që t'i tërhiqni vëmendjen deputetes së Partisë Socialiste, zonjës Ledi Shamku, që në debatet publike për mbrojtjen e pikëpamjeve dhe ideve të saj, të jetë e kujdesshme që të mos fyejë me etiketime të shëmtuara si deri më tani, asnjë nga ata që kanë kontribute në njësimin e Gjuhës Letrare Shqipe dhe që nuk jetojnë më.
Duam që nëpërmjet jush t'i kujtohet zonjës Shamku, se për të arritur gjer tek Njësimi i Gjuhës Shqipe, ndryshe nga fqinjët tanë, ne shqiptarët duhet t'u falemi gjakut të dëshmorëve të gjuhës si: Dhaskal Todri, Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi etj. Për përbuzjen e hapur që shprehu, kur u përmend emri i rilindësit Sami Frashëri, në emisionin Top Show të datë 9 prill 2014, jam i detyruar t'i përcjell zonjës në fjalë, indinjatën e të gjithë anëtarëve të klubit të shkrimtarëve shqiptarë në botë "Drita".
Ju bëjmë me dije se në rast se përsëritet në të ardhmen, klubi ynë "Drita" do të ndjekë rrugët ligjore dhe nuk do të lejojë që korifejtë e gjuhës shqipe, të cilët nuk jetojnë më, si Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Mahir Domi, Eqrem Çabej, Androkli Kostallari, Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Jup Kastrati, Qemal Haxhihasani, etj, të përbalten as tërthorazi e as në grup, si njerëz pa intergritet shkencor dhe të nënshtruar politikisht nga diktati i Enver Hoxhës që më 44 - ën, aty ku i ka mbetur ora zonjës Shamku.
Me keqardhje jam i rekomanduar t'Ju përcjell gjithashtu edhe mendimin e një pjese të anëtarësisë së Klubit "Drita" që kanë votuar për projektin e Rilindjes të Partisë Socialiste më 23 qershor 2013, se me qëndrimet publike dhe etikën e zonjës Ledi Shamku, ndjehen të papërfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë.
Me respekt
Nase Jani
Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve "Drita"
Athinë, më 11 prill 2014.
Shkrimi u publikua sot (12.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)