Koço Danaj: Greqia na kupton
mirë kur flasim me vepra

Koço Danaj: Greqia na kupton<br />mirë kur flasim me vepra
TIRANE - Koço Danaj përfaqësues i mendimeve për një emancipim mbarë shqiptar dhe hartues i Platformës mbi nevojën e Shqipërisë Natyral ka folur në një intervistë të gjatë për shqiptarja.com ku ka shpjeguar konfliktin midis bashkisë së Përmetit dhe Kishës Ortodokse. Sipas Danajt, konflikti është politik, dhe është politika e shtetit grek. Reciprocitetin e famshëm të zbatuar nga drejtori i Kufirit Admir Abrija në Kakavijë, Danaj e ka vlerësuar duke dhënë mesazhin se Greqia e kupton më mirë veprimin se sa deklaratat që dalin nga zyra e ministrisë së Jashtme. Përfaqësuesi i mendimeve për një emancipim mbarë shqiptar ka lëshuar edhe mesazhin se si duhet të sillet qeveria e re pas 9 shtatorit. Sipas tij, Rama duhet të ketë në tryezë të gjitha planet për marrëdhëniet rajonale, sidomos për Greqinë, Serbinë, Maqedoninë etj. Gjatë intervistës u ndalëm edhe në një pikë tjetër shumë të rëndësishme siç është ajo e kërkesës për shfuqizimin e Konferencës së Londrës 1912. Ai e vlerëson si legjitime këtë kërkesë që është firmosur nga 59 deputetë nga territoret e  Shqipërisë  Natyrale.

Ka më shumë se dy javë që Përmeti nga një vend i qetë është kthyer në një vend kaosi. Kemi një përplasje mes bashkisë dhe kishës. Kush është thelbi i këtij problem sipas jush?
Thelbi i problemit nuk është përplasja midis kishës dhe bashkisë, konflikte civile ka pasur, ka, dhe do të ketë me dhjetëra e qindra në Shqipëri. Por konfliktet civile zgjidhen në rrugë ligjore, në gjykatë. Duke qenë kështu, po të ishte se thelbi do të kishte të bënte midis bashkisë dhe kishës problemi do të ishte zgjidhur. Problemi mori përmasa kur në këtë çështje u fut politika.

Cila politikë?
Më keq u fut jo politika shqiptare, e shtetit shqiptar, po u fut politika e një shteti tjetër, fqinjë e Shqipërisë, siç ishte Ministra e Jashtme Greke, e cila reagoi me shumë nervozizëm dhe e cila hapur fare, pas asnjë lloj diplomacie ndërhyri në punët e brendshme të Shqipërisë. Pra kemi një akt të paprecedent që një vend anëtar i BE-së ndërhyn në punët e brendshme të një vendi që aspiron të futet në BE.

Sepse si do që të ishte vendimi që mori gjykata ajo duhej të zbatohet. Nëse nuk ishte dakord, sërish duhet të marrësh rrugët ligjore, por në asnjë mënyrë nuk ka të drejtë të ndërhyjë një shtet tjetër. Ministria e Jashtme e Greqisë  ka ardhur koha ta kuptojë përfundimisht që shteti shqiptar ka organet e tij. Gjykatat e shtetit shqiptar nuk e kanë qendrën në Athinë, drejtësia e shtetit shqiptar nuk e ka qendrën në Janinë. Por edhe problemet e shtetit shqiptar nuk mund të zgjidhen as në Janinë, as në Athinë. Pikërisht duke qenë kështu atëherë, deklaratat e ministrisë së Jashtme greke ishin një akt i paprecedent, por që nuk e mori atë përgjigje që duhej nga shteti shqiptar, duke shfrytëzuar edhe vakumin e krijuar në Shqipëri atë të një qeveri që po ikën dhe një që akoma s’po vjen. Pikërisht duke qenë ky vakum kjo u shfrytëzua.

Po u morën masa...
Gjithsesi opinion publik, shoqëror ishte aq e fortë sa më në fund e detyroi edhe politikën shqiptare të reagoi dhe veprimi i ndërmarrë për vendosjen e reciprocitetit në kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë. Nga ana e institucioneve shqiptare ishte një veprim që i bëri nder shtetit shqiptar, ishte një veprim që i dha edhe një leksion demokracie edhe organeve të shtetit grek. Duke ju thënë se shqiptarët e 2013 nuk janë shqiptarët e 1913, ku jo vetëm fantazmat e autonomisë e vorio-epirit nuk ekziston, por tashmë shqiptarët janë në një rilindje totale në të gjitha fushat, sepse nuk janë vetëm shqiptarët e Shqipërisë po janë edhe shqiptarët në Kosovë edhe shqiptarët  në Maqedoni, por edhe pakicat e tjera që janë në Mal të Zi që janë edhe në Serbi, por janë shqiptarë të cilët tashmë e dinë që ka edhe një krahinë të tërë shqiptare që quhet Çamëri që ka pësuar një gjenocid. Duke qenë kështu reagimi i qeverisë, ishte reagim i drejtë, dhe duke i qenë si i tillë më shumë i kontribuoi marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Greqinë se sa acarimit të tij, siç u munduan ta interpretonin.

Duhet të theksoj se nervozomi i shfaqur nga Greqia duket se akoma se në sirtarët e Ministrisë së Jashtme greke ekziston ende doktrina e Megaliidesë së vitit 1864 e hartua nga ish kryeministri grek Janis Koletis. Sa kohë që të ekzistojë një doktrinë e tillë, aq kohë Greqia më shumë do të vuajë pasojat për veten e saj, se sa do ti bëj dëm Shqipërisë.

Greqia ka ende ligjin luftës... çfarë rrezikojmë?
Ligji i luftës tregon edhe një herë atë që thashë më lart. Sot Greqia nuk është i vetmi vend evropian që është në krizë ekonomike, por është një vend i BE që ka nacionalizimin racist më të egër. Dhe këtë që ju sa më bëtë pyetje, ekzistenca e ligjit të luftës e bërë në vitin 1940, tregon se sa pas si mentalitet politik është shteti grek, qeveria greke në raport me realitet e reja jo vetëm të Ballkanit, por edhe të Evropës. Imagjinoni një vend që fizikisht jeton në 2013 dhe mendërisht në marrëdhënie me Shqipërinë jeton në 1940 që mban akoma në fuqi një ligj absurd, edhe megjithëse se mban këtë ligj absurd i jep leksione “demokracie” Shqipërisë, e cila nga ana e saj përkundrazi nuk ka as doktrinë dhe as platforma shovene ndaj asnjë fqinji, ndaj asnjë populli e shteti.

Mund të ketë një marrëveshje Shqipëri- Greqi për ta shfuqizuar?
Ka një problem. Arsye pse e mban këtë ligj nuk është e rastësishme. Greqia e mban këtë ligj, sepse ajo e ndjen që më 1913 i ka grabitur me të drejtën e forcës Shqipërisë një pjesë të territorit të saj që është Çamëria. Bëri një marrëveshje më 1923 me Turqinë për t’i deportuar shqiptarët e Çamërisë në Turqi. Nuk ja arriti kësaj. Atëherë bëri përpjekjen tjetër në 1944 që duke përdorur forcën e ushtrisë së Napoleon Zervës ti deportonte shqiptarët e Çamërisë në Shqipëri.

Por ajo e di që territori i Çamërisë është territor shqiptar, ajo e di që Akti i Pavarësisë së Vlorës e 1912-ës, i kishte përcaktuar kufijtë nga Presheva në Prevezë, nga Durrësi në Shkup. Duke ditur që tashmë shqiptarët dinë ti shfrytëzojnë të gjitha mjetet demokratike dinë të shfrytëzojnë edhe dialogun, pra  e kanë kapërcyer fazën e folk patriotizmit, por po shfrytëzojnë patriotizmin e Kushtetutës. Pasi në Kushtetutë citohet edhe bashkimi kombëtar. E duke patur në Kushtetutë atëherë kanë të drejtë të ligjshme të kërkojmë bashkimin, duke ditur që problem i Çamërisë do apo s’do Greqia, sot apo nesër do të shtrohet në tavolinën e Brukselit apo në Hagë.

Ai ishte reagim i mirë ai “dhëmb për dhëmb”? Kemi qenë si Krishti, i kemi kthyer faqen tjetër kur na kanë gjuajtur. Kush do të jenë vendimet e qeverisë e ardhshme për këtë çështje?
Do të thosha jo “dhemb për dhëmbë” por reciprocitet. Jemi shtet Sovran? Po. Do të zbatojmë parimet e reciprociteti. As më shumë as më pak u zbatua. Më lejoni t’jua kujtoj që ishte një “gjuhë” që institucionet greke e kuptuan shumë mirë se sa një deklaratë proteste. Ajo që bëhet në praktikë kuptohet më kollaj, sesa ajo që bëhet në letër. E dyta. Ajo qeveri që do të vij nuk ka pse të eci me atë që quhet politika e “portierit”, politika mbrojtëse, ti gjuan topin e unë e pres. Përkundrazi duhet të eci me atë që quhet strategji.

Edhe për një qeveri serioze strategjia nacionale, kombëtare është parësore. Kur them strategji kam parasysh se qeveria e ardhshme që do të vij, në tavolinën e saj të ketë plan A, B, C, D sepse sa kohë që thua dialog, përsa kohë thua bisedime nuk mund të ecësh vetëm me një plan A. Plan A, ka vetëm kur ka luftë. Dhe kur them për plan A janë “bombat”. Kur thua dialog, kur thua marrëdhënie fqinjësore, kur thua bisedimi paqësore, do të thotë që në tavolinë ti të kesh të gjitha planet. Pikërisht kjo ka munguar deri më sot nga qeveritë shqiptare pas ‘90. Por kjo nuk duhet të mungojë nga qeveria e ardhshme.

Ajo duhet ti ketë të gjitha planet, jo vetëm me Greqinë, por edhe me Malin e Zi, Maqedoni, Serbi. Të gjitha planet A,B,C,D të cilat nxirren mbi tavolinë e diskutohen për të mos u ndodhur i pa përgatitur, që ju me të drejtë e thatë pozicioni pritës. Shqiptarët i kanë të gjitha kushtet për të qenë në “sulm”,  për tu thënë të gjithëve fqinjëve se jemi “skuadra” të barabarta në një fushë të lojës që na i ka hapur Brukseli, por që Brukseli na kërkon të sillemi si evropianë, dhe jo si vilajete otomane siç jemi tani.

Kërkesa për shfuqizimin e Konferencës së Londrës. Ju keni bërë një kërkesë për ti kthyer Shqipërisë trojet e 1912-ës. Kush është thelbi?
Ka një problem të cilin në qoftë se lufta e zgjidh shumë shpejt, paqja e zgjidh më me ngadalë, por është më e qëndrueshme dhe kushton më pak. Nuk kërkon fare jetë njerëzish, por kërkon më shumë studim, analizë, fakte dhe argumente. Ky është thelbi i kërkesës për anulimin e Konferencës së Londrës. Kemi të drejtë që  një akt juridik të 28 nëntorit 1912 ta kërkojmë të zbatohet. Me këtë akt juridik e njohën aso kohe të gjitha fuqitë e mëdha, por kur u mblodhën më 16 dhjetor në Londër, vendosën ta injorojnë. Këtë e pranojnë edhe autorët që kanë qenë atje në librat e tyre që kanë shkruar. Siç është kryetari i Konferencës së Londrës Sir Edward Grey, siç është ambasadori Francës në Londër Pol Kumbon, të cilët kanë shkruar  në kujtimet e tyre atë të vërtetë që ne shqiptarët nuk e kemi ditur për 100 vjet.

Kush janë këto të vërtetat?
E vërteta e parë është që ata nuk kanë mbajtur asnjë procesverbal për çfarë kanë diskutuar. Edward Grey këtë e thotë fare hapur. ‘Ne mblidheshim nga ora 16:00 pasdite dhe deri në 19:00, e pinim çaj. E shndërruam në një komitet miqsh. Atëherë u morëm veç të tjerave edhe me territoret shqiptare duke i trajtuar ato si plaçkë lufte’. Pra kjo konferencë, trojet shqiptare i trajtoi si plaçke lufte, dhe i copëtoi në 5 pjesë. Dhe aktualisht në ndodhemi para absurdit të vetëm, në botë, që një shtet si Shqipëria në vijat e saj tokësore kufizohet vetëm nga troje shqiptare. Shqiptarët e njohin këtë absurd, por e dinë kush j ‘ua krijoj, prandaj edhe kanë të drejtë në rrugë paqësore demokratike të kërkojnë që të njihet akti i 28 nëntorit 1912. Të njihen kufijtë e Shqipërisë së asaj kohë Durrës- Shkup, Preshevë-Prevezë.

Është një kërkesë e patjetërsueshme, natyrisht fqinjëve s’ju vjen mirë, sepse ata e dinë që kanë marrë me të drejtën e forcës territore shqiptare. Tashmë shqiptarët ja kërkojnë me forcën e së drejtës, me forcën e argumentit dhe  duke qenë kështu, e drejta është në anën e shqiptarëve. Duke qenë kështu edhe bashkësia ndërkombëtare edhe blloku Austro-Gjerman në Evropë po i përkrah shqiptarët. Jehona që i bën mediat gjermane dhe austriake kërkesës për anulimin e Londrës, pikërisht është ajo që i ngjalli më shumë shqetësim tek fqinjët tanë të cilët kanë mbi shumë 2 javë që kanë botuar me 100-ra shkrime deri dhe  duke kërcënuar edhe me burg 3-15 vite shqiptarët. Përse? Sepse shqiptarët  firmosin një peticion legal, një kërkesë legale që nuk bëjnë thirrje për luftë po për dialog. Përse? Sepse shqiptarët thonë që ashtu,  siç u anulua konferenca e Jaltës dhe e Versajës të anulohet edhe ajo e Londrës. Përse? Sepse shqiptarët kërkojnë qe të mos ketë dy standarde demokracie, një për Gjermaninë e një për Shqipërinë, një për Malin e Zi e një tjetër për Shqipërinë.

Këtë kërkesë legjitime e kanë mbështetur politika shqiptare?
Ka dy probleme. Problem i parë është për t’u sqaruar. Kjo është një kërkesë e drejtë dhe kur thashë u anulua Konferenca e Versajës po e sqaroj. Është shpërbërë Mbretëria serbo-kroato-sllovene. Akoma më tej:  Mali i Zi bën më shumë zhurmë këto ditë kundër këtij peticioni. Mal i Zi harron një gjë që ajo që është e drejtë për Malin e Zi duhet të jetë e drejtë edhe për shqiptarët. Mal i Zi ka qenë i pavarura deri  në 1919. Konferenca e Versajës ja abrogoi pavarësinë, sepse vendosi të krijojë mbretërinë serbo-kroato-sllovene. Dhe duhet të kalonin dekada të tëra, të shërbehej Jugosllavia dhe të ngelej vetëm një union Serbi- Mali i Zi. Po të ecim me logjikën që na thonë sot malazezët, grekë apo politikanë apo historian të ndryshme edhe Tirana edhe nga Prishtina  se do të bashkoheni në Bruksel, atëherë shtrohet një pyetje madhore: Pse nuk priti Mali i Zi të fitonte Pavarësinë  në Bruksel. Përkundrazi Mali i Zi  i kërkoi Brukselit që ti rikthehej pavarësia.

Brukseli ja pranoi megjithëse në Mal të Zi, malazezët nuk janë shumicë, janë vetëm 42 për qind, 58 përlind janë  serb, boshnjak dhe shqiptar. Dhe me gjithë këtë Brukseli ja lejoj. Po për shqiptarët që kanë 2\3 e territorit, kanë 2\3 e popullsisë jashtë,  pse mos të lejohet ajo që ishte e drejtë edhe për malazezët, apo për kroatët apo për sllovenët?? Pse duhet të ketë dy standarde. Ky është problem i parë. Problemi i dyti ka dy politika një zyrtare një reale. Politike zyrtare do të flas për integrimin evropian. Por është edhe një politike reale, e cila luan me disa dosje, sepse çfarë mund të ndodh nesër, nëse 6 fuqi të mëdha aso kohe të mbledhura në Londër edhe me insistimin e SHBA-së sot vendosin të shikohet Londra e 1913. Çdo bëjë qeveria e Tiranës, do të thotë jo? Çdo do të thotë  ajo e Prishtinës do të thotë jo? Do thonë po! Edhe deputetët nga Tirana nga Prishtina, Shkupi, Podgorica po e firmosin këtë peticion. Dhe nëse para 10 ditësh ishin 37 deputetë, sot ata kanë shkuar 49 deputetë.

Tani kanë filluar ta firmosin kryetar komunash në Strugë, Kërçovë, Tetovë, Kosovë dhe në shtator do të përhapet në të gjithë Shqipërinë. Problemi është njohja më e mirë e saj që quhet gjeopolitikë rajonale, në këtë gjeopolitikë duket se blloku austro-gjerman si lokomotivë e BE-së, mos e harrojmë që BE-ja është në një krizë katrastofike, duan së bashku me SHBA që ky Ballkan të jetë i qetë. Ne anulimin e Londrës dhe njohjen e Aktit Juridik të Londrës, ne të zëvendësojmë boshtin luftënxitës Beograd-Athinë me  trekëndëshin paqësor Tiranë- Beograd-Athinë, ku Tirana të ketë një rol kryesor. Dhe këtë e bëjmë për hir të paqes dhe stabilitetit rajonal. Ata që nuk e duan këtë nocion ‘Shqipëria Natyrale’ që do të thotë Shqipëria në kufijtë e saj natyror të cila nuk i përcaktuam ne që jemi sot, por që i përcaktoi Kuvendi i Vlorës 28 Nëntor 1912, i përcaktoi Dom Nikoll Kaçorri, Vehbi Agolli, Hasan Prishtina,  Ismail Qemali, ata duan një rajon me trazira dhe tensione. Shqipëria Natyrale është “Kyçi” i stabilitetit të Rajonit.  Ata që janë kundër saj, preferojnë “shigjetat e luftës” në vend të Pëllumbave” te paqes.

A është ky projekt në përputhje me aspiratën Europiane?
Jo vetëm që është në përputhje me aspiratën evropiane, por përkundrazi është parakusht i integrimit evropian. Duhet të bëhemi shumë të ndërgjegjshëm, nuk do të na pranojë kush në Evropë si vilajete otomane. Bashkimi Evropian do të na pranojë atëherë kur ne të jemi për veten tonë. S’mund të jesh për BE-në kur ne nuk jemi për vete. Dhe elementi i parë i të qenit për vete është që ti bashkohesh në rrugë demokratike, me rrugë demokratike Evropës. E dyta nuk është faji jonë që Kushtetuta e Shqipërisë e sanksionon të drejtën e bashkimit kombëtar si të drejtë të ligjshme. Këtë Kushtetutë e ka parë Brukseli, dhe nuk e ka kundërshtuar. Këtë Kushtetutë e ka parë NATO, kur u pranuam, dhe se ka kundërshtuar. E ka parë komisioni i Venecias dhe se ka kundërshtuar. Atëherë pse mos të kemi të drejtë ne të kërkojmë zbatimin e saj. Do të na akuzojnë për shkelje kushtetuese!! Jo!  Ne flasim për  shkallën më të lartë të patriotizmit, patriotizëm kushtetues. Patriotizëm kushtetues do të thotë të mos jesh shqiptar një herë në një vit, e një herë në 100 vjet, edhe të jesh çdo ditë qytetar i Evropës. Duhet të jesh patriot çdo ditë dhe të jesh po çdo ditë qytetar i Evropës. Dhe e fundit, Qeveria e ardhshme në ballë të saj, ka fjalën “Rilindje”. Po, Rilindje do të thotë të rilindësh, në fillim si shtet, e pastaj si mendësi pushteti. Dhe të rilindësh si shtet do të thotë që as më shumë e as më pak, vetëm se të kërkosh në rrugë paqësore respektimin e Aktit Juridik të Kuvendit të Vlorës.
 
Po flisni vetëm për rrugë paqësore, por a mund të zgjidhet çështja e territoreve me paqe. Kur dihet që janë kthyer me luftë...
Absolutisht po. Ka përsëri dy momente që duhen sqaruar. Sot nuk jemi në kohën e luftës së ftohtë, apo më herët, që  siç thotë Eduard Grey ‘ne i copëtuam shqiptarët, jo me forcën e së drejtës por me të drejtën e forcës”. Pra e thotë hapur. Atëherë ne nuk jemi as në kohën e luftës së dytë botërore, kur u vendos me forcën e më të mëdhenjve, të  fitimtarëve të copëtohet Gjermania, të zhdukej nga harta Shqipëria, të bëhej kaq për qind Greqi, Bullgaria, etje. Atëherë sa kohë që tashmë jo forca, po argumenti, faktet historike kanë marrë përparësi, për aq kohë  ne jemi plotësisht të bindur se duke qenë të përgatitur si politikë reale dhe zyrtare, nesër do të bindet edhe bashkësia ndërkombëtare që të thotë po. Atëherë duhet të anuluar edhe Londra, sepse nuk mund të lëmë një vatër në rajon që nesër mund të shpërthejë edhe të djeg gjithë Evropën. Dhe vatra e fundit e krizës quhet Ballkan, dhe çelësi i paqes quhet Shqipëria Natyrale.

Harta e Ndarjes së trojeve në Konferencën e Londrës
(Në foto: Harta e Ndarjes së trojeve në Konferencën e Londrës)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ja pasojat që la shpërthimi i tritolit në agjencinë funerale: Dera e shkatërruar, një gropë në dysheme dhe materiale të dëmtuara

VIDEO/ Ja pasojat që la shpërthimi i tritolit në agjencinë funerale: Dera e shkatërruar, një gropë në dysheme dhe materiale të dëmtuara