Qeveria pranon problemet në sistemin shëndetësor: Kërkohet ndërhyrje urgjente! Dypunësimi i mjekëve cenon shërbimin publik në favor të privatit

Qeveria pranon problemet në sistemin shëndetësor: Kërkohet ndërhyrje urgjente! Dypunësimi i mjekëve cenon shërbimin publik në favor të privatit

Në qershor prokuroria e Tiranës akuzoi drejtues dhe mjekë të spitalit Onkologjik në QSUT, të cilët së bashku me specialistë e persona të tjerë kishin krijuar një skemë abuzive të transferimit të pacientëve me kancer drejt klinikave private për qëllime përfitimi.

Duke marrë shkas nga skandali i zbuluar nga prokuroria, në fillim të gushtit qeveria miratoi një Akt Normativ, përmes të cilit synohet forcimi i rregullave dhe disiplinës brenda profesionit të mjekut, me qëllim edhe eliminimin e konflikteve të interesit gjatë ushtrimit të detyrës.

Ndryshimet në ligjin për ‘Urdhrin e Mjekut’ synojnë rregullimin e aktivitetit të mjekëve që duan të punojnë njëkohësisht në spitale publike dhe në ato jo publike, por pa cenuar aktivitetin profesional tek të parat

Në relacionin shoqërues i cili i është dërguar Kuvendit, ku argumentohet urgjenca e këtij akti normativ, përshkruhet një situatë e “pasigurt” për pacientët dhe mjekët dhe pranohet se nuk është ofruar shërbimi shëndetësor i garantuar për qytetarët si e drejtë themelore në Kushtetutë. Sipas relacionit dypunësimi i mjekëve cenon shërbimin publik në favor të privatit.

‘Situata aktuale ka krijuar problematika të menjëhershme në ofrimin e shërbimit shëndetësor për qytetarët, si mungesa e personelit shëndetësor gjatë orarit zyrtar dhe shtyrja e konsultës me mjekun.

Ndërhyrja urgjente është e nevojshme për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të shërbimit shëndetësor publik.

Gjithashtu, rezultatet e hetimit penal dhe administrativ ndaj personelit të Shërbimit Onkologjik kanë nxjerrë në pah problematikat e mosofrimit të shërbimeve mjekësore dhe dërgimin e pacientëve drejt strukturave jopublike. Kjo situatë kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të parandaluar spekulimet dhe abuzimet në ofrimin e shërbimit shëndetësor.’- thuhet në relacionin shoqërues.

Të dhënat e cituara në dokument flasin për 823 biznese që ofrojnë shërbime të ndryshme shëndetësore jopublike, dhe në këto biznese shëndetësore jo publike rezultojnë të punësuar mjekë të specialiteteve të ndryshme, që ushtrojnë profesionin edhe në sektorin shëndetësor publik.

‘Nga të dhënat e administruara rezultojnë se janë në total 823 biznese, që ofrojnë shërbime të ndryshme shëndetësore jopublike. Në këto biznese shëndetësore jopublike rezultojnë të punësuar mjekë të specialiteteve të ndryshme, që ushtrojë profesionin e tyre edhe në shërbimin shëndetësor publik.

Kjo sjell si pasojë që kombinimi i shërbimit në këto dy sisteme, publik dhe jopublik, kur aktualisht është edhe i parregulluar, cenon shërbimin shëndetësor publik, në favor të atij jopublik. Për rrjedhojë, rregullimi i 16 mënyrës së ushtrimit të profesionit të mjekut është domosdoshmëri në këto raste, që shërbimi shëndetësor publik të jetë eficient në ofrimin e shërbimeve të tij.’- thuhet në realcion.

Sipas relacionit rezulton se puna e mjekëve në sektorin publik dhe në atë jo publik pa një rregullim ligjor ka sjellë për rrjedhojë cilësi më të ulët të kujdesit shëndetësor tek pacientët e spitalit publik.

‘Gjithashtu, ndodhemi përballë ekzistencës së konfliktit të interesit, pasi mjekët kanë inkurajuar dhe mund të inkurajojnë në të ardhmen përsëri pacientët e tyre në sektorin shëndetësor publik, që të kërkojnë trajtim në strukturat shëndetësore jopublike në pronësi të tyre dhe/ose ku ata punojnë për të përfituar financiarisht.

Kjo qasje dëmton pacientët që mund të mos kenë mundësi financiare për trajtime në këto struktura jopublike dhe që nuk e kanë zgjedhur vetë të marrin shërbimet shëndetësore në to.’- thuhet në realacion.

Për këtë arsye, sipas relacionit për aktin normativ, ‘mungesa e rregullave të qarta krijon një mjedis të pasigurt për pacientët dhe për profesionin e mjekut në tërësi, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për të mbrojtur interesat publikë dhe të drejtat themelore të shtetasve.

Në këtë situatë, ku është e nevojshme ndërhyrja e menjëhershme, përdorimi i aktit normativ është thelbësor. Për këtë arsye, rezulton se plotësohet dhe kriteri i dytë, ai i “urgjencës”.

Për këtë arsye, propozohet rregullimi i kësaj situate, nëpërmjet këtij akti normativ me fuqinë e ligjit, për të garantuar interesin më të lartë publik, atë të jetës dhe të shëndetit të shtetasve.’

Në bazë të të dhënave të marra nga Ministria e Shëndetësisë nga Urdhri i Mjekëve, në relacion thuhet se ky i fundit ka dështuar lë lidhje me masat disiplinore të marra ndaj bluzave të bardha. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 632 ankesa të administruara, pjesa më e madhe janë mbyllur me mirëkuptim. Në bazë të të dhënave, kjo tregon se ky rregullim nuk ka qenë efektiv në rritjen e përgjegjësisë në profesionin mjekësor. Në bazë të Aktin Normativ do të shkrihen komisionet e gjykimit disiplinor profesional dhe do të ngrihet komisioni i Apelimit pranë ministrisë së Shëndetësisë.

‘Sipas këtyre të dhënave, qartësisht rezulton se, për periudhën 2005 - 2023, pranë Urdhrit të Mjekëve, nga informacioni i përcjellë nga Urdhri i Mjekëve nga viti 2005-2023, janë administruar 632 ankesa, të cilat kryesisht janë mbyllur me mirëkuptim ose ballafaqim dhe në shumicën e rasteve nuk kanë kaluar në një vlerësim të thelluar nën optikë e të cilat nuk janë të lidhura në çdo rast me shkeljet e parashikuara në Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore dhe në rastet kur ankesat e depozituara kanë reflektuar shkelje të dispozitave të këtij të fundit.

Ndërkohë, gjatë së njëjtës periudhë kohore 18-vjeçare janë trajtuar 110 ankesa, të cilat kanë kaluar në gjykim disiplinor e lidhen me shkelje të Kodit të Etikës, duke filluar nga mungesa e etikës së mjekut deri dhe në gabimin mjekësor nga ana e tij. Në përfundim të shqyrtimit të këtyre 110 procedimeve disiplinore janë dhënë nga organi kompetent 60 masa disiplinore.

Nga sa më sipër, rezulton se për një periudhë 18-vjeçare numri i procedimeve ka pasur një mesatare shumë të ulët dhe ende më e ulët ka qenë dhënia e masave disiplinore. Kjo tregon që ky rregullim nuk ka qenë efektiv në rritjen e përgjegjësisë në profesionin mjekësor.’- thuhet në relacion.

Nga ana tjetër Urdhri i Mjekëve konsideron si të padrejtë Aktin Normativ, pasi sipas tyre i shmang ata nga komisioni i ankesave dhe masave ndaj mjekëve apo infermierëve që bëjnë shkelje.

Akti normativ u miratua nga qeveria me 1 gusht dhe duhet të miratohet brenda 45 ditëve nga Kuvendi, në rast të kundërt humbet fuqinë.

RELACION - NDRYSHIME - URDHRI I MJEKEVE (Lexo të plotë)

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Leli: 29/08/2024 11:12

    Po edhe punesimi i sigurt i mjekeve nga 40vjet ne nje vend pune mos ndoshta penalizon te rinjte? Ju nerrni masa, beni llafe, beni ligje po duhet te mendoni si te rinjte mos te pengohen nga te vjetrit qe jane grup

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja