Koalicioni me LSI-në, ja debatet
e forta dje në kryesinë e PS-së

Koalicioni me LSI-në, ja debatet<br />e forta dje në kryesinë e PS-së
TIRANE - Mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste e cila është mbledhur dje paradite nuk ka qënë fort e lehtë për kryetarin Edi Rama, pasi propozimi që ai bëri në këtë forum për ftesën ndaj Metës për koalicion ka nxitur debatin, i cili nuk ka munguar asnjëherë gjatë tërë këtyre viteve në mbledhjet me dyer të mbyllura të forumeve të PS, ku me gjithë kërkesat e liderëve të saj ndër vite, debatet dhe batutat mes anëtarëve kanë dalë në media.

Që në fillim kreu i PS Rama ka bërë me dije se do të ftojë zyrtarisht LSI për të qënë pjesë e koalicionit parazgjedhor për fitoren e 23 qershorit, duke renditur të gjithë elementët pozitive që dalin nga kjo aleancë, ndërsa nuk ka munguar të thitë që nesër në pushtet qeverisja e majtë nuk do harrojë zotimet e bëra për një drejtësi për Gërdecin, 21 janarin por dhe për përmirësimin e qeverisjes.

Rama ka kërkuar mbështetjen e kryesisë që në rastin e një përgjigjie pozitive nga ana e Metës për koalicionin të punojnë për të maksimalizuar votat në këtë koalicion të zgjeruar. Ka qënë nënkryetari i grupit të PS Erjon Braçe ai që është shprehur kundër këtij koalicioni, ndërkohë që ka kërkuar nga Rama por dhe nga PS që të mos e përmendin më 21 janarin pas ftesës për Ilir Metën në koalicion me PS.

Ndërkohë që Rama e ka garantuar Braçen dhe kryesinë e PS se me këtë ftesë “janë të fituara që sot zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit të këtij viti”. Nga ana tjetër ka qënë dhe deputetja Arta Dade ajo që nuk ka munguar të shprehet skeptike në lidhje me luajalitetin e Metës ndaj PS, pasi ka dhënë prova sipas saj se votat e majta i çon te Berisha, ndërsa e akuzon kreun e LSI si bashkëvjedhës të votave të majta në zgjedhjet vendore të 8 majit në kryeqytet bashkë me Sali Berishën, duke i dhënë një mandat të pamerituar Lulzim Bashës në kurriz të Edi Ramës.

Nga ana tjetër është shfaqur dhe shqetësimi se si do ta presë baza këtë lëvizje të fundit të PS për koalicion me LSI e Ilir Metës, teksa kanë protestuar për vite të tëra ndaj tij për shkak të bashkimit të votave me Berishën dhe mbajtjen në këmbë pushtetin e kryeministrit që solli këtë keqqeverisje.

Këtë shqetësim kanë ngritur anëtarët e kryesisë Arben Malaj dhe Besnik Baraj, të cilët kanë kërkuar të dinë nëse është pyetur opinioni në bazë dhe si mund të menaxhohen zërat kundër. Ndërkohë që më konkret ka qënë anëtari i kryesisë e ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Shkëlqim Cani i cili ka kërkuar të dijë nëse janë bërë mirë llogaritë, sa është fitimi dhe sa është kostoja e një aleance të tillë me LSI, parti e cila ka qeverisur për katër vite me radhë në krah të Berishës.

Rama e ka garantuar se janë bërë të gjitha llogaritë, të cilat dalin në favor të opozitës. Kreu i PS ka thënë që menjëherë pas kthimit të përgjigjes nga Meta për koalicion, ai do ta hedhë në kryesi dhe në Asamblenë Kombëtare për ta miratuar me vendim të posaçëm marrëveshjen e koalicionit PS-LSI.

DEBATET, DJE NË MBLEDHJEN KRYESISË SË PS

Edi Rama mësohet të ketë thënë në kryesi: Eshtë menduar t’i dërgohet ftesë LSI për të bërë koalicion parazgjedhor tashmë që nga qeveria doli, duke plotësuar dhe kërkesën tonë të vendimit të Asamblesë. E di se ka shumë elementë që duhen tejkaluar, por kjo nuk do të thotë se do të lëmë mënjanë dhe hetimin e 21 janarit..

Erjon Braçe mësohet të ketë thënë se: Jam kundër kësaj marrëveshjeje dhe nga sot ju si kryetar i PS dhe e gjithë Partia Socialiste duhet ta harrojë 21 janarin.

Edi Rama mësohet të jetë përgjigjur se: Arsyeja e këtij koalicioni me LSI është një dhe vetëm një, rrëzimi i Sali Berishës. Për ne nuk ka asnjë qëllim tjetër kjo ftesë. Ne i kemi fituar që sot zgjedhjet, pikërisht pasi bëmë ftesën për LSI.

Arta Dade mësohet të ketë pyetur Ramën: Sa efikas është ky koalicion me LSI për fitoren tonë dhe a mund të besojmë në luajalitetin e saj?

Edi Rama mësohet të jetë përgjigjur se: Duke bërë koalicion me LSI ne do të mbrojmë votat tona, pasi Berisha asnjëherë s’ka qënë shumicë. Ne duhet të besojmë, konfliktet janë kaluar tashmë.

Arta Dade mësohet t’i ketë thënë Ramës: Meta bashkë me Berishën vodhi votat më 8 maj në bashkinë e Tiranës. Kjo që po bëjmë është një kapitullim pa kushte në përpjekjen për të ardhur në pushtet me vota opozitare. Vendimi për ftesën s’është marrë as në kryesi, as në Asamblenë e PS, ndërsa Meta po respekton institucionet e LSI, pasi përgjigjien do na e japë pasi të vendosë në kryesi dhe Këshillin Drejtues Kombëtar.

Unë kam shumë dyshime në lidhje me luajalitetin e LSI, e cila ka treguar më se njëherë se nuk e ka për gjë të kalojë në krahun tjetër politik sikurse bëri më 2009 ku mbajti për katër vite Berishën në pushtet me vota të vjedhura. Unë mendoj se do të ketë dhe një situatë të vështirë në bazë dhe do na duhet ta mendojmë se si duhet përballuar.

Arben Malaj mësohet të ketë thënë se: Duhet të dëgjojmë dhe opinionin në bazë. Fitorja e zgjedhjeve të 23 Qershorit nga PS duhet bazuar në maksimalizimin e votave të çdo socialisti dhe mbështetësi të PS. Ndërtimi i koalicioneve para dhe pas zgjedhore duhet bazuar në një program të qartë e të harmonizuar që garanton qeverisje të qëndrueshme.

Bashkëpunimi i PS-LSI duhet të synonte prej kohësh ruajtjen dhe forcimin e Institucioneve Kushtetuese. Votimi i 3 ligjeve që hapin rrugën drejt marrjes së statusit të vendit kandidat duhet të jetë e pjesë e vizionit për një Shqipëri të zhvilluar e Europiane.

Edi Rama mësohet të ketë thënë se: Ne e kemi testuar bazën, e cila është në favor të aleancave për të mundur Berishën.

Besnik Baraj mësohet të ketë pyetur se: E kemi mundësinë ta menaxhojmë revoltën e bazës socialiste që kam frikë se nuk do e menaxhojmë dot, pasi sinjalet nuk janë të mira?

Edi Rama mësohet të jetë përgjigjur: Po e ritheksoj dhe njëherë se janë marrë të gjitha masat dhe situata është tërësisht e menaxhueshme pasi socialistët ashtu si gjithë shqiptarët duan ta largojnë Berishën për t’i hapur rrugë një qeverisje të re.

Shkëlqim Cani mësohet të ketë pyetur Ramën: Janë bërë mirë hesapet se çfarë fitojnë nga koalicioni me LSI, a kemi kosto duke bërë koalicion me një parti e cila ka qënë katër vite në një qeverisje të cilën duam ta ndryshojmë më 23 qershor?

Edi Rama mësohet të jetë përgjigjur se:
Janë bërë të gjitha llogaritë dhe e majta do të jetë fituese përmes maksimalizimit të votës, përmes mbrojtjes së saj dhe frymës së fitores që sjell.

PËRPLASJA, DOGJANI: LARGOHEM NGA PS DO KANDIDOJ SI I PAVARUR

Deputeti socialist Asllan Dogjani është larguar nga grupi parlamentar i PS. Lajmërimi për këtë largim të pakthyeshëm është bërë nga selia e PS. Dogjani është larguar nga Grupi i PS duke thënë se ishte kundër vendimit të koalicionit me LSI-në dhe se në zgjedhjet e 2013 do të kandidonte si deputet i pavarur.

“Rama duhet të largohet pasi nuk ka marrë në konsideratë vlerat dhe parimet e demokracisë. Kundërshtova vendimin për LSI dhe ky është shkaku pse dola nga grupi PS. Një koalicion i tillë do të zhgënjejë qytetarët dhe do të minojë besimin që kanë qytetarët tek drejtësia.

Nuk largohem nga PS, por kryetari më detyron dhe do të dal të kandidoj si i pavarur për t’i shërbyer qytetarëve të mi në Has, Kukës e Tropojë”, tha Dogjani pasi kreu i PS Rama ftoi publikisht Metën për koalicion. Po nuk ka qënë tërësisht aleanca e pritshme me LSI shkaku i konfliktit të deputetit Dogjani me Ramën, por kishte filluar që kur Rama e hoqi nga lista e kandidimit në qarkun e Kukësit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

GJKKO liroi Berishën, Bardhi: Fitore politike e tij! Iu pengua për 1 vit aktiviteti liderit të opozitës

GJKKO liroi Berishën, Bardhi: Fitore politike e tij! Iu pengua për 1 vit aktiviteti liderit të opozitës